Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës u takuan të hënën në përpjekje për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, teksa kanë mbetur 10 ditë kohë për propozimin e emrave, sipas afateve kushtetuese.

Albin Kurti pas përfundimit të takimit me Lumir Abdixhikun
Pas takimit që zgjati mbi 2 orë, Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka emër të përveçëm, pra nuk ka anëtar të partisë që synon të bëhet president i Kosovës dhe se sfida e rradhës mbetet nevoja e shumicës së cilësuar për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Tash kemi një sfidë tjetër, sepse sërish na duhen dy të tretat për çështjen e presidentit. Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit si LVV me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. LVV nuk ka ndonjë anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Por njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha dhe tradicionale, PDK dhe LDK. U konfirmua dhe nga takimi i mbrëmshëm i PDK dhe LDK. Ne si parti nuk kemi pasë kandidatë nga radhët tona. Në vijim, ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveç në fletëvotim, ose subjektet politike merren vesh për njëra tjetrën për rrugën përpara. Edhe Lëvizja Vetëvendosje me partnerët me të cilët ka garuar, si dhe me pakicat që na janë bashkëngjitur, i ka 66 vota. Kur u shtohen edhe 15 deputetët e LDK-së, bëhen 81. Pra, edhe 81 nënkupton që asnjë deputet – as i LVV-së, as i LDK-së, as i pakicave – nuk duhet të mungojë apo të dështojë në votim. Prandaj, edhe formula LVV–LDK nuk është e sigurt që ne ta tejkalojmë këtë prag” tha Kurti.

Lumir Abdixhiku pas takimit me Albin Kurtin
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se dy rrugët në tryezë janë konsensusi ose marrëveshja klasike.
“Janë vetëm dy rrugë përpara, ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditë e ardhshme ose një marrëveshje klasike politike me partive për çështjen e presidentit dhe në të dyja rastet duhet 2/3 e votave dhe mbetëm të takohemi në ditët në vazhdim”, tha ai.
Të shtunën Kurti takoi liderin e partisë kryesore opozitare në vend, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse. Hamza, sipas Kurtit, shprehu “gatishmërinë” e tij për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.
Ai deklaroi në rrjetet sociale se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.
Presidentja Osmani është kritikuar nga partitë opozitare se ka qenë e afërt me partinë e Kurtit.
Deri tani partitë politike kanë qenë më të rezervuar për të komentuar ambiciet e saj për një mandat të dytë. Madje as në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë në pushtet nuk kanë dhënë përgjigje të qartë nëse a përkrahin Vjosa Osmanin. E rezervuar mbi këtë çështje ka qenë edhe Lidhja Demokratike të Kosovës ndërsa në PDK dhe AAK kanë thënë se nuk kanë votë për Osmanin.
Ato kanë thënë se ajo “nuk përfaqëson figurë unifikuese”, por nuk kanë shpjeguar pse.
Kosova duhet të ketë president të ri deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit.
Osmani u zgjodh presidente për herë të parë më 2021 duke gëzuar mbështetjen e Vetëvendosjes së Kurtit, por deri tani, as Kurti e as zyrtarë të partisë së tij nuk kanë shprehur mbështetje publike për një mandat të dytë për të.
Sipas Kushtetutës së vendit presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave apo tetëdhjetë deputetë në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë presidenti mund të zgjedhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash
A do ta mbështesë Vetëvendosje Vjosa Osmanin për një mandat të dytë?
Sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi se aktualisht nuk kanë mbledhur nënshkrime për asnjë kandidat.
Pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se edhe në rastin më të mirë, Vetëvendosje me partnerët mund të sigurojë vetëm 66 vota, një shifër që mbetet larg 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, sepse edhe nëse i mbledhim mund të arrijmë në numrin 66. Nuk e mbërrijmë dot 80-shin. Mund të nxjerrim kandidat, por 66 është shumë larg 80. Është e dëmshme të nxjerrim kandidat kur kemi ngelur te numri 66”, tha Kurti.
Ai shtoi se edhe dy subjektet e tjera të mëdha kanë deklaruar se nuk i kanë as 30 vota për nënshkrime, duke lënë të hapur nevojën për marrëveshje më të gjerë politike nëse do të ketë një emër që kalon pragun kushtetues.
Komente









