Thirrjes së KQZ për të përllogaritur koston e pajisjeve të identifkimit biometrik të zgjedhësve për zgjedhjet e 25 prillit i janë përgjigjur deri më tani 6 kompani. Report Tv mëson se shifra më e lartë e përllogaritur është 28 milionë dollarë dhe është ofruar nga një kompani e huaj, ndërsa shifra më e ulët është 14 milionë dollarë nga një kompani shqiptare, e cila kërkon 14 milion euro për ti dhënë pajisjet e nevojshme me qira, dhe nëse KQZ do ti blejë pajisjet atëherë kërkon 17 milion euro.

4 kompanitë e tjera janë të huaja dhe kanë përllogaritur përkatësisht, 24 mln euro, 20 mln dollarë, dhe dy të fundit nga 15 mln euro.  Afati i kompanive për tu përgjigjur është deri në 19 nëntor, më pas KQZ do përllogarisë mesataren e vlerave të paraqitura dhe më pas shumën do ia dërgojë qeverisë për të vazhduar më pas dhe procesin e tenderimit.

Identifikimi biometrik i zgjedhësve është një nga çështjet e dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit në Këshillin Politik, me opozitën jashtëparlamentare. Identifikimi biometrik synohet të realizohet në të gjitha qendrat e votimit ndërsa KQZ i ka hapur rrugën dhe votimit dhe numërimit elektronik që sipas marrëveshjes do të realizohet në jo më shumë se 20% të zonave zgjedhore.