Autoriteti i i Aviacionit Civil thotë se ulja emergjente e avionit "Blue Panorama" dje në mëngjes, erdhi për shkak përhapjes së tymit dhe erës së keqe. Gjithçka ndodhi pasi solucioni larës i motorit të avionit, proces që kryhet një ditë para nisjes, ende nuk ishte tharë plotësisht. Avioni "Blue Panorama" me 136 pasagjerë, dje bëri ulje emergjente në Rinas, ndërsa udhëtarë në këtë fluturim treguan për Report Tv, momentet e tmerrit që kaluan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra shtatzëna.

"Më datë 24 Shkurt 2019 avioni i kompanisë Blue Panorama, nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 07.38 dhe me destinacion qytetin e Ankonas, Itali, ka bërë ulje të detyruar për shkak të konstatimit të tymit dhe një aromë të rëndë në kabinë pak pas ngritjes. Avioni është rikthyer menjëherë në Aeroport dhe është ulur pa probleme në orën 07:53.

Ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bënë mbikqyrjen nga afër të punës së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes. Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes.

Në bazë të rregulloreve evropiane, të cilave u referohen dhe autoritetet shqiptare gjatë punës së tyre mbikqyrëse, raporti i ngjarjes, ndërmarrë nga vetë kompania brenda 72 orëve, do t’i dërgohet palës italiane si autoriteti certifikues i kompanisë për të ndjekur hapat e nevojshme.

136 pasagjerët e linjës janë sistemuar në një avion tjetër i cili u nis nga Tirana në orën 10:00 dhe mbërriti në Ankona në 11:56",- përfundon njoftimi i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Edhe vetë kompania "Blue Panorama" ka bërë një reagim zyrtar për incidentin ajror ku thotë se avioni është ulur pak minuta pas nisjes, pa ndonjë emergjencë, për kontrolle teknike, në të njëjtin aeroport të nisjes, në Rinas. "Pasagjerët u dërguan menjëherë në një avion tjetër, Boeing 737-800, i cili u ngrit në fluturim në orën 09:50 dhe ka mbërritur në Ankona në 11:05", thuhet në njoftim.

"Blue Panorama" sqaron se kthimi në aeroportin e Rinasit i avionit që pësoi defekt, ndodhi për shkak të aromave dhe avujve të shkaktuara nga mbetjet e solucionit (detergjentit) të përdorur për të larë motorët. Avioni filloi fluturimet e tij normale, pas 4 orësh nga kryerja e kontrolleve - thotë kompania "Blue Panorama".