Zelensky në SHBA, takime me drejtues shtetesh dhe kompani amerikane

Zelensky në SHBA, takime me drejtues shtetesh dhe kompani amerikane

Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka zhvilluar takime të rëndësishme gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai ka takuar drejtuesit e disa kompanive të mëdha amerikane me të cilët ka biseduar për çështjen më urgjente të vendit të tij, nevojat për energji. Presidenti ukrainas gjithashtu ka takuar drejtues shtetesh, ndërsa më vonë gjatë javës pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për të prezantuar "planin e tij të fitores"

Presidenti i Ukrainës, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ka mbajtur takime të veçanta me drejtuesit e Indisë, Gjermanisë dhe Japonisë. Zoti Zelensky gjithashtu iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke kërkuar paqe për të ardhmen e vendit të tij.

“Putini ka vjedhur shumë tashmë, por ai kurrë nuk do të vjedhë të ardhmen e botës. Tashmë po përgatitemi për takimin e dytë të nivelit të lartë, duke ecur përpara me partnerët tanë, hap pas hapi, sipas formulës së paqes. Ne po përgatisim një dokument për ta prezantuar në këtë takim. Ftoj të gjithë drejtuesit, kombet të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të drejtë dhe paqësore”tha zoti Zelensky.

Pas takimit të tij me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Presidenti Zelensky theksoi nevojën për unitet e arritjen e asaj që e cilësoi "paqe e drejtë".

Presidenti Zelensky gjithashtu vuri në dukje lidhjet në zhvillim të Ukrainës me Indinë, pas takimit me kryeministrin Narendra Modi.
 Pavarësisht lidhjeve të ngrohta të Indisë me Rusinë, ajo ka lejuar devijimin e predhave të artilerisë drejt Ukrainës nga klientët evropianë.

Presidenti i Ukrainës u takua dhe me përfaqësues të bizneseve amerikane të martën, përfshirë ato që merren me energji të rinovueshme. "Duhet të përgatitemi për sezonin kur na nevojitet ngrohja dhe kjo është dobësia jonë. Rrjeti i energjisë është nën sulme çdo ditë”, tha zoti Zelenskiy gjatë takimit.

Sulmet e vazhdueshme ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të kapaciteteve energjetike ukrainase. Në sezonin e dimrit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ka rrezik që Ukraina të mund të mbulojë vetëm rreth një të tretën e kërkesës për konsum.

“Ndërsa i afrohemi dimrit ne mund të humbasim njerëzit. Është e kuptueshme nëse duan të ikin nga Ukraina. Sfida më e madhe është çfarë të bëni kur nuk keni energji elektrike. Tjetër gjë është gjatë verës, por çështja komplikohet ndërsa i afrohemi dimrit. Nuk ka të bëjë vetëm me energjinë elektrike, por për mungesë të ngrohjes. Gjithçka që mundëson të jetuarit ndikohet nga kjo”, tha zoti Zelensky.

Presidenti Zelensky do të udhëtojë gjatë javës në Uashington për të paraqitur "planin e tij të fitores" dhe për të ndikuar në politikën e Shtëpisë së Bardhë mbi luftën, e cila përfshin kërkesën Kievit për të përdorur armët e siguruara nga perëndimi për të goditur objektivat më thellë brenda Rusisë.

Zoti Zelensky ka thënë se Kievi do të bashkëpunojë me Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Të hënën, kandidati republikan për president Donald Trump, i cili gjatë debatit televiziv me Nënpresidenten Kamala Harris tha se do t'i japë fund luftës brenda disa ditësh nëse zgjidhet, pretendoi, pa ofruar prova, se Presidenti Zelensky donte që demokratët të fitonin në nëntor.

Zyra presidenciale në Kiev nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, por Presidenti Zelensky ka thënë më parë se është i gatshëm të punojë me këdo që fiton zgjedhjet.

Agresioni rus në Ukrainë, filloi në shkurt të vitit 2022 dhe ka vrarë mijëra njerëz, ka detyruar miliona të tjerë të largohen dhe ka kthyer qytetet dhe fshatrat e Ukrainës në rrënoja./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet ‘apokaliptike në Spanjë, shkon në 213 numri i viktimave

Përmbytjet ‘apokaliptike në Spanjë, shkon në 213 numri i viktimave