Zgjedhje 2013/ Korça, qarku që
kërkon të prishë paqen PS-PD

Zgjedhje 2013/ Korça, qarku që<br />kërkon të prishë paqen PS-PD
TIRANE - Qarku i Korçës, një qark që në 2009 ka nxjerrë 12 deputet, të ndarë këta 6 me PS dhe 6 me PD, duket se ka luftë të fortë mes PD dhe PS për të ndryshuar balancat. Partia Socialiste së bashku me LSI kërkojnë të marrin mandatin e 7 në këtë qark.

Qarku i Korçës përmbledh 6 bashki dhe 31 komuna me 344 fshatra. Sipas INSTAT (2013) popullsia e këtij qarku është 216,429 banorë, nga të cilët 84,002 banojnë në zonat urbane dhe 132,427 në zonat rurale. Korça zë peshën kryesore me më shumë se 56% të popullsisë, ndjekur nga rrethi i Pogradecit me 25%, Devolli me 12%,  dhe Kolonja me 7%. Nga bashkitë e qarkut, popullsia më e madhe natyrshëm është në Korça me 70 mijë, ndjekur nga Pogradeci me 29 mijë, Bilishti me 7.5 mijë, Maliqi me 6 mijë, Erseka me 5.5 mijë dhe në fund Leskoviku me 2.2 mijë zgjedhës. Ky qark përfaqësohet në parlamentin shqiptar me 12 deputetë. I konsideruar një nga zonat me traditën më të pasur kulturore dhe historike, qarku i Korçës vazhdimisht ka pasur përfaqësim në nivele të larta të politikës vendimmarrëse, sidomos në qeveritë shqiptare të çdo periudhe. 
 
KORÇË, TENDENCA MBETET BALANCIMI POLITIK

Qarku i Korçës konsiderohet një nga qarqet më të balancuara politike në përfaqësimin parlamentar në 22 vitet e fundit. Si rrallë ndonjë qark tjetër mesatarja e përfaqësimit politik është thuajse e njëjtë. Demokratët dominuan zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1996 duke mos lejuar asnjë mandat në mazhoritrar për socialistët. Fitorja ishte domethënëse pasi më 1991 në Korçë kishte humbur përballë një emri të panjohur numri dy i demokratëve të asaj periudhe, Eduart Selami. Më 1997 situata përmbyset në favor të socialistëve.

Më 2001 socialistët përsëri dominojnë, tashmë edhe për shkak të sistemit zgjedhor me dy raunde. Ishte koha kur PD pati shpallur në formë jozyrtare se kandidati i saj Bode në Devoll do të ishte kandidati i saj për kryeministër në rast fitoreje. Më 2005 demokratët arrijnë jo vetëm të balancojnë përfaqësimin, por edhe të sigurojnë mandat më shumë, falë edhe rolit të LSI-së. Më 2009 socialistët fituan më shumë vota, por mandatet ishin të njëjtë: 6 për demokratët dhe 6 për socialistët.

Një analizë e përfaqësimit politik edhe në qeverisjen vendore të dekadës së fundit, përsëri shohim tendencën e balancimit politik, ashtu si në zgjedhjet parlamentare. Tradicionalisht demokratët ndjehen më të fortë në disa komuna dhe socialistët në pjesën më të madhe të bashkive. Sipas të dhënave, PS ishte tërësisht dominuese më 2000, por më 2003 ajo humbi bashkinë kryesore, atë të Korçës. Më 2007 dy palët u ndanë me rezultate të barabarta falë klimës politike dhe investimeve të prekshme të qeverisë së PD-së në mandatin e saj të parë. Në zgjedhjet e fundit 2011 duket se demokratët janë më dominues në pushtetin vendor, por nëse i referohemi njësive bashkiake, socialistët vijojnë të jenë më dominues.

Mesatarja e deputete në Qarkun e Korçës nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në 2009
(Në foto mesatarja e deputete në Qarkun e Korçës nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në 2009)

PRURJET DHE DALJET POLITIKE NË 12 VITET E FUNDIT

Në zgjedhjet e vitit 2001 tipar kryesor ishte fitorja e mandateve të majta përmes raundit të dytë, madje në një rast (Olli – Mehmetllari) me kalim ekstrem nga diferenca prej 2.5 mijë vota e Ollit në fitoren e të dytit me 48 vota, ndërkohë që në numërim u cilësuan 1145 vota të pavlefshme. Në raundet e dyta fituan edhe Servet Pëllumbi, Sotir Kokeri dh Banush Gozhdari. Asnjë nga kandidatët e PD-së nuk fitoi mandat. Nga socialistët fitues të atyre zgjedhjeve tre prej tyre janë ende në politikë dhe deputetë të parazgjedhur edhe më 2013: Blushi, Majko dhe Xhafaj. Jashtë konkurrimit dhe politikës janë Pëllumbi, Faber, Lakrori, Kokeri dhe Gozhdari. Nga tetë kandidatët e PD më 2001 në politikë aktive 12 vjet më vonë është vetëm Ridvan Bode.

Më 2005 socialistët konkurruan pothuajse me të njëjtat figura, kurse demokratët sollën emra të rinj në garën parlamentare. Ky ndryshim, por edhe efekti LSI (dy kandidatë të majtë e humbën mandatin për shkak të votave të LSI, 1.2 mijë F.Kodra dhe 2.2 E.Bregu, ndërkohë që diferenca PD-PS ishte përkatësisht 1.1 dhe 1 mijë vota). Nuk pati rezultate të tjera surprizë por konfirmim të figurave politike: Blushi, Majko, Dalipi, Xhafa (i fundit me vetëm 134 vota diferencë), kurse nga kampi demokrat krahas Bodes, fituan mandate për herë të parë Rusmajli, Spaho, Jacelli, Hoxha. Ndër “humbësit” më të njohur janë Lakrori në komunat e Pogradecit dhe Gramoz Pashko në Kolonjë.

Në zgjedhjet e vitit 2009 PS rimandatoi si fitues Blushin, Dalipin dhe Majkon. Prurje të reja të saj ishin Olta Xhaçka, Arben Ahmetaj dhe Mimi Kodheli. Me përjashtim të Dalipit pesë deputetët e tjerë janë deputetë të emëruar në zona të sigurta edhe më 2013, madje kryesues të listave elektorale në Tiranë, Elbasan, Lezhë e Gjirokastër. Nga demokratët u rimandatuan fitues Bode dhe Spaho. Të tjerë prurje ishin Bardh Kadilli, Ismail Hoxha, Ledina Agolli dhe Gergji Papa. Më 2013 nuk është rikandiduar vetëm Hoxha ndërkohë që është lënë jashtë vendit fitues Agolli apo në kufirin e rrezikshëm Kadilli. Vendi vakant është plotësuar me dy prurjet e reja të demokratëve, Eleina Qirici (3) dhe kryetari i PR-së Fatmir Mehdiu (4).

Duke analizuar listat e reja elektorale shohim se socialistët kanë bërë ndërhyrje operacionale. Për herë të parë konkurrojnë aty (madje kryesojnë listën) dy figura historike të së majtës, ish kryeministri Fino dhe ish ministra e jashtme Dade. Kjo e fundit shkëmben vendin me deputetin Ahmetaj, ndërkohë që Xhaçka e ruan pozicionin e zgjedhjes, edhe për shkak se ajo tashmë përfaqëson drejtuesen kryesore të forumit të grave socialiste në rang kombëtar. Prurjet e reja të PS-së nga emrat vendorë janë kryetarët lokalë të PS Korçë e Pogradec Ilir Pendavinji dhe Ilir Xhakolli, si dhe mjeku Ylli Ziçishti. Një emër tjetër me shanse zgjedhjeve është Ardit Konomi, konkurrues për herë të parë, ndjekur nga Artur Porpollogu, koordinator i PS në pjesën e Greqisë Veriore.
 
