Zgjedhjet, denoncimi i PS: Më
shumë zgjedhës sesa fletë votimi

Zgjedhjet, denoncimi i PS: Më<br />shumë zgjedhës sesa fletë votimi
Nga Luis Tanushi
Zbulohet një pasaktësi e çuditshme me numrin e fletëve të votimit. Edhe pse na ndajnë 20 dita nga data e zgjedhjeve dhe kompania sllovene Cetis ka filluar me prodhimin e fletëve të votimit, konstatohet një problem serioz lidhur me numrin e fletëve që do të prodhohen. Partia Socialiste ka depozituar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ku shpreh shqetësimin për mospërputhje të numrit të zgjedhësve në qendra te caktuara votimi me numrin e fletëve të prodhimit të cilat janë porositur për t’u prodhuar.

Mungesat Janë rreth 2 mijë fletë votimi më pak të parashikuara nga KQZ-ja për ditën e zgjedhjeve. Ekspertët e Partisë Socialiste pretendojnë se nga verifikimi i bërë prej tyre, në 89 KZAZ-të (komisionet zonale), duke krahasuar tabelën e miratuar nga KQZ me listën e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ, rezultojnë disa probleme, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e Komisionit.

Në kërkesën e firmosur nga përfaqësuesi ligjor i socialistëve, Genc Gjonçaj, në 46 ZAZ ekzistojnë diferenca ndërmjet numrit të zgjedhësve për të cilat KQZ ka porositur sasinë e fletëve të votimit për çdo QV (qendër votimi) me numrin e zgjedhësve në listat e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ. “Qendra e votimit nr. 4473 te ZAZ 85, Bashkia Vlorë, mungon te lista e vendimit të KQZ-së (mbi 500 zgjedhës në 2011). Mendojmë që duhet të porositen fletët e votimit në shtypshkronjë, pasi të marrë vendim KQZ”, thuhet në kërkesën e protokolluar dje.

Ekspertët e majtë deklarojnë se në 5 qendra votimit me nr.4456, 4458 dhe 4459 ( bashkë me "fraksionet") në bazë Vendimit të Kolegjit Zgjedhor për caktimin e ZAZ-ve, janë të ZAZ 83, por në Vendimin e KQZ gabimisht janë vendosur te ZAZ 84. Edhe më shqetësuese bëhet situate kur në rreth 500 qendra votimi ka mospërputhje të numrit të zgjedhësve dhe të fletëve të votimit të porositura.

“Në 493 qendra votimit të materialit të KQZ kanë diferenca nga -100 deri + 63 zgjedhës me listat që disponojnë KZAZ-të; nga të cilat 18 QV nga -10 deri -100 dhe 10 QV nga 10 deri 63 zgjedhës”, thuhet në kërkesën e Partisë Socialiste, e cila pritet që të shqyrtohet nga administrata e KQZ-së, për të porositur fletë votimi shtesë. Nga tabelat e siguruara nga gazeta “Shekulli”,, rezulton se në Komunën Kastrat mungojnë 100 fletë votimi.

Po në qarkun e Shkodrës, në Koplik në një qendër mungojnë 46 fletë votimi, ndërsa në dy qendra të tjera votimi janë porositur 35 dhe 11 fletë votimit më shumë se sa zgjedhës kanë këto qendra. Gabimet më të mëdha janë në qarqet e veriut, gjithsesi nuk mungojnë problemet as në jug të vendit. Në një qendër votimi të Komunës Vlorë Qendër planifikohen 24 fletë më pak, ndërsa në një tjetër qendër të kësaj komune janë shtuar 24 fletë.

Në maj, rezultoi se lista kombëtare e votuesve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të ketë mbi 3.2 milionë emra. Këta zgjedhës mund të ushtrojnë të drejtën e tyre me ligj në 5 508 qendra votimi në të gjithë territorin e vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar numrin e fletëve të votimit që do të prodhohen gjithsej dhe që do të jenë 3 337 388 fletë (gjithsej janë 3 271 885 zgjedhës). Kodit Zgjedhor parashikon që numri i fletëve të votimit të jetë 2% më shumë se numri i votuesve, duke parashikuar problemet e papritura që mund të lindin.

Debati Përfaqësuesi ligjor i socialistëve Genc Gjonçaj, tha se pas verifikimeve në 493 qendra votimi, listat mbi të cilat u porositën fletët, ndryshojnë me 63 deri në 100 zgjedhës për qendër". "Do të bëjmë verifikimet e duhura lidhur me informacionin që ju keni sjell dhe atë që kemi dhe nëse ky informacion do të rezultojë që do të ketë ndryshime do t’i reflektojmë ato në vendimmarrjen tonë", u përgjigj Lefterije Lleshi, kryetare e KQZ-së.

(Marre nga Shekulli online)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare