Ndryshe nga sa pritej, fushatën elektorale të Partisë Demokratike në qarqe do ta drejtojnë ish ministrat si Genc Ruli, Genc Pollo, Ridvan Bode, Aldo Bumçi, Flamur Noka, Eduard Halimi, Arben Imami etj.
Ajo që bie në sy është lënia jashtë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit. Për të dy këto figura të rëndësishme në PD, ky mund të jetë edhe një "përjashtim i butë" nga radhët e demokratëve, ndonëse është ende shpejt për të bërë llogaritë e listave të kandidatëve.
Në një takim të zhvilluar dy ditë më parë me strukturat drejtuese në PD, Basha ka diskutuar për grupet e punës të PD në çdo qark, dhe fillimin e menjëhershëm të veprimeve organizative në degë.
Do të jetë mbledhja e kryesisë nesër që do të vendosë përfundimisht për emrat e PD të cilët do të kryesojnë fushatat në bazë qarqesh.
Megjithatë, sipas burimeve pranë PD, në qarkun e Tiranë, grupi i punës do të drejtohet nga kryetari i grupit parlamentar dhe njëherazi nënkryetar i PD, Edi Paloka.
Në Korçë shkon Genc Ruli, i cili pas rezultatit të dobët në dy zgjedhje radhazi largohet përfundimisht nga Gjirokastra, për t'i lënë terren Tritan Shehut.
Edhe Genc Pollo largohet nga drejtimi i fushatës elektorale në Berat, duke kaluar në Fier.
Në Berat shkon ish ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili në 2013-ën ishte në Korçë dhe në 2015-ën në Elbasan.
Ndryshime ka edhe në qarkun e Durrësit ku largohen Edmond Spaho dhe Eduard Halimi për t'i lënë vend Arben Imamit. Ish ministri i Mbrojtjes në dy zgjedhjet e fundit, 2013-ë dhe 2015-ë, ka udhëhequr fushatat e PD përkatësisht në Elbasan dhe Shkodër.
Në qarkun e Elbasanit shkon Edmond Spaho.
Aldo Bumçi është larguar nga Qarku i Lezhës për t'i lënë vend ish deputetit Jemin Gjana.
Një surprizë më vete është kalimi i Flamur Nokës nga Kukësi në Vlorë, ndërsa largon prej aty Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani.
Ky i fundit delegohet në Shkodër, duke larguar prej andej një emër të rëndësishëm të PD, Jozefina Topallin.
Gent Strazimiri, deputet i qarkut të Durrës, merr kryesimin e Grupit të Punës në Qarkun e Dibrës nga ku largohet Sherefedin Shehu.
Surprizë mund të cilësohet kalimi i Arben Ristanit në krye të Grupit të Punës në qarkun e Shkodrës dhe Gent Strazimirit në atë të Dibrës.
Në pamje të parë ndarja e grupeve të punës dhe emërimi i drejtuesve të tyre duket si një lloj rehabilitimi që kryetari Basha iu ka bërë ish ministrave të qeverisë "Berisha", pas lënies në hije 3 vitet e fundit.
Por nga ana tjetër, bie në sy lënia jashtë e ish kryetares së Kuvendit dhe ish numrit dy në PD prej 15 vitesh, Jozefina Topalli.
Aktualisht deputete e thjeshtë e PD, Topallit nuk i është besuar asnjë zonë zgjedhore.
E njëjta gjë vlen edhe për një tjetër ish nënkryetar të PD, Astrit Patozin. Në zgjedhjet vendore të një viti më parë, Patozi kryesoi shtabin elektoral për Bashkinë e Vorës.
Për zgjedhjet parlamentar, ai nuk është në preferencën e kryetarit Basha për të komanduar zgjedhjet në një qark të caktuar.
Ndonëse pritej me jo pak interes ngritja e grupeve të punës dhe emrat apo figurat e PD-së që do t'i drejtonin ato, kryetari Basha ka surprizuar jo pak duke bërë prapakthehu dhe duke mos i besuar kryesimin e zgjedhjeve emrave të rinj në PD.
Kësisoj, edhe fushata e parlamentareve të 2017-ës, në PD do të kryesohet nga "Garda e Vjetër", pavarësisht rezultateve zhgënjyese të tyre në dy zgjedhjet e fundit.
Drejtuesit e grupeve të punës në 12 qarqe
Edi Paloka- Tiranë
Arben Imami – Durrës
Arben Ristani – Shkodër
Sherefedin Shehu – Kukës
Jemin Gjana – Lezhë
Tritan Shehu – Gjirokastër
Genc Pollo – Fier
Edmond Spaho – Elbasan
Genc Ruli – Korçë
Flamur Noka – Vlorë
Gent Strazimiri – Dibër
Ridvan Bode – Berat
Redaksia Online
Shqiptarja.com