NDARJA E MANDATEVE, PD-PS RUAJNË MONOPOLIN

Ligji aktual zgjedhor favorizon koalicionet e mëdha, por në formulën e ndarjes së mandatave privilegji e risku kanë të njëjtën përqindje. Referuar rezultateve të vitit 2009, qarku Korcë paraqet qartë distancën e madhe të partive kryesore ndaj partive të treta të asaj periudhe. Konkretisht, tabela bashkëngjitur paraqet votat e PS-PD për 1 mandat, sipas ndarjes së formulës për mandate parlamentare. Sic shihet nga tabela, dy palët kanë qenë në konkurrencë të ashpë dhe asnjë nga partitë e tjera politike më të vogla nuk i janë afruar shansit për një mandat parlamentar.

Edhe në rastin e LSI që rezultoi forcë e tretë politike në qarkun Korcë me 4.5 mijë vota, asaj do ti duheshin edhe rreth 4 mijë vota të tjera të fituar mandat e vetme, ose në kuadër të koalicionit të PS do ti duheshin edhe minimalisht 850-900 vota për të konkurruar me mandatin e gjashtë të socialistëve. Arsyetimi tek demokratët është më teorik: partia e dytë politike më 2009 ishte PR me 2.3 mijë vota, ndaj për të synuar mandatin e gjashtë të PD kjo parti do të duhej të fitonte rreth 2.9-3 mijë vota më shumë, pra më shumë se dyfishin e votave të fituara.
 
PËR CILËT DEPUTETË BËHEN ZGJEDHJET NË KORCË MË 23 QERSHOR?

Për shkak të sistemit zgjedhor janë zgjedhur tashmë 10 nga 12 deputetët e qarkut të Korçës. Ata janë Fino, Dade, Xhaçka, Pendavinji e Xhakolli te PS, si dhe Bode, Qirici, Spaho, Mehdiu e Papa të PD-së. Betëja elektorale në Korçë bëhet për dy deputetët e mbetur. Në garë për këto mandate janë disa emra: Ziçishti dhe Konomi të PS (numrat 6 dhe 7), Kadilli i PD (numri 6), si dhe kandidatët Cako (FRD) dhe Kapurani (LSI). Për socialistët është themelore përmbysja e rezultatit zgjedhor në Korçë dhe kalimi në raportet 7:5 në favor të tyre. Një ndryshim i tillë do të kishte pasoja direkte në klasifikimin kombëtar të mandateve parlamentare.

Për të siguruar një mandat më shumë parlamentar PS nuk ka nevojë vetëm për bashkimin mekanik të votave me LSI, por edhe për një fushatë aktive që sjell 3000-4000 vota më shumë sesa më 2009. Përpjekja e LSI për të ruajtur votat e vitit 2009 dhe për t’i thelluar ato në përpjekje për një mandat brenda të majtës e ndihmon përpjekjen e rritjes së votave për këtë koalicion. Drejtimi prej saj i komunave sidomos asaj Bucimas (12.4 mijë zgjedhës) përbën plus për të. Për demokratët interesi kryesor është ruajtja e të njëjtit përfaqësim si ai i vitit 2009. Ajo nuk pretendon mandat më shumë, por moshumbjen e mandateve aktuale të saj. Një faktor tjetër me ndikim mbetet FRD, parti e cila në çdo rast tërheq nga elektorati i djathtë dhe që në qarkun Korçë konkurron me një deputet me lidhje të forta tradicionale me të djathtën, botuesin Alfred Cako.

harta e qarkut korçë
(Në foto harta e Qarkut të Korçës djathtas lart harta e Shqipërisë)

DOMINIMI I INDIVIDËVE NË QEVERISJEN VENDORE

Tipar dallues për qeverisjen vendore në bashkitë e qarkut Korçë, ndryshe nga shumica e qarqeve të tjera,  është dominimi i të njëjtit person për më shumë se një dekadë. Në Pogradec Artan Shëmbi(PS) vijon mandatin e tretë, me diferencë që luhatet nga 2.6 mijë vota më 2003 në 1.6 mijë vota më 2011. Në Maliq Gezim Topçiu (PS) vijon mandatet pa ndërprerje, me diferencë të thellë 46% më 2003 dhe diferencë prej 170 votash më 2007 dhe 2011.

Në Bilisht Valter Miza (PD) ruan pothuajse të njëjtën diferencë votash (250-450) superiore në 2003, 2007 dhe 2011. Në Leskovik gazetari Fatmir Guda vijon gjithashtu pa ndërprerje mandatin e tretë, aktualisht me 335 vota diferencë ndaj kandidatit të majtë. Në Ersekë vetëm më 2011 u mbyll mandati shumëvjeçar i Adriatik Braçes (PS), gjithsesi duke vijuar me kandidaturën tjetër të PS, Ali Laho, fitues me 300 vota.

Në Korçë Niko Peleshi (PS) vijon mandatin e dytë duke fituar me 3.6 mijë më 2007 dhe 2.1 mijë më 2011 ndaj kandidatëve të PD-së Papa dhe Mano. Më 2003 Korca ishte nën drejtimin e demokratëve, ku kandidati i tyre Damo fitoi me 700 vota ndaj ish kryetarit të bashkisë Duro. Drejtimi disavjeçar i njësive të tilla bashkiake nga individë të njëjtë, dëshmojnë dominimin politik të bashkive, por edhe aftësinë e këtyre drejtuesve për të ruajtur kontrollin politik dhe mbështetjen publike.
 
TIPARE TË TJERA DALLUESE TË VOTIMIT NË KORÇË

Për të karakterizuar traditën e përfaqësimit politik në këtë qark, vlen të analizohen zgjedhjet e fundit parlamentare 2009. Në këto zgjedhje socialistët morën 1936 vota më shumë sesa demokratët, ndërkohë që në prurjet e aleatëve, demokratët përfituan rreth 1 mijë vota më shumë sesa socialistët. Parti e tretë në zgjedhje ishte LSI me 4.5 mijë vota, ndjekur nga PR me 2.3 dhe PBDNJ me 2.2 mijë vota. Fakti se LSI e PBDNJ janë tashmë pjesë e koalicionit të majtë, e bën diferencën midis të majtës dhe të djathtës numerikisht më të dukshme. Këto shifra dëshmojnë se qarku vijon të jetë i balancuar jo vetëm në përfaqësimin e partive të mëdha politike, por edhe në ato të treta dhe më të vogla politike dhe se kufiri ndarës midis raporteve 6:6 apo 7:5 është i brishtë.

Një traditë tjetër e votimit në Korçë, ashtu si edhe në Shkodër, është tendenca e partive politike për të ruajtur përfaqësim të barabartë të kandidatëve me përkatësi të ndryshme fetare. P.sh, nëse analizohen zgjedhjet lokale në Korçë, rezulton se pothuajse 100% të rasteve të gjithë kandidatët e PD-PS për bashkinë e qytetit kanë qenë të besimit ortodoks. Nëse analizohen përkatësitë fetare në listat parlamentare, kontrasti fetar nuk është kaq i theksuar sa në zgjedhjet lokale, kryesisht për shkak se vazhdimisht ka pasur emra të imponuar nga Tirana apo është preferuar të luhet më shumë me garë personalitetesh.

Qarku Korçë në organizimin administrativ paraqet kontraste të thella midis njësive vendore: p.sh, ekzistojnë pesë komuna me 530-710 zgjedhës, ndërkohë që katër komuna të tjera kanë mbi 10 mijë zgjedhës secila. Në shumicën e komunave të mëdha më 2013 drejton PD dhe aleatët e saj (Pojan 12.8 mijë zgjedhës, Bucimas 12.4 mijë, Bulgarec me 10.4 mijë, Drenovë me 8.1 mijë dhe PS vetëm në Libonik me 10.3 mijë zgjedhës). Këto kontraste kanë ndijkim edhe në procesin zgjedhor, për shkak se shpeshherë zgjedhjet janë shoqëruar me akuza apo dyshime lidhur me pjesëmarrjen reale në zgjedhje apo ndryshimet në listat zgjedhore faktike me votuesit e emigruar prej vitesh.

Në zgjedhjet e vitit 2009 morën pjesë 137 mijë votues ose 51% e numrit total të zgjedhësve. Gjithsesi edhe këtu ndeshet fenomeni i njëjtë i zonave periferike: qytetet kanë pjesëmarrje të ulët në zgjedhje, komunat dhe fshatrat kanë pjesëmarrje shumë më të lartë. Së fundi, në zgjedhjet e vitit 2011 nga bashkitë e qarkut, pjesëmarrja më e lartë luhatej nga 63-64% në Bilisht në 45-47% në Korçë e Pogradec, këto të fundit dy njësitë kryesore zgjedhore të qarkut.
I lidhur me këtë argument është edhe raporti i veçantë që Korça zë me komunitetin e emigracionit shqiptar në Greqi. Në çdo zgjedhje palët lobojnë që emigrantët të vijnë të votojnë të organizuar, dhe çdo prurje konsiderohet votë e sigurt. E njëjta gjë ndodhu edhe këtë vit, madje PS, për të theksuar rëndësinë e këtij aksioni elektoral, përfshiu në listën e deputetëve konkurrues edhe nga drejtuesit kryesorë të degës së kësaj partie në Greqi.
 
FAKTORË PRO QEVERISË
● Faktori kryesor ku demokratët e mbështesin shpresën e ruajtjes së mandatit të gjashtë lidhet me investimet e shumta financiare dhe politike që ka kryer në këto vite ministri i financave, Ridvan Bode, si dhe me paralelisht, me rezultatin pozitiv që demokratët morën (atë kohë bashkë me LSI) në komuna në zgjedhjet e fundit lokale. Duke pasur fshatin nën kontrollin e tyre dhe duke përfituar nga strategjia e ndërtimit të veprave publike me kosto minimale, por me efekt elektoral më të lartë sesa në zonat urbane, qeveria synon të balancojë votat kundër të Korçës dhe të Pogradecit.

● Një faktor tjetër me ndikim më të pakët lidhet dobësia e strukturë së kandidatëve të zgjedhur nga PS. Vendosja në krye të listës e kandidatëve pa njohje të gjerë në çështjet dhe problematikën lokale të qarkut të Korçës, u krijon atyre riskun të përballen me vështirësi në paraqitjen e projekteve të tyre politike dhe në konkurrimin e ashpër ndaj kandidatëve rivalë, shumica produkt zonal. Kjo dobësi u konstatua edhe në debatin publik midis dy palëve në një nga televizionet kombëtare ditë më parë. E lidhur me të mund të jetë vendimi i PS për të larguar nga lista Dalipin, emrin e votuar dhe me lidhje të forta në zonën e Kolonjës

● Faktori i tretë mbështetës ndaj mazhorancës është një lloj kulture votimi e reagimi në tërësi i komunitetit të këtij qarku, kryesisht refuzimi i kalimeve drastike apo lëvizjeve radikale, si dhe kujdesi i tyre i madh për pragmatizëm dhe balancim politik, siç ka ndodhur shpesh në shumicën e rasteve të rotacioneve kombëtare e vendore. Kur flitet për rotacion kombëtar votimi kërkohet mobilizim i madh, i shumëfishtë dhe agresiv, gjë që rrallë herë ndodh në traditën politike të këtij qarku.

● Një faktor tipik për zonat votuese për të majtën lidhet me tendencën e qeverisë për të lënë jashtë hartës së investimeve publike njësi të qeverisura nga të majtët, si dhe dyfishimi i vëmendjes për njësitë e tjera të qeverisura prej saj. Me synimin për krijimin e një kontrasti zhvillimi, ajo tenton tu përcjellë mesazhin qytetarëve se votuesit pro janë gjithnjë më të privilegjuar sesa ata kundër. Edhe inaugurimi i Tunelit të Elbasanit mund të ketë efekt pozitiv për demokratët në qarkun e Korcës, si përfitues indirekt pavarësisht largësisë gjeografike.

● Një faktor plus mund të jetë zhvillimi negativ i përdorimit të mjeteve të njohura të presionit ose sigurimit të votave (blerje të tyre) sidomos në një grup të veçantë të popullsisë, e njohur edhe më parë për fenomene të tilla. Edhe pse në asnjë rast shkalla e ndikimit të këtij faktori negativ nuk krahasohet me raste shumë më flagrante dhe kolektive në disa qarqe të tjera, në rastin e Korçës përbën problem, sepse synimet maksimale të palëve praktikisht mund të përcaktohen edhe përmes 1 deir 2 mijë votave.
 
FAKTORË PRO OPOZITËS

● Faktori kryesor është ai politik. Të majtët në Korçë kanë kohë që ndjenjë nevojën për përfaqësim në nivel kombëtar, ashtu si edhe pjesa e mesme e votuese, për të cilët, zoti Bode më shumë sesa përfaqësues i Korçës konsiderohet përfaqësues i periferisë së saj, zonës së Devollit. Mesazhi politik për ndryshimin e qeverisjes është mbështetur në Korçë përmes aktiviteteve të shumta të ndërmarra nga PS dhe aleatët e saj, gjë që ruan kompaktivitetin dhe ndihmon në administrimin më të mirë të votës për ndryshim.

● Nëse demokratët krenohen në shumë zona për rrugë dhe investime infrastrukture, në qarkun e Korçës, sidomos në lidhjet e saj me arteriet kombëtare apo zona turistike si Voskopoja, argumenti rrugor është kundër-produktiv. Për banorët e Korçës dhe Pogradecit është e pakuptueshme sesi nuk ka fonde prej vitesh për rrugën nacionale, ndërkohë që në zonat militante të qyteteve të tjera, ndërtohen rrugë edhe pa pasur qarkullim automjetesh. E njëjta gjë vlen edhe Unazën e Pogradecit, një rast tipik, ku dy palët akuzojnë njëra tjetrën, por asgjë nuk është bërë.

● Një investim direkt pro opozitës është investimi nominal i kryetarëve të bashkive kryesore, Korçë e Pogradec, në fushatën elektorale. Ata janë atashuar në nivelet e larta drejtuese të PS dhe strukturës së saj të qeverisjes vendore, kanë mbështetje maksimale nga qendra dhe konsiderohen raste të suksesshme administrimi vendor. Forca e tyre elektorale dhe administrative vjen në kontrast p.sh me efektivitetin e prefekturës apo këshillit të qarkut të kontrolluara përgjatë disa viteve nga PD, por edhe me strukturat drejtuese të PD. Vetë fakti se socialistët futën në listë në vende të sigurta kryetarët e dy degëve lokale, kurse demokratët vijuan të operojnë me kandidatë dytësor të ardhur nga Tirana, e bën aksionin e opozitës më aktiv dhe me pritshmëri më të lartë.

● Argumenti tjetër lidhet me faktin se, në dallim nga ndërprerja e karrierës politike tek politikanët demokratë të lidhur me Korçën, sic ishte rasti Rusmajli etj, tek PS këto politikanë, si p.sh, Majko, Blushi, Kodheli, etj, kanë arritur të zënë vend në elitën politike të kësaj partie, pra janë kandidatë potencialë për poste të rëndësishme politike, parlamentare dhe ekzekutive në rast të rotacionit politik. Ata kanë mbështetës në qarkun e tyre dhe natyrisht e përdorin këtë influencë për të siguruar maksimalizim të votës. Fakti që PD nuk arriti të bëjë ndryshime drastike në listë, nuk tërhoqi asnjë kandidat – risi, nuk suprimoi dhe madje ia dhuroi një mandat në kryetari të një partie të vogël pa ndonjë popullaritet të dukshëm në Korçë, shkon në favor të fushatës së PS dhe përpjekjeve të saj për mandatin e shtatë.

● Një ndikim tjetër në perceptimin publik, sidomos për Pogradecin, lidhet me qenien tradicionale të kryetarëve demokratë nga zonat e komunave dhe jo nga qyteti, kur partitë e tjera, përfshirë FRD e dalë nga e djathta, kanë zgjedhur si drejtues dhe kandidatë përfaqësues nga qyteti. Pjesë e kësaj zgjedhjeje janë edhe figura lokale me njohje politike, kryesisht ish drejtues të LZHK apo partive nacionaliste.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë