Zef Brozi: Ndahuni nga Berisha
e keqja e madhe e Shqipërisë

Zef Brozi: Ndahuni nga Berisha<br />e keqja e madhe e Shqipërisë
TIRANE - Në një intervistë për A1Report dhe Shqiptarja.com, ish-kryetari I Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri Zef Brozi, I bën thirrje votuesve shqiptarë të ndahen në 23 qershor një herë e mire nga e keqja me emrin Sali Berisha. Ai beson se një Rilindje shqiptare do të ishte gjëja e duhur për të ardhmen e vendit

Në fakt ne themi përshëndetje nga Tirana, kurse ju jeni në SHBA, nëse mund të na thoni se ku jeni konkretisht?
Unë jam në Washingtone DC, banoj dhe punoj aty. 

Në zemër të politikës amerikane mesa kuptoj. jemi në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Motorët e fushatës elektorale u shfaqën, të paktën këto janë ndjesi që ne i shohim dhe i hasim çdo ditë. Ishin shumë të forta, madje përpara çeljes zyrtare të fushatës zgjedhore. Nuk e di si po e shihni ju fushatën zgjedhore nga Washingtoni në Shqipëri, është dinamike, është energjike, është e fortë apo..?
Falë medias, juve që na jepni mundësinë, TV A1 Report, Top-Channel dhe gazetave sidomos gazetave të pavarura po e ndjek situatën edhe fushatën elektorale me aq sa mundësi kam. Vërtetë është një betejë e fortë elektorale, ka sjellë disa risi të reja në përdorim e social medias siç quhet. E vlerësoj shumë, në mënyrë të veçantë, ka diferenca midis fushatës elektorale të dy koalicioneve.

Më pëlqen mënyra si po e bën fushatën koalicioni për rilindjen e Shqipërisë, me takime, i jep mundësi bashkëbiseduesve të bëjnë pyetje nga më të ndryshmet dhe po më pëlqen entuziazmi i pjesmarrësve, jo atyre që çohen me detyrim nëpër mitingje, por njerëzit që shkojnë lirisht në takimet e opozitës.

Dhe kjo sikur më jep një shpresë se përfundimisht qytetarët e Shqipërisë do të vendosin të shkëputen nga diktatura e 22 vjetëve ose nga ajo që në mënyrë fantastike shkrimtari ynë i madh në një kryevepër tjetër "Mosmarrëveshja" e përshkruan Shqipërinë e këtyre 20 viteve të fundit si 20 vjet pas daljes në liri Shqipëri ishte një model ndotje morale si rrallëkund.

Duke filluar nga nxënësit e shkollës së mesme, studentët dhe gjithë shqiptarët ta lexojnë këtë libër. Është një kryevepër e kryeveprave të Kadaresë dhe këtë përshkrim që bën Kadareja për këto 22 vjet s'kemi çfarë ti shtojmë, në mënyrë të shkurtuar dhe në mënyrë shumë lokuente ai e përshkruan ndotjen morale të politikës dhe të Shqipërisë. Për të dalë nga ky llum, nga kjo baltinë, nga ndotje morale 23 qershori është një ditë e madhe për shqiptarët, për ata që duan të ndryshojnë Shqipërinë, të rilindin Shqipërinë.

Dhe në këtë aspekt unë ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë të votojnë. Në çdo katër vjet, qytetarët e Shqipërisë e ndjejnë veten të barabartë me të gjithë politikanët dhe pushtetarët në kuptim se vota e tyre ka peshë të njëllojtë. Flas nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe vota do të votat do të numerohen ashtu siç është vullneti i votuesve. 

Në fakt ju jeni shprehur edhe më përpara në një intervistë ekskluzive të disa muajve më parë në gazetën Shqiptarja.com se zgjedhjet e vetme të lira dhe të ndershme në Shqipëri kanë qenë ato të vitit 1992. I shihni dhe këto zgjedhje të 23 qershorit me të njëjtin këndvështrim apo keni deri diku rezervat dhe dyshimet tuaja për këtë?
Dëshira dhe kërkesa e njerëzve të ndershëm të Shqipërisë por dhe emigrantëve është që të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme të Shqipërisë. Pra, të funksionojë procesi, sistemi pastaj se kush fiton do të jetë vullneti i popullit, por personalisht unë uroj që të fitojë opozita. Është për të mirën e Shqipërisë, është për të mirën e secilit shqiptar të ndershëm që nuk është pjesë e klanit të korruptuar dhe të inkriminuar që qeveris këto vite Shqipërinë.

Ndahuni nga e keqja, i bëj thirrje popullit, ndahuni nga e keqja sa nuk është tepër vonë. Dhe pas 23 qershorit, kushdo që nuk është ndarë nga kjo e keqe le të mos ankohet. Le ta gëzojë edhe për 4 vite dhe më shumë vazhdimësinë e tiranisë. E keqja është Sali Berisha nuk ka ditur, nuk di dhe nuk do të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Mos ja kërkoni këtë. Por, për të përballuar këtë ligësi dhe dinakëri të tij për manipulimin e zgjedhjeve qe është mjeshtër në këtë, atëherë ka rëndësi vota e të gjithë shqiptarëve të ndershëm.

Shkoni dhe votoni që të minimizohen mundësitë e falsifikimit. Gjithashtu për të minimizuar impaktin që mund të ketë falsifikimet e pushtetit ndaj votave, manipulimeve etj, duhet që prokuroria, organet e drejtësisë të jenë vigjilente, të jenë 24 orë në punë çdo ditë, për të marrë gjithë denoncimet dhe për të filluar verifikimet dhe procedimet. Në këtë aspekt ka shumë mundësi që opozita dhe çdo qytetar të faktojë, të filmojë falsifikimet.

Shqiptarët i kanë përdorur celularët vitet e kaluara për të fotografuar votën. Në këtë rast ju propozoni që të përdoren në një tjetër formë , për të sjellë një realitet apo jo?
Unë do sugjeroja që të ndalohet hyrja në vendet e votimit me celular. Votuesi nuk duhet të ketë celular kur shkon në dhomën e votimit. Kur flas për përdorimin e mjeteve, mundësive që të jep media sociale sot, është për të informuar menjëherë CNN-i, organet më të larta. Edhe në Amerikë dhe në gjithë botën, sot e ka një burim informacioni çdo qytetar. Në çdo skaj të botës, dhe në qendër të demonstratës ta zëmë që po bën Turqia apo luftës në Siri, një qytetar që ndodhe rastësisht dhe sheh diçka e filmon dhe e nis menjëherë.

Përdoreni për të denoncuar pushtetin që po falsifikon në mënyrën më të egër dhe kjo pritej, ose blerja e votës që po bëhet dhe më vjen mirë që PS ka dërguar një denoncim për një kandidat për deputet. Kështu duhet, të fillojnë procedurat penale, nuk duhet që pas zgjedhjeve të fillojmë të qahemi. 

Ju flisni si një ish-gjyqtar që kërkon prova dhe fakte për të faktuar më pas atë që do të bëhet objekt i kolegjit. E keni ndjekur besoj para pak ditësh intervistën me ish-ambasadorin amrikan Withers që kolegia ime Mira Kazhani ka patur në televizionin A1 Report. Besoj e keni ndjekur me vëmendje. Si ju duket? 
E kam ndjekur. Dua ta falenderoj nga zemra ambasadorin Withers që është një mik kaq i madh i shqiptarërve. Të them të drejtën e kam takuar kur isha në Shqipëri. Shumicën e shqiptarëve ambasadori Withers i vë në pozitë qoftë dhe për njohjen e letërsisë së Shqipërisë. Është një njohës shumë i mirë i Shqipërisë, por ka dhe një zemër aq të madhe, ka një dashur aq të madhe për shqiptarët dhe Shqipërinë sa na bën xheloz dhe ne shqiptarëve.

Dua të falenderoj edhe ambasadorin Arvizu që po bën një punë të shkëlqyer në këtë fushatë. Sipas gjykimit tim, dëgjojeni ambasadorin Arvizu, thirrjet e tij që të shkoni të votoni, thirrjet e tij për të mos lejuar manipulimet e votave. Dëgjoni këto mesazhe që janë mesazhe miqësore dhe njëkohësisht opozita nuk duhet të presë reagimin ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe çfarë ndodh tani me zgjedhjet duke pritur ardhjen e raportve të shkruara nga ndërkombëtarët.

Realitetin e njohin shqiptarët shumë mirë. Shqiptarët janë ata që duhet t'i dalin në mbrojtje votës së tyre dhe të bëjnë maksimumin që këto zgjedhje të jenë vendimtare për Shqipërinë. 23 qershori është shpëtimi ose fundosja e Shqipërisë. Nëse fiton opozita, do të jetë shpëtimi dhe rilindja e Shqipërisë. 

Përpos deklaratave të z.Withers të fushatës së z.Arvizu që po promovon idenë që shqiptarët të marrin pjesë gjerësisht në votime, ju jeni në zemër të politikës amerikane. Si duket, si është pozicionimi i amerikanëve kundrejt qeverisë aktuale? Është ashtu siç thotë z.Withers apo ka ndonjë të vërtetë tjetër që mund të na e zbuloni?
Po flas thjesht si qytetar, si shqiptar. Ajo që mendoj unë është: dëgjoni ambasadorin Arvizu. Ai është përfaqësuesi zyrtar i politikës së Presidentit Obama. Unë mendoj që mesazhet e ambasadorit Arvizu kohët e fundit kanë qenë të qarta dhe të prera kundër shkatërrimit të KQZ-së që i bëri mazhoranca dhe kundër mënyrave që po përdor për blerjen e votave, falsifikimin presionet që po përdor ndaj administratës. Meqë jemi këtu, për administratën ndjej keqardhje, për mësuesit, policët, punonjësit e administratës janë njerëzit më të persekutuar aktualisht, më të terrorizuar.

E dimë që janë në një presion të fushatës zgjedhore sepse kemi patur dhe raste. Kryeministri Berisha e ka përdorur edhe për efekt elektoral liberalizimin e vizave me SHBA duke reflektuar deri diku marrëdhënie pothuajse perfekte, por nga ana tjetër kemi këto deklarata të ish-ambasadorit Ëithers apo edhe disa sinjale që vijnë edhe nga Arvizu se marërdhëniet nuk janë në fakt edhe aq të mira. Ju si mendoni?

Për një gjë nuk kam dyshim, që qeveria dhe politika amerikane është në mbështetje të Shqipërisë, të popullit shqiptar, të parimeve të demokracisë dhe nuk mund të bëhet pjesë e një diktature të ashpër që i ka shfaqur në mënyrë të egër dhëmbët në këtë fushatë, prandaj shqiptarët duhet të kenë besim në qeverinë amerikane, në ambasadorin Arvizu dhe t'i dëgjojnë mesazhet e tyre, pavarësisht se ndonjëherë mund të ketë dhe ndonjë zyrtar apo ndonjë firmë lobingu që vjen nga Amerika.

Shqiptarë, mos i dëgjoni firmat e lobingut që ju vijnë nga Amerika. Thjesht pse janë amerikane, ato vijnë atje për të marrë mijëra apo miliona dollarë që Berisha ua merr shqiptarëve të ndërshëm, që marrin e edhe bukën me listë, për të përdorur për mbajtjen e pushtetit të tij. Dëgjoni zërin zyrtar të ambasadorit Arvizu. Kjo do ishte këshilla ime më e mirë në këtë situatë si qytetar shqiptar, por dhe si qytetar amerikan. 

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit