Zef Brozi: Anëtarësim në BE?
S'ka shanse pa Berishën në burg

TIRANE- Ekskluzive/ Në intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-kreu i Kasacionit Zef Brozi thotë se pa u marrë i pandehur ish-kryeministri Berisha s’ka drejtësi në Shqipëri. Akuza për vrasje, korrupsion, abuzime.
 
Qeveria e re ka muaj në krye të detyrës. Si e mendoni ecurinë..?
Tre apo edhe pesë muaj janë shumë pak për të gjykuar punën e një qeverie. Aq më tepër kur e merr qeverisjen pas shkatërrimit, grabitjes dhe inkriminimit që i bëri vendit SHQEVERISJA 8 vjeçare e Sali Berishës. Megjithatë, duke u bazuar në ato çfarë ka bërë qeveria deri më sot, mendoj se performanca e Kryeministrit, qeverisë, ministreve e ministrave ka qenë shumë e mirë dhe ka shpresa që në vitin 2014 rezultatet e qeverisjes do jenë dhe më të prekëshme për qytetarët. Mendoj se Qeveria duhet të veprojë dhe më me shpejtësi jo vetëm për skanimin e gjithë korrupsionit, abuzimeve dhe dëmeve të mëdha që i janë bërë vendit nga qeveria e Berishës, por dhe për vënien para drejtësisë të Sali Berishës dhe ministrave e zyrtarëve të tjerë të tij të korruptuar.

Nuk duhet vonuar as edhe një minutë më tej për konfiskimin e pasurive të vëna me abuzim e korrupsion nga ish qeveritarët e pushtetarët, duke filluar nga ish kryeministri Berisha. Mendoj se mazhoranca duhet të bëjë sa më shpejt reformën kushtetuese dhe reformat në gjyqësor, prokurori dhe disa institucione të tjera. Në këto reforma mund dhe duhet të kontribuojnë të gjithë specialistët shqiptarë, përfshirë këtu edha ata që janë në emigracion. Më gjerësisht për këto reforma mbase do shkruaj një herë tjetër.
 
Ekonomia ka krijuar një gropë financiare, ndërkohë që qeveria thirri FMN, për të cilën Berisha ishte kundër. Mendoni se mund të shmanget kthimi i shtetit në Piramidë?
Berisha ka pasur dhe ka shumë arsye për të qenë gjithë jetën i frikësuar nga të vërtetat rreth tij dhe klanit të tij mafioz. Ka 23 vjet që Berisha i manipulon dhe fsheh të vërtetat. Me qëllim që ai të fshihte të vërtetën mbi firmat piramidale, të cilat i inkurajoi dhe mbrojti e përfitoi prej tyre, ai iu kundërvu FMN-së dhe institucioneve ndërkombëtare më 1996-1997. Edhe përzënia më pas e FMN nga kryeministri Berisha, dhe kundërshtimi prej tij i pranisë së saj sot, e ftuar nga Kryeministri Rama, janë shfaqje e frikës së Berishës nga të vërtetat, nga faktet dhe provat e vjedhjeve e abuzimeve me pasurite publike. Vlerësoj bashkëpunimin e Qeverisë ‘Rama’ me institucionet financiare ndërkombëtare dhe besoj se kurrë më piramidat, në çfarëdo forme që mund të duken, nuk do lejohen. Edhe vetë shqiptarët duhet të jenë vigjilentë dhe të mos e harrojnë gjëmën e ‘97-ës e mosndëshkimin e Berishës për shkrumbosjen e gjakosjen që i bëri vendit.
 
Edi Rama refuzoi asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri, ndërkohë që opozita u përpoq të shfrytëzonte protestën e qytetarëve për të dobësuar qeverinë. Mendoni se kryeministri veproi drejt?
E përshëndes vendimin e Kryeministrit Rama dhe jam i bindur se Shqipëria, Qeveria, Kryeministri e qytetarët s’humbën ndonjë gjë. Përkundrazi. Parlamenti Europian e përshëndeti qeverinë Rama për pjekurinë politike që tregoi. Edhe Presidenti Obama i garantoi Kryeministrit Rama bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Politika e demokracive perëndimore nuk është tekanjoze, siç mendonin disa në Shqipëri. Dhe më kryesorja, në Shqipëri filloi të fryjë flladi i lirisë dhe demokracisë që aq shumë i mungoi vendit nën sundimin despotik e mafioz të Sali Berishës.

Qytetarët protestuan lirshëm! Rinia studentore dhe e shkollave të mesme u zgjua pas një letargjie të frikëshme 20 vjeçare! Policia as nuk provokoi, as s’dhunoi protestuesit. Disa police femra paraqisnin jo vetëm përtëritjen e policisë, por edhe rrezatonin butësinë fisnike e korrekte ndaj qytetarëve protestues. Për fatin e madh të protestuesve dhe të Shqipërisë në godinën e Kryeministrisë nuk ishte më urdhëruesi i terrorit shtetëror të 21 Janarit 2011, por Edi Rama, që unë besoj se atij as në mendje nuk i shkon të qëllojë mbi popullin e vet.
 
Mendoni se ky ishte një stadard demokracie...?
Qeveria bëri atë që duhej: dëgjoi dhe vendosi siç donte populli. Gjë e rrallë në politikën shqiptare kjo! A nuk është kjo edhe një provë tjetër se Rama është një kryeministër që vepron në interes të popullit të tij, prandaj shqiptarët kudo që janë duhet ta mbështesin atë dhe qeverinë në misionin e vështirë të ndërtimit të një Shqipërie Europiane e të begatë? Dua të përshëndes vecanërisht protestuesit si për protestat masive, edhe për përzënien që i bënë Berishës e Bashës të cilët me djallëzinë që i karakterizon, deshën të manipulonin protestat, të viheshin në krye të tyre duke ëndërruar me sy hapur se u erdhi rasti të rrëzonin qeverinë e të riktheheshin në pushtet. Për fat të mirë Berisha nuk arriti ta uzurponte protestën siç bëri me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990. Koha e diktatorit Berisha ka marrë fund!
 
Në dhjetor BE shtyu dhënien e statusit të vendit kandidat për në qershor. Zërat thonë se ka ndikuar dhe refuzimi i armëve kimike, ndërsa Holanda na quan vend mysliman. Komenti juaj?
Asnjera nga këto nuk është arësyeja e shtyrjes se dhenies së statusit Shqipërisë. Arësyet u thanë qartë dhe nuk duhet humbur kohë me diskutime e hamendje të pafrutshme. Të jemi të ndershëm e të sinqertë: Shqipëria as në Dhjetorin e kaluar, as sot, nuk i plotëson kriteret për statusin e kandidatit në BE. Si mund të pretendosh të hysh në BE kur ka më se 20 vjet që femijë e gra ngujohen nga frika e gjakmarrjes? Si mund të pretendosh të hysh në BE kur dhe sot urdhëruesi i terrorit shtetëror të 21 Janarit 2011, Sali Berisha nuk është marrë i pandehur nga Prokuroria? Si mund të pranohesh në BE kur akoma s’ka asnjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsionin galopant të klanit mafioz të ish qeverisë Berisha?
 
Na shtynë statusin për shkak të mosndëshkueshmërisë...?
Mosndëshkimi i krimit dhe korrupsionit ishte arsyeja e shtyrjes se afatit të dhënies së statusit në Dhjetor. Për më tepër, nëse kjo situatë nuk ndryshon, Shqiperia mund të mos e marrë statusin dhe në Qershor. Dhe askush s’duhet të fajësojë të huajt për këtë. Jo, fajin e kemi vetë. Le ta them më saktë: Mosndëshkimi i korrupsionit e krimit të ish pushtetarëve të lartë nga Prokuroria e Gjyqësori mund ta shtyjë çështjen e statusit dhe pas Qershorit, ndonëse Qeveria Rama do të përgëzohet nga BE ashtu si në Dhjetor për punën e mirë dhe reformat që ka bërë e po bën. Megjithatë, Mazhoranca nuk do mund të justifikohet duke thënë se Prokuroria e Gjyqësori i kanë fajet. Populli e votoi këtë mazhorance për ndryshim te situatës së papranueshme dhe në gjyqësor e prokurori, dhe jo për t’u justifikuar.
 
Shqipëria zyrtarisht mund të cilësohet si një vend që ka celula të rekrutimit të muxhahidinëve islamikë që luftojnë në Siri si dhe janë hapur rrugët e “Bijve të Terrorit” për në Shqipëri. Duke qënë se partnerët janë shumë të ndjeshëm, sa përgjegjës është kreu i SHISH, ish-nënkryetari i SHIK të Gazidedes, Visho Ajazi në rikthimin e radikalëve islamikë në Shqipëri?
Kjo është një shenjë ogurzezë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Situata është alarmante dhe kërcënuese për vendin, ndaj duhet vepruar pa asnjë vonesë nga Qeveria, Parlamenti e institucionet e tjera. Kushdo që është përgjegjës duhet të vihet pa asnjë tolerancë a ndrojtje para përgjegjësisë ligjore, përfshirë këtu edhe dënimin sipas Kodit Penal. E njëjta gjë duhet bërë dhe në Kosovë sa s’është tepër vonë. Një damkë e madhe po i vihet kombit tonë shqiptar nga vetë shqiptarët! Dhe mos fajësoni dhe për këtë BE, vende të saj apo dhe Amerikën.

Dihet se Presidenti Berisha në vitet 1992-1996 u hapi portat, u dha mbështetje, prona, madje dhe shtetësinë shqiptare terroristëve islamikë që e kthyen Shqipërinë në një bazë të sigurtë të aktivitetit te tyre. SHIK-u i Gazidedes jo vetëm që s’veproi për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve që rrezikoheshin e kërcënoheshin nga terroristët e ardhur nga larg, por u krijonte lehtësira dhe i mbronte ata. Nëse Amerika dhe institucione të tjera ndërkombëtare nuk do kishin ndërhyrë në Shqipëri për arrestimin e terroristëve që vepronin aty, Shqipëria mund të ishte kthyer në një Afganistan të Europës. Sot vetë shqiptarët në Shqipëri e Kosovë nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë.
 
Kroacia, Italia dhe Rumania dënuan figura të larta politike. Mendoni se për të bindur Evropën se anti-korrupsioni është marrë seriozisht duhet ngritur “steka” e dënimit të zyrtarëve të lartë?
Në Shqipëri nuk do ketë shtet ligjor dhe ndëshkim të korrupsionit pa e filluar nga kapoja e dirigjuesi i korrupsionit dhe krimit pushtetar, ish kryeministri i duarve të pista e të përgjakura, Sali Berisha. Dhe me të edhe ish ministrat e zyrtarë të tjerë të pushtetit berishian për të cilët dita-ditës po dalin fakte të korrupsionit dhe inkriminimit të tyre. Vetëm kur Sali Berisha të dënohet për krimet që i ka bërë vendit e shqiptarëve, vetëm atëhere do mund të themi se po vepron shteti ligjor dhe se të gjithë pa dallim pozite shtetërore, politike, sociale e pasurore po përgjigjen njësoj para ligjit.

Për më tepër, pa ndëshkuar me gjithë ashpërsinë dhe forcën e ligjit korrupsionin e ish qeverisë Berisha, s’do jetë e suksesshme dhe bindëse as lufta ndaj korrupsionit të qeverisë sot, as të qeverive të tjera në të ardhmen. Si është e mundur që Sali Berisha ka më se 20 vjet që kryen krime monstruoze, si në pozitë, edhe në opozitë, dhe nuk është marrë ndonjëherë në përgjegjësi penale? Kush ia ka dhënë e po ia garanton edhe sot statusin e mosndëshkimit Sali Berishës? A janë Prokuroria e Gjykatat? Apo edhe vetë politika? Mendoj se të tria sëbashku. Prandaj duhet reformuar nga themelet ky trinom që mbron Sali Berishën dhe pushtetarët e politikanët e korruptuar.
 
Po kemi një prokurori që ngre akuza dhe një gjykatë që vendos...?
Kam disa pyetje për Prokurorin e Përgjithshëm dhe të gjithe ish Prokurorët e Përgjithshëm që nga viti 1997: Çfarë ju pengon zoti Prokuror i Përgjithshëm të merrni të pandehur Sali Berishën, që urdhëroi vrasjet terroriste të 4 dëshmorëve të demokracisë me 21 Janar 2011? A i keni dhënë garancinë se do ta mbroni atë e klanin e tij mafioz kur të zgjodhën në atë post? Nëse po jepni menjëherë dorëheqjen për të mirën tuaj dhe të Shqipërisë. Pse s’po e hetoni Berishën e disa ish ministra të tij për Gërdecin, për grabitjet dhe abuzimet me pasuritë publike dhe paratë e popullit?

Çfarë ju ka penguar dhe ju zotërinj ish prokurorë ta merrnit Sali Berishën në pyetje dhe si të pandehur për zhdukjen e Remzi Hoxhës më 1995 për shkeljen e embargos ndaj Serbisë më ‘92-‘96 e kontrabandën e naftës me të cilën furnizonte Sllobodan Milosheviçin për të terrorizuar e përgjakur Kosovën, për shkatërrimin e vendit dhe vrasjet e mijëra vetëve më 1997-ën, për grushtin e shtetit më 1998, për abuzimet me qindra miliona euro me prokurimet publike, për akuzat e rreme dhe fyerjet e shpifjet ndaj Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Kryetarit të SHISH e disa gazetarëve për puç shteti më 2011?

Ku i ka “provat” e “puçistëve” që ua tha ne televizion e në Kuvend se i kishte zbuluar? Nëse në Shqipëri nuk do vihet në zbatim parimi demokratik se të gjithë qytetarët e pushtetarët janë të barabartë para ligjit, as që mund të flitet për Shqipëri demokratike e Europiane. Kjo do thotë se Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët dhe çdo zyrtar duhet të përgjigjen para ligjit si çdo qytetar tjetër. Realiteti shqiptar ështe totalisht kundër këtij parimi. Ndaj jemi shumë larg Perëndimit dhe Europës.
 
U akuzuan dy krerë bashkie, një i PS dhe një i PD për falsifikime dhe ky i fundit, Mziu i Kamzës për abuzim me pushtetin, që para dy ditësh u lirua nga apeli. Mendoni se me këtë gjykatë mund të arrihet eliminimi i pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe se kreu i Prokurorisë Llalla mund t’ia dalë të çojë para drejtësisë peshat e rënda të korrupsionit..?
Faktet e derisotme flasin vetë dhe dëshmojnë të kundërtën. Por Shqipëria nuk mund të mbetet edhe më tej peng e të pajtohet me status quone e mosndëshkimit të Berishës dhe pushtetarëve e ish pushtetarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Duhen ndëshkuar pa hezitim dhe ata prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, të cilët janë dhe garancia e mosndëshkimit të Berishës dhe ish ministrave e ish zyrtarëve të tjerë, të zhytur në krim e korrupsion.
 
Në Prizren u zhvillua një mbledhje e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Vlerësimi juaj?
E përshëndes dhe e vlerësoj si një fillim shumë të mbarë e të dobishëm bashkëpunimi të gjithanshëm mes dy shteteve shqiptare, si një fund i politikës antikosovare e antishqiptare të ish qeverisë ‘Berisha’.
 
(Vijon numrin e ardhshëm)

 Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë