E thënë kjo për një sistem mazhoritar me zona elektorale nuk përbën ndonjë shqetësim të madh, por e thënë për një vend që aplikon sistemin proporcional lokal parashikimi i OSBE mbetet serioz dhe një sinjal alarmi për integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. Për më tepër, kur ky alarm vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian po planifikon dhënien e statutit të Shqipërisë me kusht, duke e lidhur atë me cilësinë e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Rëndësia e zgjedhjeve të vitit 2013 janë të shumëfishta: në rrafshin politik pritet të përcaktohet nëse në Shqipëri do të ketë rotacion politik ose vijueshmëri të një qeverisje numrash e pazaresh, pa mbështetje morale publike.
Në rrafshin qeverisës një shumicë e dukshme qytetare prêt e kërkon ndryshim të frymës, stilit dhe performancës qeverisëse, duke e arritur këtë përmes rotacionit politik ose formave të tjera të njohura në politikë.
Në rrafshin diplomatik ato përcaktojnë raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe vende mike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në rrafshin partiak ato janë para sfidës për të vijuar me sistem tradicional partiak ose me një sistem të ri partiak, ku asnjëra palë nuk qeveris e vetme dhe ku një aktor i tretë politik mund të përcaktojë formatimin e vlerave dhe parimeve mbi të cilat do të ngrihet qeverisjes së ardhshme. LSI e humbi këtë shans më 2009 kur në vend të modelit të ri parimor e programor qeverisës preferoi humbjen e identitetit politik dhe kompensimin me pushtet e poste publike mbi bazën e 20%-it.
Në rrafshin personal këto zgjedhje janë përcaktuese për karrierën politike të disa liderëve politikë: nëse Berisha ikën nuk ka më shanse rikthimi, nëse Rama humbet nuk ka më justifikim humbjeje. Këtu duhet kërkuar edhe arsyeja që Berisha e Rama kanë nisur që tani të flasin për fitore, madje ta bëjnë këtë edhe aty ku duken qesharakë dhe pakuptim, siç ishte deklarimi i fundit I kryeministrit në Romë apo i rivalit të tij në Kroaci.
Zgjedhjet bëhen në Shqipëri, janë për shqiptarët, bëhen më 2013 dhe siç kanë treguar zgjedhjet e mëparshme, gjithçka mund të vendoset në tre muajt e fundit të fushatës elektorale. Në këtë labirinth interesash është e qartë se PD e PS ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës në mbështetje, në mentalitet, në sjellje, në marrëdhëniet me publikun, në vizionin qeverisës dhe në pritshmërinë mbi qershorin 2013.
Berisha, Rama, Meta, janë tashmë të konsumuar në retorika elektorale dhe përveç sulmeve respektive, propagandës apo sloganeve mbi integrimin, rilindjen apo mrekullinë e premtuar , nuk kanë shumë për të thënë as në fushatë. Ato janë të ndërgjegjshme se nuk mund ta zgjerojnë më bazën e tyre, thjesht janë të interesuara ta ruajnë mbështetjen aktuale dhe të kërkojnë zgjidhje sa më optimal midis skemave të tjera taktike, si p.sh, skenarëve të ndryshëm për ndërhyrje në numërimin e votave në zona specifike (OSBE e paralajmëroi), përdorin e shtetit në fushatë (SHBA e paralajmëroi), zgjerimin e koalicionit me aleatë potencialë apo fiktivë (e bëjnë dy palët), si dhe forma të tjera ballkanike, (media e kontrolluar, shantazhet, mekanizmi i frikës apo blerjes së votave, etj).
Ajo që dy palët nuk dinë dhe nuk mund ta dinë është roli i partive të reja politike, sidomos FRD dhe AKZ. Në favor të rolit përcaktues flasin disa faktorë: zhvillimet e njëjta në vendet e rajonit, numri i madh I qytetarëve mosbesues apo të zhgënjyer nga politika tradicionale, rënia e dukshme e pjesëmarrjes në votime, si dhe një brez i ri i përjashtuar nga sistemi dypartiak, me kërkesa e pretendime për një rol më aktiv në politikë e vendimmarrje.
Në favor të tyre janë edhe elita intelektuale që kërkon ndryshim, grupet tipike të interesit të papërfaqësuara (pronarë, ish të përndjekurit politikë, emigracioni, grupet nacionaliste, etj), si dhe komuniteti ndërkombëtar që kërkon partner të rinj qeverisës.
Në disfavor mbeten ligji elektoral, konsensusi PD-PS kundër të tretëve, metodat tradicionale të frikësimit si dhe mentaliteti rural mbështetës pa kushte për çdo pushtet.
AKZ ka një objektiv dhe program të kufizuar, pasi mbështetet në tonet nacionaliste, të mbështetura kryesisht nga të rinjtë, por ende të papërfaqësuara politikisht. Ajo nuk pranon të identifikohet me të majtën as të djathtën, zgjidhje oportune për momentin, por me shumë të panjohura për të ardhmen. Sfida e saj lidhet me zgjedhjen e koalicionit ku do të bëjë pjesë, administrimi i votave si dhe sidomos pas zgjedhjeve, kur do të ndeshet mes premtimeve dhe detyrimit për të hequr dorë prej shumicës së tyre.
FRD ka një situatë tjetër. Ajo drejtohet nga një President, politikan karriere me mbështetje popullore dhe ka brenda saj prurjet më liberale të politikës konservatore shqiptare. Aty gjenden breza politikë të dhjetorit 90, studentë të rinj, ish të përndjekur dhe pronarë, biznesmenë dhe grupe të njohura autoktone, mbështetës tradicionalë të PD por të zhgënjyer prej saj, si dhe njerëz që, për shkak të mosbesimit, kanë vite që nuk marrin pjesë në zgjedhje.
Çdo parti ka program politik dhe midis tyre gjenden dallime, por në publik dhe në zgjedhje dallimet lexohen përmes detajeve të vogla, të cilat përbëjnë tipar dallues për çdo forcë politike. P.sh, nëse PD beson se ia vlen çdo kompromis vetëm për të fituar zgjedhjet dhe vetëm për të qëndruar në pushtet, apo nëse për PS ia vlen çdo kompromis vetëm për të rrëzuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet, për FRD situata nuk është e njëjtë dhe objektivi gjithashtu dallon dukshëm.
FRD kërkon diçka më shumë sesa zgjedhjet formale, humbjet dhe fitoret e radhës, - kërkon ndryshimin e stilit dhe modelit qeverisës, një politikë të re dhe sistem partiak të ri, një marrëdhënie të re midis qytetarëve dhe pushtetit, midis vetë pushtetit e shtetit. Konkretisht, FRD ka arsye të jetë e vendosur për ti dhënë fund tiranisë së 71 votave, pra zgjedhjes nga një palë të gjitha institucioneve kryesore kushtetuese, politike e shtetërore, siç ka ndodhur më parë me PS dhe në vitet e fundit edhe me PD. Kalimi nga vota dhe nevoja për pazare që sigurojnë 71 vota në një vendimmarrje që vjen si produkt dialogu, bashkëpunimi, reflektimi dhe përgjegjësie qytetare, sjell detyrimisht rikrijim të sistemit politik në vend. Së dyti, FRD tenton të synojë një politikë të re në aspektin qytetar. Për të Shqipëria vijon prej 70 vitesh nën regjime autoritariste dhe eksperimente të dështuara me liderë të papërgjegjshëm politik. Duke evokuar vitet 20-30 kur politika bazohej në norma e sjellje qytetare, në aftësi profesionale dhe ndjesi të lartë përgjegjësie, FRD ka arsye të besojë se kjo mund të ndodhë edhe në Shqipërinë e vitit 2013, se kjo është zgjidhja që duhet dhe një paradhomë për suksesin e mëtejshëm të reformave demokratike.
Nëse politika nuk rrezaton qytetari, besim, shpresë, kurajë e përgjegjësi atëherë ajo nuk është politikë por garë e rëndomtë pushteti. Sfida e tretë mbetet nevoja për politikë të moralshme dhe me parime, dmth, nevoja për politikë që bazohet në identitete, programe, alternativa të shkruara dhe jo në përqindje postesh në pushtet apo tenderë financiarë.
Modeli LSI, PR, PAD, PDIU, PSD, PBDNJ, PLL, PBK, PDK, etj, nuk funksionoi, nuk ngroh dhe nuk pati sukses vetëm sepse vendosi interesat afatshkurtër politiko-ekonomike mbi interesat parimore afatgjata të bazuara në parime, programe dhe identitete politike. FRD ka shansin të nxjerrë mësime nga kjo përvojë dhe të ofrojë një model të ndryshëm politik para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Në çdo rrethanë dhe skenar është e qartë se fati i zgjedhjeve nuk do të vendoset më nga dy partitë e vjetra (diferenca mes tyre është 1-2%) por nga aktorë dhe faktorë të tjerë politikë. Qoftë edhe për këtë arsye zgjedhjet e vitit 2013, me gjithë rrezikun potencial për konflikt, probleme apo rivalitet të ashpër, kanë gjithashtu shansin të shndërrohen në zgjidhje politike në funksion të qytetarëve, sistemit politik dhe qeverisës.
Mjafton të ketë votime e numërim të rregullt votash dhe me siguri, siç ambasadori Arvizu kërkoi, qytetarët do të arrijnë të bëjnë diferencën dhe të ndëshkojnë me votë politikat e gabuara dhe përgjegjësit për dështimet.