Në shumë ndeshje futbolli, kamerat kapin momente kur lojtarët, pak para fillimit të lojës, vendosin një substancë të bardhë në gjoks. Ky gjest ka ngjallur kureshtjen e tifozëve në mbarë botën, por çfarë është në të vërtetë kjo substancë dhe pse përdoret?
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë 'The Athletic', ajo që futbollistët aplikojnë në gjoks është një pomadë mentolike. Përbërësit kryesorë, mentholi, kamfori dhe vaji i eukaliptit, krijojnë ndjesinë e ftohjes dhe ndihmojnë në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes, duke lehtësuar marrjen e frymës, veçanërisht në ndeshje të zhvilluara në temperatura të ulëta apo kushte të lagështa.
Ekspertët shpjegojnë se aroma e fortë e mentolit ka edhe efekt psikologjik aktivizues, duke ndihmuar lojtarët të përqendrohen dhe të hyjnë më të motivuar në lojë. Kjo praktikë, megjithëse shumë e përhapur, nuk ka lidhje me dopingun dhe nuk ndalohet nga FIFA apo organizatat e tjera sportive, pasi nuk përmban substanca që rrisin performancën fizike.
Në fakt, përdorimi i saj konsiderohet më shumë si një ritual personal sesa si ndihmë reale mjekësore. Disa lojtarë e aplikojnë rregullisht para çdo ndeshjeje, duke e parë si pjesë të rutinës për t’u futur në “moodin e duhur” të garës.
Sipas mjekëve sportivë, efektet e kësaj pomade janë kryesisht psikologjike, krijojnë ndjesinë e rehatisë dhe përgatitjes, por jo ndryshime të mëdha fiziologjike. Megjithatë, ata paralajmërojnë se përdorimi i tepruar mund të shkaktojë irritim të lëkurës, ndaj këshillohet që të aplikohet në sasi të vogla.
Ky fenomen është bërë mjaft i komentuar në rrjetet sociale, veçanërisht pas pamjeve të disa lojtarëve të njohur që e përdorin rregullisht para ndeshjeve të mëdha. Në fund të fundit, duket se “sekreti” i tyre nuk është ndonjë formulë magjike, por një kombinim i aromës së fortë, ndjesisë freskuese dhe përgatitjes mendore që i ndihmon të ndihen gati për betejën në fushë.
Komente







