TIRANE- Me një lëvizje të papritur, atëherë kur ekipi i drejtueseve politikë e kishte prej muajsh në terren, kryesocialisti Rama bëri disa ndryshime të minutës së fundit me Qarkun e Tiranës që i shton përforcimet.
Në mbledhjen e kryesisë që u mbajt në selinë rozë për më shumë se 1 orë e gjysmë, Pandeli Majkon e njoftoi se nuk do të jetë më drejtues politik i qarkut të Kukësit, aty ku deputeti socialist e kishte nisur tashmë punën, por për zgjedhjet e 11 majit do të punojë në kryeqytet.
Burime për Report tv, bëjnë me dije se vendin e Majkos në Kukës do ta zërë Eduard Shalsi, të cilit Rama deri në këto momente nuk i kishte besuar drejtimin e asnjë zone. Arsyet e kësaj lëvizje mbeten ende të paqarta, ndërsa ‘senatori’ socialist kishte gati 2 vite si drejtuesi i PS në qarkun verior, ku zgjedhjet e kaluara fitoi 2 bashkitë më të mëdha nga 3 gjithsej.
Veç Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut, Tiranës tashmë i janë shtuar 2 përforcime, Blendi Gonxhja që u zhvendos nga drejtimi i Dibrës në njësinë 6, në zonën e kombinatit, dhe së fundmi edhe Pandeli Majko.
Këta 5 eksponentë të PS, që siç duket do të ndajnë peshën më të madhe politike për qarkun e Tiranës, nuk janë të vetmit. Në terren, në krah të Manastirliut është angazhuar edhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, konkretisht në njësinë 11, ndërsa në njësinë 5 një tjetër ministre, ajo e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj.
Porositë e kryeministrit edhe në këtë mbledhje iu drejtuan grupit të diasporës që kryesohet nga Taulant Balla. Rama kërkoi rritje të angazhimit dhe ngritjen e disa pikë takimeve në funksion të zgjedhheve të ardhshme në mënyrë që shqiptarët me banim jashtë vendit ta kenë me të lehtë aksesin me partinë.
Vëmendjen e shtuar që Rama kërkon ndaj emigrantëve do ta kërkojë edhe vet në terren, në pritje që së shpejti të rinisë sërish turin e diasporës, duke vijuar atë që nisi në 2024-ën. Kryeministri Rama pritet t’i rikthehet sërish takimeve me shqiptarët e Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë aty ku numri i emigrantëve është më i madh.
I fundit që u largua nga mbledhja në Selinë rozë ishte vetë kryesocialisti, në shoqërinë e kryeparlamentares Spiropali.
Burime për gazetaren Raziela Myslimaj bëjnë me dije se Eduard Shalsi do të shkojë drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit.
Ndërsa drejtuesi aktual i këtij qarku, Pandel Majko do të vijë në Tiranë, e do ti caktohet një zonë elektorale, ashtu si në rastin e Blendi Gonxhjas që iu caktua zona e Kombinatit.
Ky vendim erdhi pas mbledhjes se Kryesisë së PS dhe drejtuesve politikë të qarqeve.
VETEM PS NUK ESHTE ME ESHTE KTHYER NE PF
Përgjigju