'Presidenti' kthehet në pikën zero, palët akuzojnë njëra-tjetrën për prishje të konsensusit! Alibeaj: Kandidatin tonë ta firmosin socialistët! PS: S’ishte kjo dakordësia

Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes mazhorancës dhe opozitës janë kthyer sërish në pikën zero. Pas dakordësisë që arritën palët në mbledhjen e konferencës së kryetarëve pak ditë më parë, ku opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. 

Para kryesisë së Kuvendit, në një deklaratë për mediat, Alibeaj njoftoi se ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ku pritej të diskutoheshin emrat e kandidatëve për presidentin e ri, dhe tha socialistë kanë shkelur paktin që emri i presidentit t'i dërgohej kuvendit me firma të përbashkëta.

Por sipas kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, nuk ka pasur dakordësi që mazhoranca të mbështesë me firma kandidatët e opozitës. Për Ballën, Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas mazhoranca të propozojë në raundin e katërt dhe pestë. Megjithatë Balla, shtoi se janë ende në kohë për të diskutuar sërish, në mënyrë që të zgjedhin presidentin e ri dhe me konsensusin e opozitës.

Sipas një dokumenti të publikuar nga PD që i referohet marrëveshjes ndërmjet opozitës dhe mazhorancës thuhet se është shkelur pika 4, por PS ka mohuar se ka një marrëveshje të tillë ndërmjet tyre. 

Pikat e marrëveshjes për të cilat PD pretendon se janë shkelur

Pika 4 e dokumentit:
4. Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Ndërkohë bashkëngjitur është edhe video e takimit ku zoti Balla e pranon me zë e figurë dokumentin e propozuar nga Grupi i PD. Ndërsa zoti Alibeaj, duke rënë dakord me zotin Balla, e thotë qartë se nëse një pikë e këtij dokumenti shkelet dhe nuk pranohet, atëherë konsiderohet tërheqje prej këtij dakordësimit nga ana e PS. Pra tashmë PS ka veç një zgjedhje: të mbështesë me firma kandidaturën e propozuar nga opozita dhe dakordësuar në negociata mes palëve. Rruga tjetër është po ashtu vetëm një: Të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shkelë rregullat e dakordësuar prej saj. Këtë e përcakton qartë pika 6 e dokumentit të Grupit të PD:
Pika 6 e dokumentit:
6. Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.

mbledhjen e ditës së djeshme të Grupit Parlamentar të thirrur nga Enkelejd Alibeaj ishin të pranishëm 26 deputetë. Ata propozuan për president emrat e Rexhep Ukës, Halim Kosovës, Dashamir Shehut, Leka Zogut, Leonard Demit, Arben Çejkut, Dritan Demirajt dhe Visar Zhiti. Alibeajt i duhen 20 firma për të propozuar emrin e kandidatëve për president që do t'i paraqesë në dy raundet e ardhshme. Në raundin e dytë dhe të tretë të negociatave me mazhorancën, në total opozita pritej të prezantonte 4 emra, 2 nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe 2 të tjerë nga Fatmir Mediu (grupi Aleanca për Ndryshim) dhe Mesila Doda (grupi për Demokraci dhe Integrim). Prej këtyre 4 emrave, 2 do të zgjidhen nga socialistët. Më pas do të krijohet një grup i përbashkët prej 6 anëtarësh, në përbërje të së cilit do të jenë nga PD dhe PS, për të dalë në vetëm 1 kandidat që do të çohet në Kuvend në 23 maj. Kandidati do të propozohet me firma të përbashkëta PD-PS.

Por pas këtyre përplasjeve, gjasat janë që edhe në raundin e dytë dhe të tretë, të mos kemi një kandidaturë zyrtarë për emrin e ri të kreut të shtetit.  Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:35
Negociatat për presidentin në pikën zero, Berisha: Vazhdim i marrëveshjeve të dështuara të Lulzim Bashës

Sali Berisha ka komentuar nga Vlora dështimin e negociatave mes qeverisë dhe opozitës për Presidentin e ri. Berisha tha se ai proces është vazhdimi i marrëveshjeve të dështuara të Lulzim Bashës.

Pyetje: Në lidhje me zgjedhjen e Presidenti, një koment që për negociatat që duket se kanë mbetur në pikën zero?

‘Një karnaval i vërtetë, një vazhdim i marrëveshjeve të dështuara që nga 2017 gjer më sot të Lulzim Bashës. Kjo që shihni ju nuk është gjë tjetër përveçse vazhdimi i atij seriali, por këtë herë edhe më tragjikomik dhe më i neveritshëm se çdo proces tjetër.’- tha Berisha.

Ora 17:01
Alibeaj tha se PS shkeli marrëveshjen, Balla: Jemi të gatshëm që të vijojmë bisedimet

 

Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla i përgjigjet Enkelejd Alibeajt i cili tha se Partia Socialiste shkeli marrëveshjen. Balla i bëri thirrje opozitës që të vijojnë bisedimet dhe të depozitojnë kandidaturat.

“Kemi rënë dakord me të gjitha kriteret me parakushtet që ishin vënë aty, janë kritere të përcaktuar nga kushtetuta. Sa i përket procesit tre gjëra duhet të jenë themelore. E drejta e gjithë palëve për të propozuar, dakordësia ka qenë në raundin e dytë dhe tretë nuk do propozojnë dhe pastaj nëse nuk do jetë zgjedhur presidenti, e zgjedhim në raundin e katërt që duhet të vijën nga PS me firmat e grupit parlamentar. Jemi të gatshëm që të negociojmë emra, tre grupet e opozitës mund të vijën me emra. Ata ia kanë mundësitë të propozojnë dy kandidatë, ti depozitojnë dy kandidaturat jemi të gatshëm që sapi ti depozitojmë të ulemi e të vlerësojmë mundësinë e votimi, nëse ne dhe grup i parlamentar i PS do i vendosin t’i mbështesin. Kushtetuta është mbi çdo lloj marrëveshje dhe dokumenti tjetër, Dini gjë sesi mund të quhet dikush kandidat nëse ia nuk është depozituar me 20 firma mbështetëse”, tha Balla.

Ora 17:00
Balla: Alibeaj na ka keqkuptuar, nuk do mbështesim me firma kandidatët e opozitës për president

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla, thotë se ato po i qëndrojnë marrëveshjes me opozitën, ku sipas tij mazhoranca nuk do të propozojë emër në raundin e 2 dhe të 3. Por sipas Ballës, Alibeaj e ka keqkuptuar diskutimin, pasi nuk ka pasur dakordësi që PS të mbështesë me firma kandidatët e opozitës.

‘Mendoj se fakti që dhe grupe të tjera të opozitës kanë kuptuar të njëjtën gjë që kemi kuptuar dhe ne, se kryetari i grupit parlamentar Alibeaj paska kuptuar diçka tjetër të risjellim dhe një herë diskutimin. Ne kemi qenë shumë të qartë. Në kohë jemi për të diktuar sërish. Ne nuk propozojmë as në raundin e dytë dhe as në raundin e tretë. Por opozita i ka të gjitha mundësitë mos t’i çojë dëm dy raundet. Le të vijnë me më shumë emra. Ne duhet të dëgjohemi. Ose duhet të zgjidhen këto emra o s’ka, ne nuk kemi rënë dakord kështu, pasi kemi të drejtën tonë për të propozuar. Do të presim raundin e 4. Bej thirrje të rikthehemi në tryezë. Nuk ka pasur dakordësi për atë formulën 4-2-1. Këtë gjë ua konfirmoj. Ka pasur dakordësi që për dy raundet 2-3 mos të ketë propozim nga mazhoranca, por vetëm në raundin 4-2. Nuk do të mbështesim me firma kandidatët e opozitës.’- tha Balla.

Ora 16:37
Dështojnë negociatat PS-PD për presidentin e ri? Reagon 'Rithemelimi': Balla ju vuri në lojë o skllevër

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu tha se dështimi i negociatave mes PS dhe PD për cështjen e presidentit pritej të përfundoni kështu, pasi sic tha ai demokratët me në krye Alibeajn u bënë pjesë e lojës së Ramës. Madje Shehu i cilësoi ata si skllevër.

"Me sa turp perfundon kur behesh nje “loder” ne duart e Rames! Ai mbasi te perdor te flak, edhe per te te poshtruar, gje qe ne fakt keto”lodra” e meritojne plotesisht ate. Keshtu perfundon!

Para pak minutash mora nje njoftim depersonalizues nga ata, qe i hyne asaj loje te turpeshme, per tu bere “gjethe fiku” e Rames. Anullonin ate mbledhje te ores 16 te “grupit parlamentar” ku, sic kishin deklaruar do te votonin per te zgjedhur “Presidentin”, ne nje grup jo me te madh se reth 20 deputete.

Dhe kjo mbas asaj komedie qe u luajt “live” nga Kryesia e Kuvendit, ku Balla vetëm i vuri ne loje ata “skllever” te pa pergjegjshem perballe tij. Dhe ku Alibeja u tregua i gatshem jo vetem ta percaje opoziten e PD, por ta katandiste ate ne reth 10 deputetet, aq sa i duheshin PS per te arritur “numrin e cilesuar”, pra ne realitet ai e nxorri ne “shitje” ate. Nuk e di pse po me kujton kjo Esat Pashen, kur po “shiste” Shqiperine!

Per hir te se vertetes i paralajmeruan edhe autoret e asaj komedie denigruese, por dhe disa aktore qe u perfshine ne ate…ndoshta pa u thelluar ne ate cfare po ndodhte. Sidoqofte shpresoj ajo cfare ndodhi te jete nje “mesim” i mire per te dytet, se te paret sic duket e kane marre rrugen e ….", tha ai. 

Ora 16:25
'E prisja nga PS', Alibeaj: Rama u tërhoq kur pa kandidatët tanë, nuk mund të joshte asnjë prej tyre

 

Alibeaj  gjatë prononcimit të tij për media tha Rama u tërhoq nga marrëveshja kur pa kandidatët e opozitës. Kjo pasi siç theksoi Alibeaj kryeministri kuptoi se nuk mund të joshte asnjë prej tyre.

"Kjo kandidaturë eventuale duhet të ketë vetëm firmat tona. Duhet të kujtomë që kjo tërheqje nga nënshkrimi është mospranimi i konsensulitetit të procesit. Ne e kemi ditur që në fillim që PS i ka 74 vota, por nuk ka legjititmitetin real. Votat e  Dom Doshit "non grata", nuk kanë legjitimit.  Ne u nisëm nga ideja për të krijuar një proces konsensual dhe për të dhënë një president të shqiptarëve dhe vetëm një proces e tillë do të mund ta garantoni.  Kërkova që edhe takimet të bëheshin me media, sepse doja që gjithçka të dihej nga publiku, që të kuptonin kush janë ta që zbatojnë kushtetutën. U tregua realiteti dhe qëndrimi i palës tjetër, nuk kisha fare dyshim.

Një nga shkaqet është që cilësia e kandidatëve tanë, mund të jemi anatemuar  me kandidatë të kapur peng. Nuk janë as peng. Edi Rama kur pa që njëra prej tyr mund të ishte presidenti i republikës dhe pa që s'kishte asnjë shans për ta joshur, për ta vjedhur.  Kemi firmën për dy, jo vetëm për një! Ky proces duhet bërë që produkti të ishte konsensual, siç e do edhe kushtetuta.", tha ai.

Ora 16:14
PS tha se PD duhet të propozojë me firmat e saj kandidatin për President, Alibeaj: Prishi konsensusin

 

Kryetari i Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, ka akuzuar Partinë Socialiste se ka prishur konsensusin e arritur mes palëve për Presidentin, duke iu referuar një deklaratë të Taulant Ballës që ka thënë se PD duhet ta propozojë kandidatin me firmat e saj.

“Veprimet, aktet tona janë bërë në sy të publikut. Ne e filluam këtë proces për të krijuar një proces për zgjedhjen e presidentit të shqiptareve, një figurë mbi palët, neutrale, proces gjithëpërfshirës. Ju tashmë jeni dëshmitarë që përmblidhte një sërë kriteresh dhe një procedurë që të ti jepte jetë konensualitetit mes palëve. Opozita do të ecte në një proces publik të identifikimit të përzgjedhjes së 4 kandidaturave. Ne kemi pasur dje një mbledhje që do të vazhdonte edhe sot. Nuk e di pse arsyeja ka qenë pikërisht cilësia e kandidatëve dhe sot ka pasur një tërheqjen nga ana e Partisë Socialiste, edhe nga kontaktet që kanë pasur. Ne do të identifikonim 4 kandidatura, PS do të zgjidhte 2 dhe më pas do të zgjidhej një kandidaturë konsensuale dhe akti i fundit do të ishte që ‘një komision i përbërë nga 6 anëtarë shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej tyre’. Dhe kandidatura më pas i nënshtrohet më pas votimit në seancë plenare. Pra, propozimin e përbashkët. Kjo do të ishte si shenjë e fortë energjike që nuk do të kishte lojëra apo shmangie. Por PS ka thënë tashmë që kandidatura duhet të ketë vetëm firmat e PD-së”

Ora 15:45
Do diskutonin 8 emrat për kandidatë për president, Alibeaj anulon mbledhjen në selinë e PD: PS u tërhoq nga marrëveshja

1652947084_ENKELEJDALIBEAJ.jpeg

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka anuluar mbledhjen e grupit që pritej të zhvillohej ditën e sotme. Ky vendim vjen pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes se presidentit, ku kërkon vetëm një emër nga opozita. Dje, 26 deputetët e pranishëm propozuan 8 emra, nga të cilët do të përzgjidheshin 4 për t’iu paraqitur më pas Socialistëve.

Ora 13:00
Zgjedhja e presidentit, PS: Opozita e propozon me firmat e saj kandidatin për President

Kur kanë mbetur 3 ditë deri në raundin e dytë të votimit të presidentit të ri, kreu i grupit Socialist Taulant Balla ka sqaruar se PS nuk do të firmosë asnjë kandidat propozues për president nga opozita në këtë raund si dhe në të tretin.

Në një emision, Balla u shpreh se propozimi për President duhet të vijë edhe me firma mbështetëse nga opozita, dhe nëse nuk zgjidhet në këto raunde, në raundin 4 do ta propozojë PS.

‘Dje kemi rënë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë, nuk do të propozojmë kandidatë, dhe i takon opozitës që të propozojë. Propozimi për president duhet të vijë me firma mbështetëse nga opozita. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde, në raundin e katërt do të propozojmë ne.’- tha Balla.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mane: 20/05/2022 18:37

    Kuptohet nga kuterbimi dhe era e rende e shpifur qe vjen nga ambienti parlamentar shqiptar se cfare produkti do gjeneroje. Pra nje m... po normal ama!

    Përgjigju
  • Taku: 20/05/2022 17:33

    Po cpune ka populli se kush zgjidhet president, perderisa nuk e zgjedh populli. Mjaft na mbytet me lajme per kete gje. Te bejne cte duan. Populli do te rriten rrogat dhe mirqenia. Keto duhet te jene lajmet kryesore perdite

    Përgjigju
  • almir: 20/05/2022 17:29

    kur sheh emrat e paraqitur nga keta (me ndonje perjashtim) jane ku te therret qameti....Shqiotaret e kane te pamundur te bien dakord per dicka ,se gjithe kohes japin ide sesi pala kundershtare mund tjua fuse ....tash e 32 vjet.....vazhdon....

    Përgjigju
  • demokrati i cartur: 20/05/2022 15:53

    Sapo Alibeaj vertetoi pritshmerite e publikut te intervistuar ne sondazhin e gazetes se eshte njesoj si Berisha. Kerkon t'i imponohet shumices me emrat e tij per te qare hallin,me pretendimin se PS eshte terhequr nga marreveshja,pasi nuk i pranon atij 8 apo me shume emrat qe kane propozuar deputetet e tij,ku sejcili ka dhene nga nje te njohur te tyre,sic shprehej dhe Gjekmarkaj.pa pike seioziteti dhe te pambeshtetur nga 20 firmat e detyruara per kandidaturat e tij! Rrace e keqe politikane.Stan me lepuj nuk behet!

    Përgjigju
    • Patrioti vertete: 20/05/2022 23:17

      Alibeaj nuk do president per te miren e vendit, ai do nje bllokues, si Nishani, apo Meta. Eshte e qarte se dy raundet ai do propozonte dhe nese PS do binte dakord, do e pranonte propozimin e tij. Ashtu sic e interpreton Alibeaj, nuk kishte nevoje per takime, raundi i trete une propozoj dhe ti je i detyruar te miratosh. Kjo nuk eshte negociate. Shume i zgjuar ky djale. Si shume po ja varin. Cfare te besh, keshtu e ka politika.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë