Zbulohet projekti i hotelit në
qendrën muzeale të Gjirokastrës

Zbulohet projekti i hotelit në<br />qendrën muzeale të Gjirokastrës
TIRANE - Projekti i hotelit me 15 dhoma në zemër të Qendrës muzeale të Gjirokastrës është hartuar nga vetë Instituti i Monumenteve të kulturës dhe specialistët e tij.  Kjo e thellon ende më tej skandalin e kësaj ndërhyrje të dhunshme në qendrën muzeale.  Madje specialistët e këtij Instituti që ka për detyrë ti mbrojë qendrat muzeale e jo të ngrejë banesa të reja aty, e kanë përgatitur këtë plan që në vitin 2011.

Shqiptarja.com  sjell sot projektin e fotografuar, ku duket pamja e plotë e objektit siç do të duket në përfundim të tij dhe e gjithë ambjentit përreth tij. Ndërkohë faqja e parë e projektit servir gjithë të dhënat, rreth projektit, pronësisë, hartuesve dhe drejtuesve të lartë që e kanë firmosur.

Në krye shënohet:
Instituti i Monumenteve të kulturës “Gani Strazimiri”
Projekt
Rindërtimi i objektit në pronësi të z: Sabahudin Kodra.
Investitor: Sabahudin Kodra
Grupi i projektimit:
Ark.:Lucjano Bojaxhiu (firma)
Ing.:Dorian Çeribashi (firma)
 
Miratohet
Për KKR
Sekretari
Akademik
Apollon Baçe (firma)
Tiranë 2011
Përveç z.Apollon Baçe, që hedh firmën për rindërtimin e këtij hoteli e që është njëkohësisht edhe drejtor i Institutit të Monumenteve, mësojmë se edhe dy hartuesit e këtij projekti, të miratuar në fillim të këtij viti, por që paska nisur të planifikohet që në vitin 2011, edhe ata të dy janë pjesë e adminsitratës shterore.

Fill pas marrjes së këtij dokumentacioni, arkitekti Luçjano Bojaxhiu u pyet dje nga shqiptarja.com për të sqaruar më tej idenë e këtij projekti, pse është ndërtuar pikërisht aty në qendrën muzeale, a është ky një projekt i tij privat apo i porosituar nga shefat e tij, në këtë rast drejtori Apollon Baçe, etj...Por arkitekti i këtij projekti këmbënguli shumë se përgjigjet e tij do ti japë pas 23 qershorit, pasi sipas tij kjo çështje është politizuar.

Për lexuesit po sjellim bisedën e plotë që realizuam dje me z.Bojaxhiu, i cili tha mes të tjerash se ndërtesa nuk po ngrihet nga fillimi, aty ka pasur bodrume dhe se gjithçka ëhstë konform rregullave.   
  
BISEDA ME ARKITEKTIN LUÇIANO BOJAXHIU
 
Z. Luçiano, në redaksinë tonë kanë mbërritur fotografi për projektin që do të ndërtohet në qendër të Gjirokastrës. Këtë projekt e keni hartuar ju. Është ky një projekt i kërkuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës apo është një projekt i juaji individual?
Do t’ju thopja vetëm diçka që kjo temë po bëhet shumë politike dhe nëse doni ta sqaroni këtë gjë e sqarojmë pas 23 qershorit,sepse çdo diskutim që po bëhet tani po merr shumë nuanca politike.
 
Unë po ju pyes si gazetare kulture...
Më fal, unë të kuptoj shumë mirë por në këtë moment sa më shumë të flitet për këtë gjë aq më shumë merr ngjyra politike dhe unë nuk kam dëshirë  që çdo gjë që bëhet të marrë ngjyra politike.
 
Ju jeni specialist i Institutit të Monumenteve?
Prandaj ju thashë nëse doni sqarime sqarohemi pas datës 23 qershor dhe nuk e kam problem të jap sqarime në të gjithë drejtimet, por më vjen shumë keq që çdo gjë po e kaloni në politikë dhe në plan personal. E them këtë nga mënyra se si trajtohen gjërat, sepse shteti shqiptar ka aq shumë tema dhe  gjëra për të trajtuar e diskutuar e që ja vlejnë dhe ju tani kapeni me një person të caktuar dhe ktheni çdo diskutim në anë politike dhe merreni me persona të veçantë. Më vjen shumë keq se si i parashtroni gjërat.
 
Më falni unë jam gazetare e kulturës dhe shkruaj për monumentet e kulturës dhe e kam për detyrë ta bëj këtë gjë.. Prandaj ju marr për t’ju pyetur...
Ju bëni shumë mirë që bëni punën tuaj, por puna juaj nuk bëhet këto 20 ditët e fundit. Problemet dhe gjërat kanë shumë kohë që janë. Dhe nuk më pëlqen që të vazhdojë kjo temë diskutimi për t’i dhënë ngjyra politike.
 
Më falni edhe njëherë projekti është mriatuar në prill, pra nuk ka shumë kohë...
Atëherë  pse nuk e diskutuat që në prill këtë kur ishte miratuar në prill?

Sepse tani u mor vesh ç’ishte ky projekt...
Jo më vjen shumë keq, ti që je gazetare për kulturën interesohesh në çdo moment për kulturën.
 
Po, unë jam gazetare dhe pashë se në qendër të Gjirokastrës po ngrihet një ndërtesë nga zero me tulla të kuqe dhe kjo më bëri përshtypje...
Jo nuk po ngrihej nga zero. Sepse aty ka qenë objekti ekzistues.
 
Kur ka qenë objekti aty? Ka pasur tani së fundmi një objekt aty?
Jo kanë qenë bodrume, prandaj them se çdo gjë është e mbështetur dhe konform gjithë rregullave. Prandaj ju lutem shumë nëse doni t’ju sqaroj ju sqaroj pas 23 qershorit, pa asnjë problem. Me vjen shumë keq që po ngatërroni specialistët me politikën. Ky shtet ka nevojë të ecë përpara jo të kapeni pas disa elementëve të caktuara ku edhe politika edhe specialistët ngatërrohen.
 
Unë kam frikë mos dikush ju ka urdhëruar ta bëni këtë projekt prandaj ju mora për tju pyetur.
Si, si?
 
Mendoj se dikush ju ka urdhëruar për ta bërë atë projekt...
Nuk janë gjëra që zgjidhen në këtë moment. Në vend ti zgjidhësh gjërat, në këtë moment më keq bëhen, prandaj nëse jeni vërtet kaq e interesuar ju lutem shumë mos më fusni në këtë mes kot, sepse jam specialist e s’kam ndërmend të ngatërrohem me politikën.
 
Ju kuptoj, por nese ju ka urdhëruar Apollon Baçe për këtë projekt ndryshon puna...
Ju them sërish nuk është momenti për të diskutuar gjëra të tilla. Do ta diskutojmë pas datës 23 qershor me kënaqësinë më të madhe.
 
Dakord do t’ju marr sërish...
Po edhe flasim. Nëse e doni këtë vend mos e ngatërroni kulturën me politikën.
 
Deri pas datës 23 qershor përfundon godina e mbase deri atëherë do të jetë shumë vonë...
Përfundon apo s’përfundon godina deri atëherë, nuk jam unë që i vendos gjërat. Por nëse një diskutim ka vend, ka vend në çdo kohë, për mendimin tim...

Po por e rëndësishme është të mos bëhet dëmi apo jo...
Dëmi nuk bëhet...Por jo në momentet e fundit e ti ngatërroni specialistët me politikën...
Të lutem shumë siç ke ti familje kam edhe unë familje. Siç jam mbajtuar gjithë këto kohë larg politikës, të lutem shumë mos më ngatërroni tani me politikën...
 
Nuk të ngatërroj unë me politikën. Unë bëj punën time, po ju pyes....
Të bëhet në kohën e  caktuar e pa i futur gjërat në rrafshin personal. Mos më keqkuptoni, nuk kam asgjë as për të fshehur. I diskutojmë në momentin e caktuar...


Projekti i hotelit në Gjirokastër me logo

(Foto: Projekti i ndërtimit të hotelit në qendër)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm