Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me një vit e dy muaj burg Marin Lekën, një 39-vjeçar nga Lushnja për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Vitin e kaluar vetëm një muaj nga zgjedhjet e 11 majit 39-vjeçari u arrestua në Lushnjë pasi i kishte premtuar se do t’i jepte një qytetari 50 mijë lekë të rinj në total (ose 500 euro), nëse ai dhe familja e tij do t'ia jepnin votën Partisë Demokratike.
Denoncimi për këtë rast u bë nga qytetari Muharrem Toska, i cili tha para policisë se i dha kartën e identitetit por më pas u pendua dhe e kallëzoi në Komisariat.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 75, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Marim Leka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 27, datë 01.04.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Marim Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit e 9 (nëntë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e këtij dënimi me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Marim Leka me 1 (një) vit e 2 (dy) muaj burgim, vuajtja e dënimit nis nga dita e arrestimit apo ndalimit të tij.
3. Provat materiale të bashkuara me fashikullin e gjykatës, një cd me mbishkrimin “Nr.Marim Leka-M.T”, me përmbajtjen e të dhënave të bisedave ambjentale të zhvilluara midis të pandehurit Marim Leka dhe shtetasit M.T të asgjesohen pasi vendimi të marrë formë të prerë.
4. Shpenzimet hetimore dhe gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
5. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
__________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











