Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se, procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar, për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë.
Procesi merr 60 ditë, teksa Qeveria ka garantuar buxhet të plotë, duke llogaritur 100 mijë votues emigrantë, por është shprehur e gatshme ta mbulojë postën e dërgim-kthimit edhe nëse do të jenë më shumë votues në Diasporë.
Ai shtoi se janë një milionë e ca votues jashtë Shqipërisë dhe ka shumë pa dokumente të vlefshme, ndaj duhet bërë përjashtim për ta, që të shtyhet afati i dokumenteve të pavlefshme me rastin e zgjedhjeve. Celibashi u shpreh pro shtyrjes së afatit për dokumentet e emigrantëve, por jo për ata në Shqipëri.
“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.
Pyetja kryesore e ligjvënësve të Nënkomisionit ishte nëse KQZ e garantonte këtë proces dhe afatet që kërkoheshin për realizimin e tij apo nëse mund të finalizohej para datës 11 Maj, kur edhe votohet.
Deputetët kërkuan sqarime dhe detaje nëse afati është i mjaftueshëm, që nga hartimi i dokumenteve, si pasaportat biometrike, regjistrimi, dërgimi i postës dhe kthimi i përgjigjes.
Deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, shprehu pasiguri dhe dyshime, duke kërkuar garanci nga Celibashi nëse ky proces realizohet pa u cenuar dhe brenda afateve.
“Po ekspozoj shqetësime reale që publiku dhe opozita ka, që garanton mbarëvajtjen e procesit, sepse cenimi i tij do ketë dëm të jashtëzakonshëm, ndaj a ka garanci ky proces”, tha Çollaku.
Fjala e plotë e Ilirjan Celibashit për të gjitha pyetjet e bëra:
“Po, do jetë gati më 11 janar. Nga pikëpamja teknike platforma do jetë gati më 11 janar, 100 për qind e sigurt. Nuk kemi bërë teste, do bëhen dhe besoj brenda vitit do realizohen. Do bëhen në prani të organizatave të huaja, shoqërisë civile, palëve politike. Siguria e këtij procesi është 100%.
Nuk shoh asnjë rrezik, koha që ka marrë lidhet me diskutime të karakterit profesional dhe teknik dhe nuk besoj se do kemi probleme. këto akte apo drafte i janë nënshtruar një konsultimi të gjerë dhe nuk kemi konsiderata të ndryshme të partive nga njëra-tjetra. Nuk kemi çështje të një pale që nuk gëzon dakordësinë e palës tjetër. Me siguri do të kalojë dhe ky akt i fundit.
E kemi zhvilluar programin e informimit dhe edukimit për këtë proces, edhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtar, ekspertë të OSBE, do kemi edhe pranë KQZ. Natyrisht është sfidë, jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe besoj se do ia dalim.
Referuar pyetjes së deputetit Çollaku, por edhe të tjerëve sepse janë të njëjta, për kostot, tarifat, afateve, dua ta them se është besimi që duhet të reflektojnë të gjitha palët në proces.
E drejtë, kjo është sensitive, sepse mund të hedhin në erë të gjithë procesin. Unë nuk e diskutoj fare që do bëhet, por duhet të ketë bashkëpunim nga të gjitha palët, ndaj jemi duke punuar ngushtë me të gjitha partitë dhe natyrisht ato më kryesoret. Fakti që të gjitha aktet kanë kaluar pa kontestime do të thotë se e kemi pasur në vëmendje këtë qasje. Partitë politike të gjitha kanë akses në këtë proces nga nisja në fund, nga regjistrimi i emigrantëve, kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues, auditues teknikë, për ta këqyrur si funksionon, të caktojnë ekspertë. Procesi është monitoruar nga partitë, kamerat, përfaqësuesit e huaj, por edhe nëse duan të tjera të mbikëqyrin.
Numërimi dhe rivlerësimi i fletëve të votimit në prani të partive politike. Në draft kam parashikuar që të dy partitë kryesore të kenë nga një përfaqësues të jenë më afër për ta vëzhguar procesin. Të kenë prezent nga një përfaqësues në çdo tavolinë numërimi. Partitë parlamentare kanë të drejtën e vetos për anëtarët e stafit që gjykojnë se nuk është i denjë për atë proces. Nuk jemi në kundërshtim me ligjin, se ndryshe nuk do e propozoja, por kemi nevojë që palët në proces të jenë të sigurta për procesin, mos të hyjnë me dilema.
Për shërbimin postar kemi pasur bisedime me qeverinë dhe partinë në pushtet, që për të paktën këtë proces, kosto e dërgesës dhe mbërritjes në Shqipëri të postës ta paguajnë ata (qeveria) dhe duket se e kemi dakordësinë për këtë, pasi edhe në buxhetin e kaluar ditë më parë në Parlament është vënë në dispozicion buxheti për tarifën postare si në dërgim, ashtu edhe në kthim.
