Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi sot se ka fikur altoparlantët, që shërbenin për të bërë propagandë. Një gjest i tillë është cilësuar si mjaft pozitiv përpara samitit historik të të premtes midis udhëheqësve të dy kombeve.
Altoparlantët, të cilët dëgjohen në milje të tëra në Korenë e Veriut, kanë funksionuar rregullisht që nga janari 2016, si përgjigje ndaj testit të katërt bërthamor të Koresë së Veriut. Ata transmetojnë muzikë pop koreane, lajme dhe parashikime të motit, episode të jetës së përditshme në Jug, që janë rreptësisht jashtë kufijve për koreano-veriorët. Ndaj këtyre altoparlantëve, Koreja e Veriut ka reaguar disa herë madje edhe me artileri armësh.
Ky veprim përfaqëson një lëshim modest ndaj Koresë së Veriut, vetëm pak ditë para takimit mes liderit verior Kim Jong Un me presidentin e Koresë së Jugut Moon-Jae-in, të premten.
Është hera e parë që krerët e dy Koreve, të cilat janë teknikisht ende në luftë që kur Lufta Koreane përfundoi me armëpushim në vitin 1953, do të ulen për bisedime ballë për ballë.