Zëra të heshtur dëshmojnë historinë...Liri Belishova: Si u shua "drita" që vinte nga humnera

Zëra të heshtur dëshmojnë historinë...Liri Belishova: Si u shua

Liri Belishova

Nga Fiqiri Sejdiaj

Numri i pare i Intervistes / Numri i dyte i Intervistes botuar ne Shqiptarja.com

Vijon...

Më 19 shkurt të vitit 1981, në një dhomë të zakonshme të spitalit Onkologjik në Tiranë, vdiq  Drita Çomo. Këtu, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme! Vdekja është pjesë e jetës dhe qindra njerëz  vdesin edhe më 19 shkurt. E veçanta është se Drita Çomo, ishte e bija e Liri Belishovës, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë luftës Nacional- Çlirimtare, e pas çlirimit, antare e Byrosë Politike, kurse babai i saj ishte Maqo Çomo, udhëheqës i partizanëve në luftë, e më vonë Ministër i Bujqësisë. Burrë e grua u dënuan si “revizionistë” e  “tradhëtarë të popullit e të partisë”.

E veçanta e këti lajmi të zymtë, është se më 19 shkurt të vitit 1981, pas qerres që mbante arkivolin e vajzës, ecnin vetëm 6 njerëz; nëna. gjyshja, vëllai, dy dajat e kunata Askush tjetër. Ndërsa qerrja ecte në rrugën plot gropa e baltë, arkivoli lëkundej mbi qerre. Lëkundej edhe kortezhi në rrugë. Në varrimin e vajzës së gjorë, mungonte babai. Ai ishte në burg. Mungonin dajallarët, dhe të afërmit e tjerë. Edhe ata ishin në burg. Mungonin shoqet dhe shokët e shkollës. Mungonin të gjithë ata që e njihnin dhe e donin. Askush nuk u kish dhënë urdhër që të mungonin në atë  varrim. Askush nuk kish vënë ndonjë lajmërim apo shpallje:”Ndalohet pjesmarja në varrim!” Njerëzit me zemër të thyer, në mënyrë të ndërgjegjshme, nuk morën pjesë në varim. Pse? Sepse diktatura bënte roje edhe mbi vdekjen, sepse  shteti ish më i egër se vdekja. Shteti monist vigjëlonte jo vetëm para vdekjes, por edhe pas vdekjes. Hakmarrja e tij ishte e pa mëshirshme.

 Deri më 19 shkurt 1981, Liri Belishova, nuk kish kuptuar asgjë. Tani, duke ecur pas qerres që mbante arkivolin e së bijës, 23 vjeçe, më në fund, ajo kish kuptuar gjithçka. Në diktaturë, njerëzit e ndarë për së gjalli, nuk i bashkonte dot as vdekja.

Si vdiq vajza juaj?

 Kur u arrestova unë, vajza ime ishte  2 vjeç e gjysëm. Gjithë jeta e saj kaloi nëpër persekutimet e diktaturës komuniste, për të cilën kish luftuar nëna dhe babai i saj. Kjo ishte tragjedia e saj, kjo ishte tragjedia jonë.. Kjo vajzë ishte shumë e bukur, e gjatë, por edhe shumë e zgjuar, e talentuar. Ka lënë shumë vjersha e një ditar që e dëshmon këtë gjë. Në radhë të parë ishte shumë e mirë.

Njerzit që e kanë njohur, shkolla ku mësoi, mësuesit, spitali ku u shtrua kur ishte e sëmurë, të gjithë thonë se ajo ishte një ëngjëll tokësor. Ajo kish vetëm një të metë; ishte vajza e Liri Belishoves dhe Maqo Comos.. Fati i saj ishte përcaktuar nga diktatura. Ky fat kish vetëm një ngjyrë, të zezë, prandaj edhe jetën e bëri të zezë.

U sëmur…?

-Sëmundja e saj u zbulua kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, pra kur ishte 18 vjeçe. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme që vazhdoi 5 vjet. D.m.th. pjesën më të bukur të rinisë,  e kaloi nën kërcënimin e vdekjes.

Gjatë këtyre 5 vjetëve, u shtrua 10 herë në spital. E shtronin, e kur përmirësohej e dërgonin në shtëpi të vazhdonte kurën me ilaçe. Jeta e saj kish vetëm dy pika referimi;vajtje- ardhje, përsëri vajtje e përsëri ardhje. Spitali u bë shtëpia e saj. Nuk mund të ankohem se mjekët dhe personeli nuk e trajtuan mirë. Megjithëse ajo ishte e mbyllur, nuk tregonte, nuk ankohej, nuk donte të më dëshpëronte. Më ka mbetur peng një gjë, e cila pasqyrohet edhe në ditarin e saj.

Ky ditar është një dokument. Mjekimet shpesh i ndërronin, emrat e ilaçeve nuk më kujtohen, ka kaluar shumë kohë, një prej tyre ishte i mirë, po ja ndërprisnin se nuk kish, e ja vazhdonin me një ilaç tjetër nga prodhimet e vjetra që nuk kish ato veti kuruese. Kur unë e pyeta mjekun pse?- ai më tha: nuk ka valutë. Të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, më dridhet gjithë trupi, sepse ilaçi ndofta nuk do ta shpëtonte, po do i kish zgjatur jetën.

Gjatë kohës që vajza qëndronte në spital, ju qëndronit me të?

-Unë jo vetëm që nuk qëndroja me të, por me shumë lutje, më kanë lejuar vetëm dy herë ta shoh në spital, gjatë 5 vjetëve. Këto dy herë kan qenë si rezultat i këmbënguljes sime, për të biseduar me mjekët. Mendoja se vajzës nuk mund t’i thonë të vërtetën, kurse mua, po.  Ajo që në të vërtet është mizore, kur vajza u sëmurë rëndë, ishin ditët e fundit të saj. Unë kisha marrë leje të bisedoja në telefon. E mora në telefon e më doli një shoqe e saj. Ajo më tha, Drita nuk ka mundësi të vijë se është në shtrat e sëmurë! Në atë kohë u ndodh pranë mjeku që e kuronte, një mjek shumë fisnik, Nini Theodhosi. Ai e mori telefonin e më tha, dëgjo nëna e Dritës. Vajza po të vdes! Kërko leje e hajde ta shohësh për herë të fundit.

Atëhere me letra  e telegrame ç`nuk bëra. Kaluan disa ditë dhe më erdhi leja për ta takuar vajzën në spital. Erdhi gazi i degës me dy roje, o zot, ç`do bëja unë?! Shkova me djalin, Petritin, për të parë vajzën.  Kur hyra në dhomë, dhoma kish 6 krevate. Të gjitha ishin bosh. Vajza më tha: Mami, i ka në hequr, se do vije ti! Çfarë do bëja unë, nëna e mjerë që po i vdiste vajza? Unë ndenja rreth një orë me vajzën, e gjatë gjithë kohës duhet ti njomja buzët se i thaheshin, duhet ti vija oksigjenin se kur lëviste i largohej  tubi i oksigjenit.  Ajo u përpoq të më jepte mua kurajo. Mami, mos u dëshpëro, se kjo gruaja që ka qënë pranë meje, ka marë 16 herë oksigjen e akoma rron. Vajza ime nuk rrojti. Pas tre ditësh vdiq. Kur mbaroi takimi e dola në korridor, u thash oficerëve të sigurimt që më shoqëronin. Ju lutem më lini të rri pranë vajzës, se ju e dëgjuat vetë mjekun. Me dhimbje, mjekët ma thanë troç, vajza juaj ka  shumë-shumë disa ditë jetë, për të mos thënë disa orë. Varet nga organizmi. Punonjsi i sigurimit  qeshi e më tha në mënyrë të prerë:

 “Hajde, mjaft ndënje se po erësohet. Duhet të ikim. Ka shtet këtu, ka infermierë, ilaçe e gjithçka tjetër, do ti bëhen të gjitha.” 

Të lutem i thash unë, duhet ti njom buzët, duhet ti vë oksigjenin, e pastaj nuk e di, në ato momente të tmershme se si më erdhi në mëndje e i thash. E njoh Nexhmije Hoxhën, gjatë gjithë luftës kemi qënë bashkë  Pas luftës, përsëri bashkë kemi punuar. Ajo është nënë e nuk mund të mos më kuptojë. Të lutem i telefononi asaj se mua po më vdes vajza, e duhet të jem pranë saj!

O sa larg e mbake ti! Akoma mendon si antare e Byrosë Politike? Thuaj faleminderit që të lejuam për të parë vajzën për herë të fundit.

Nuk e di, duhet të jem lëkundur, se veten e ndjeva sikur po bija. Dhe një nga ato infermieret mori kurajo dhe erdhi e më mbajti, se do kisha rënë për tokë. Ajo më shoqëroi tek makina. 

Si vdiq Drita, vajza ime!?

Natën vonë, kur shoqet e saj flinin, e pranë saj  nuk kish infermiere, Dritës i qe larguar tubi i oksigjenit. Kushedi! Ajo përpëlitej në krevat me vdekjen. Kjo gjë zgjoi  shoqet e dhomës. Njëra prej tyre ja vuri tubin e oksigjenit, e ajo tha vetëm këto fjalë: “Më falni se ju shqetësova!” Ra në koma e vdiq. Dha shpirt përfundimisht në orën 7 të mëngjesit. Këto mi thanë shoqet e dhomës, po dhe djali që dashuronte. Atë e lajmëruan e shkoi menjëherë pranë saj. Banonte në Fier. Ishte njeriu i vetëm që i qëndroi pranë deri në çastet e fundit të jetës. Ai na bëri telegram për vdekjen e saj. “Drita mbaroi!” E mora këtë telegram kur isha në postë e përpiqesha të lidhesha në telefon me spitalin. Ishte e pamundur të  bisedoja me spitalin në një central të vogël provincial si ai i Cërrikut. Në atë kohë s’kish telefona celularë. Ndërkohë që po përpiqesha të lidhesha me telefon, më japin telegramin. Akoma më e vështirë ishte vajtja në Tiranë për të marë kufomën e vajzës e pastaj organizimi i cermonisë së varimit. A do na jepnin leje apo jo! A do na jepnin një makinë apo jo! Në se po, kur do na i jepnin? Që nga mëngjesi, e deri në orën 13 të drekës, mezi na u dha leja. Atëhere erdhi leja nga Tirana. Më në fund, u nisëm për të marë kufomën e vajzës. Kur u kthyem në Cërrik, e ndjenim se njerzit na shikonin nga dritaret me drita të mbyllura. Njerzit e sigurimit të shtetit, me qëllim na shpunë natën në shtëpi. Megjithëatë, gjithë Cërriku e ka qarë atë vajzë! Aman në cermoninë e varimit, askush nuk guxoi të vijë. Në varrim isha unë, djali, nëna, dy vëllezrit e mi dhe një kunat,- 6 vetë. Më vonë, kur na takonin njerëzit e qytetit në rrugë apo në ndonjë vend që nuk binte në sy, na thoshin: “Na fal që s`të erdhëm në varim. Ne jemi njerëz, dhe e kuptojmë dhimbjen tuaj, po ti e di vet si janë këto punë!

Ju nuk mund ta përfytyroni dot se çfarë egërsie kish në atë kohë! Ju nuk mund ta merrni me mend se sa e fortë ishte lufta e klasave! Fushata kundër armiqve të partisë e të popullit, siç quheshim ne, ishte e madhe, në shtyp, në radio,në gazeta, në broshura e buletine, çdo orë, ditë për ditë. Në diktaturë, nuk mund të bëhet fjalë  për marrëdhënie njerëzore.

Ju keni patur shoqe Nexhmie Hoxhën, Vito Kapon e tjerë, a ju erdhën ato për ngushëllim?

-As që mund ta mendoja se mund të vinin për ngushëllim, sepse ju thashë, egërsie ndaj armikut  të klasës ishte e madhe. Egërsia ndaj komunistëve që ishin shpallur armiq, ishte edhe më e madhe. Ne vuanim dyfish. Ne që dikur kishim qenë komunistë e për kaq vjet kishin luftuar bashkë me ta, ne do e pësonim dy herë më keq.

C`bëhej me djalin tuaj?

-Djali im studionte në gjimnazin e Cërrikut. E përfundoi shkëlqyeshëm. E dinim që nuk do i jepnin të drejtë për të studjuar në universitet, megjithatë bëmë kërkesë. Nuk fitoi. A e kuptoni sa fallco ishin deklaratat se gjoja gjithë rinia shqiptare është e lumtur, gjithë rinia shqiptare ka mundësi të studjojë... e tjer e tjera. Kështu djali im, një i ri me prespektivë e me dëshirë të zjartë për të studiuar, iu pre çdo mundësi. Më thoni ju lutem, c’faj kishte ai?  Kur u dënova unë, ai ishte 4 vjeç!

Pse duhej të dënohej djali juaj?

Djali s`kish asnjë faj, po ish diktatura e mbrapshtë,  absurde. Djali pasi mbaroi shkollën e mesme, e mobilizuan ushtar. Të them të drejtën, ato dy vjet që djali bënte shërbimin ushtarak në repart pune, për mua kan qënë torturë. Po sikur ti lëshonin ndonjë bllok çimentoje, gjoja aksident, e mbaroi!?. Po sikur ta vrisnin natën në gjumë? Po sikur... eh, ku nuk i vete mëndja nënës së shkretë!. Pas ushtrisë djali u kthye në Cërrik, dhe kërkonte punë. Po e tregoj këtë episod për  t`ju thën se deri ku shkonte persekutimi. Djali ka qënë nxënës i shkëlqyer, dhe kur e emëruan në SMT, xhenerik, vazhdoi natën teknikumin për mekanik. Kjo e aftësoi. Kur vinte puna tek provimi për të marë kategorin, djalit tim i jepnin vetëm kategorin e III. Kjo u bë problem sa puntorët thoshin: Si është e mundur që nuk fiton Petriti, i cili është më  i zoti se ne?! Atëhere sekretari i partisë në SMT e thirri në zyrën e tij , nxori nga sirtari një shkresë e i tha: Dëgjo Petrit, mos mer më pjesë në konkurs, se ne nuk të japim më shumë se kategorin e III-të. Sekretari i partisë nxori nga sirtari i tavolinë një shkresë. Ja zgjati Petritit duke i thënë:” Ky urdhër ka ardhur nga lartë. Djalit “të armikut” mos i jepni më shumë se kategorinë e III-të.

Ç`mendon tani për njerëzit e tjerë të internuar e të persekutuar nga regjimi komunist?

-Mendoj me shumë shumë dhimbje, dhe të them të drejtën me shumë përgjegjësi morale. Sepse këto vuajtje u shkaktuan nga Partia ku unë bëja pjesë, nga pushteti për të cilin unë luftova. Krimet e Partisë Komuniste filluan që gjatë luftës Nacional-Çlirimtare. Kjo ishte faza e parë.

Faza e dytë e persekutimeve komuniste ishte kur u çlirua Shqipëria . U bënë shumë gjyqe speciale, dhe shumë gjyqe  të tjerë ushtarakë. Janë burgosur qindra vet, e janë internuar në masë familjet e tyre.

Faza tjetër ka qenë ajo kur u dënuan deputetët antifashist si Shefqet Beja, nënkryetar i Frontit Demokratik, Sheh Karbunara, antar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit, Riza Dani antar i Frontit për Shkodrën, Doktor Sazani, Isa Radovicka, komandant i zonës së parë operative,  etj.

Po në këtë fazë, ju vetë ishit në majë të piramidës së pushtetit. Pse nuk i ndaluat?

Patjetër që ndjej përgjegjësi të madhe. Po kini  parasysh!

Në fazën e parë, mua më dukeshin të llogjikshme këto gjëra. Edhe kur bëhej ndonjë gjë e dyshimtë, mendoja se, këtë e di partia.

Pastaj unë shkova në shkollë jashtë shtetit.

Si e gjykoni Enver Hoxhën dhe figurën e tij?

-Diktatura komuniste në Shqipëri është varianti i diktaturës më të egër komuniste, sepse  Enver Hoxha e tejkaloi edhe Stalinin, babain e tij shpirtëror.

Diktatura e Enver Hoxhës ishte një diktaturë apsolute, tiranike e aplikuar në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Apsolutizmit i kishte kaluar koha që me revolucionin francez

 Në diktaturë,  përgjegjësinë kryesore e ka diktatori. Nga kjo ane: Përcaktimi se Enver Hoxha është një diktator i përgjakshëm e demagog është i drejtë. Ata qe thone:  “ka dhe te mira..”, unë i kundërshtoj. Kur bëhet përcaktimi i një personaliteti politik, meret ajo që është më esenciale. Për Enver Hoxhën, esenciale është diktatura e kamufluar me parulla e citate demagogjike. Kujtoni dogmën e diktaturës së proletariatit, maja e shpatës, partia mbi të gjitha e mbi gjithëcka... Enver Hoxhës ju dha mundësia disa herë për të bërë ndryshime, ai nuk i bëri ato asnjëher. Në mos për një përmbysje, gjë të cilën ai nuk mund ta bënte, të paktën, të bënte një përmirësim. Deri në vdekjen e Stalinit, ai mund të justifikohet. Unë i besova komunizmit, i besova Stalinit, prandaj kam vepruar kështu. Jo, ai ka qënë edhe më i egër se Stalini. Ka qenë aq i egër e i zellshëm, sa vet Stalini i ka bërë herë pas here vrejtje. Shoku  Enver, mos jini kaq sektar. Mos u shpejtoni me kooperativat bujqësore. Mos konfiskoni  industrinë e vogël. Kujdes me artizanatin.  Mos vrisni kaq shumë njerëz... Voroshillovi i tha në prezencën time Enverit: “C`bën more Enver! 1 milion vet është ajo Republika juaj, i shove Shqiptarët me pushkatime.(Ishte fjala për pushkatimet në ambasadën sovjetike) Dhe Enveri ju përgjigj: ”Po ata hodhën bombë!” Voroshillovi ju kthye: Po sa bomba hidhen në botë, nëpër legatat tona, dhe asgjë nuk ndodh. E ç’ndodhi në ambasadën tonë në Tiranë? Jam informuar e më kanë thënë se, një xham u thye?!  Nuk u vra njeri.” 

Pra Enver Hoxha ishte diktator i përgjakshëm dhe demagog. Demagogjia e tij për patriotizëm nuk kishte asnjë bazë reale.  Pavarësinë e Shqipërisë ai e rrezikoi me politikën sektare e aventuriste. E armiqësoi jo vetëm me botën perëndimore, me Amerikën e aleatët e saj, por edhe  me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij. E armiqësoi me Kinën- pra e armiqësoi me të gjithë botën e pastaj lëshonte dëngla si “ hedhim valle në gojë të ujkut!” Kulmi ariti kur e shpalli veten (të tjerët sigurish, po jo pa lejen e tij) udhëheqës të revolucionit proletar botëror.(!)

C`mendon tani Liri Belishova për Liri Belishovën e djeshme?

-E thashë më duket.  Unë jam ndarë nga idetë komuniste. Realiteti nuk rezultoi ai që mendonim ne.  Unë e di se as kapitalizmi nuk është perfekt. Papa Vojtila  ka deklaruar se: “Certifikatën e perfeksionit për problemet e sotme nuk e ka askush.” 

Si do jetë rruga e ardhshme?  Një gjë është e qartë. Nuk do jetë as diktatura fashiste,as diktatura komuniste. Këto ishin fatkeqësi të shekullit te XX . Njerëzimi do xhvillohet me evolucion duke i zgjidhur problemet hap pas hapi. Një vend i vogël si Shqipëria, nuk mund të jetë fanar i botës.

Le ti lëmë demagogjitë. Ato nuk na sollën as lavdi, as mirësi, po vetëm vuajtje. Në se vazhdojmë kështu, s’kemi për të pasur asnjëherë zhvillim. Me keqardhje vë re se në rrugën e demokracisë, ka një pengesë të madhe; trashëgimia komuniste. Nuk është puna se ndryshoi ekonomia, u riorganizua shteti, e shume e shume te tjera. Mentaliteti  ka mbetur po ai. Ne po vuajmë nga të njëjtat simptoma si ato të vitit 1960. Ka një tension të madh midis maxhorances dhe opozitës. Nuk ka bashkëpunim, nuk ka konkurrencë alternativash, ka luftë të ftohët dhe kjo, jam e bindur se vjen nga mentaliteti komunist.

Gjithë pushteti  sovjetëve, gjithë pushteti është i imi! Ata që nuk janë në një mëndje me mua, janë armiqtë e mi. Ky është  mentalitet komunist, që nuk pranon mendim ndryshe. Aq më tepër ta  respektosh këtë mendim ndryshe. Jo, tjetri qe është ndryshe, duhet likuiduar. Në se vazhdojmë me këtë logjikë, do kthehemi tek  komunistët, të cilët jo vetëm që nuk përmirësuan jetën e popullit të varfër, por i bënë edhe të pasurit të varfër.

Fund.

 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten

I mërzitur dhe me prerje në fytyrë e kokë, habit Guardiola: Doja të lëndoja veten