I sugjeruam që për këtë proces, të 2025, kosto e dërgesës dhe mbërritjes të paguhej nga shtetit shqiptar dhe duket se tashmë kemi dakordësinë, tarifë si në dërgim, edhe në kthim, por për këtë duhet një ndryshim në Kodin Zgjedhor, që të paguhet edhe dërgimi mbrapsht i fletës së votimit (Kodi parashikon që fleta e votimit për t’u dërguar paguhet nga shteti shqiptar). Por kemi nevojë që të ndryshojë edhe ligjërisht Kodi Zgjedhor, edhe për shërbimin e kthimit mbrapsht të fletës së votimit.
Nis në janar, por themi se në shkurt përfundon kjo procedurë. Kemi bërë shërbime me posta të ndryshme, përfshi edhe Postën Shqiptare, por ligji na jep të drejtën që të negociojmë me operatorë ndërkombëtarë. Përtej tarifave zyrtare që ato kanë deklaruar, por kanë ofruar edhe tarifa më të ulëta, jo zyrtare, por në tenderim do ofrojnë edhe tarifa më të ulëta, pasi janë mijëra shërbime të tilla. Tarifa shkon në vlerën e 4500 lekëve për dërgesë, si zyrtare, por do jenë më të ulëta kur të realizohet. Por duke parë procesin dhe mendimi se sa do marrin pjesë, këto para besoj janë të nevojshme. Nëse do duhen edhe 5 lekë më shumë, ata, shteti shqiptar, do angazhohet.
Në buxhetin e shtetit janë vendosur paratë edhe për kthimin e postës për një numër 100 mijë votuesish, por edhe nëse do ketë më shumë qeveria do angazhohet. Kjo është pako e sigurtë. Paratë janë. Nëse ndryshohet pjesa e Kodit Zgjedhor dhe bëhet për dërgim e kthim poste, paratë janë për ta mbuluar të gjithë shërbimin, nuk janë problem, sepse janë marrë përsipër nga shteti shqiptar.
Duam të dimë se sa janë numrat e zgjedhësve që u skadon karta e identitetit deri më 11 Maj, ose nuk kanë kartë identiteti (për emigrantët). Nuk e di nëse qeveria shqiptare do marri përsipër të shtyjë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, siç ka bërë në vitin 2021 dhe sigurisht ia lë KQZ. Unë kam qenë pro shtyrjes së vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Duke qenë realist për natyrën, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit për votuesit që nuk disponojnë apo u skadon në ditën e votimit. Dhe pasi të shohim numrat në fjalë, kemi kohë për ta adresuar dhe ta diskutojmë këtë çështje.
Nga 11 janari dhe për 60 ditë sa vazhdon procesi, të gjithë shtetasit shqiptarë, me apo pa dokument identifikimi do jenë në sistem, por jo pa e marrë atë votë derisa qeveria të shtyjë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit. Pra nuk e marrin votën pa dalë vendimi për shtyrjen e vlefshmërisë. Nëse 200 mijë votues nga jashtë regjistrohen dhe janë 10 apo 11 mijë pa dokument të vlefshëm, nuk e di nëse do ia vlente kjo gjë. Besoj se kush e dëgjon shpresoj të mos spekuloj. Kemi kohë, duhet të presim, është sensitive, për votuesit jashtë e dimë se nuk kanë komoditetin për rinovim të dokumentin e identifikimit. Pra nëse nuk e ka rinovuar dokumentin, le të shtyhet për votuesin jashtë vendit, por jo për atë brenda vendit. Sepse bëhet gjithë ajo fushatë dhe kujtohesh ditën e fundit për dokumentin, nuk ka sens. Le të penalizohet.
Një milionë e ca votues jashtë ka shumë pa dokument të vlefshëm, ndaj duhet bërë ky përjashtim për ta, sepse ia vlen. Por nëse qeveria mendon ta bëjë për të gjithë...
Procesi i numërimit bëhet me procedurën e prezantuar. Për konsullatat mobile nuk di të them, por kemi diskutuar me dy ministrat për rinovimin e dokumenteve të emigrantëve pranë konsullatave apo në vende të tjera, por kjo kërkon marrëveshje me shtetet përkatëse.
Ideja e kodit, personalisht nuk e mbështes atë, por nuk di të them pasi edhe mund të konsiderohet. Kjo është pikëpamja ime për mënyrën se si e lexoj Kushtetutën. Unë jam i qartë, edhe në rastet e dokumenteve të skaduara apo në prag të pavlefshmërisë për një emigrant, jam që të shtyhet afati i kësaj vlefshmërie. Pra nëse kemi 500 mijë emigrantë me dokumente të pavlefshme, që duhet apo duan të votojnë, sigurisht që ne do e konsiderojmë”.
Nuk i kuptoj keto nisma ,per shkelje te ligjit.Z.Celibashi,ligji eshte bere per tu zbatuar.Kush nuk ka dokument te vlefshem te paiset ,pasi ka plot kohe.
Përgjigju