Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se do të udhëtojë për në Argjentinë, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij vendi.
Zelensky që udhëtimin e tij e paralajmëroi përmes Telegrami dhe që është vizita e tij e parë në Amerikën Latine, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit argjentinas Javier Milei.
Mediat ukrainase raportuan këtë javë se inaugurimi i Mileit mund të shërbejë si një takim midis Zelensky dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth kandidaturës së Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në samitin e BE-së javën e ardhshme, do të vendoset nëse Bashkimi Evropian do të nisë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, e cila mori statusin e kandidatit vitin e kaluar.
Vendimi duhet të merret unanimisht dhe Orban ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tij për fillimin e negociatave.