TIRANE- Ka mbërritur në Vlorë anija me naftë bruto, që ishte porositur në Iran. Deri pak muaj më parë, një gjë e tillë nuk ishte e mundur, si pasojë e ndalimit ndërkombëtar të tregtimit të hidrokarbureve nga ai vend. Një masë të tillë e kishte miratuar Organizata e Kombeve të Bashkuara, si presion ndaj qeverisë së Teheranit që kjo e fundit të hiqte dorë nga projektet e saj që mund të konkludonin në prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Konkretisht, në muajin mars të këtij viti, edhe Siria, edhe Shqipëria, janë shtuar në listën e vendeve që kanë importuar naftë bruto apo nënprodukte të saj nga Irani.

Njoftimi ka dalë fillimisht nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila, veç tregtisë së hidrokarbureve, kontrollon edhe energjinë bërthamore, që po zhvillohet me shpejtësi nga ana e Iranit, duke trembur fuqitë e tjera, që i tremben krijimit të një shteti tjetër me potencial armësh nukleare në një rajon “të nxehtë” të globit.
Kjo Agjenci njofton vetëm kur malli mbërrin në vendin e porositësit. Ndërkohë, një lajm i tillë konfirmohet edhe nga autoritetet përkatëse të shtetit shqiptar, si dhe nga Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure të Shqipërisë. Sipas kësaj të fundit, janë pak subjekte që blejnë naftë bruto jashtë, për ta futur në procesin e përpunimit në vend, ku ka kapacitete të tilla, si psh në rafineritë e Fierit dhe Ballshit. Por, fakt është që, ndërkohë që naftë bruto nga Shqipëria eksportohet gjithnjë e më shumë, deri në Spanjë, importohet njëkohësisht një sasi e caktuar nafte nga vende të tjera. Anija nga Irani ka mbërritur në gjirin e Vlorës, ku kryhet stokimi pranë depozitave të kompanisë importuese, theksuan burimet.


Kina, India dhe Koreja e Jugut janë ndër importuesit e përhershëm të sasive të mëdha të naftës iraniane, sipas Agjencisë së Energjisë. Ndërkohë, pas lehtësimit të sanksioneve të OKB-së ndaj këtij vendi, në “lojën” e importeve kanë hyrë edhe vende të tjera, duke përfshirë edhe dy anëtare të aleancës së NATO-s, konkretisht Turqia dhe Shqipëria. Sipas marrëveshjes së dakortësuar në muajin nëntor me fuqitë botërore në lidhje me programin bërthamor të Iranit, eksportet e naftës iraniane supozohen që të kishin një mesatare prej 1 milionë fuçish në ditë për një periudhë 6-mujore, deri në korrik, por eksportet duket se e kanë kaluar këtë nivel.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë mendon se Irani ka eksportuar 1.65 milionë fuçi nafte në ditë gjatë muajit shkurt, por kjo shifër ka rënë në rreth 1.05 milionë fuçi në ditë në mars.  
Ndërkohë, administrata Obama beson se eksportet e Iranit do të ulen gjatë muajve të ardhshëm dhe deri në korrik do të arrihet që sanksionet të hiqen fare. Rezervat e naftës bruto në depozitat iraniane kanë rënë nga 32 milionë, në 22 milionë fuçi, raporton Agjencia e Energjisë. Mospërputhja e sasive të lejuara për eksport besohet se do të përbëjë një temë për diskutim gjatë takimit të radhës të diplomatëve iraniëne me ndërkombëtarët. 

Shkrimi u publikua sot 4 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)