Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim i ka bërë një apel të gjithë shqiptarëve që të rinovojnë kartat e tyre të identitetit dhe të marrin letërnjoftimin e ri në mënyrë që të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit. Kartat ID janë të rëndësishme për votimin biometrik që do të realizohet në zgjedhjet e 25 prillit si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit arritur mes partive politike. Kim shprehet se qytetarët të mos e lënë atë për moment të fundit dhe të jetë tepër vonë për të votuar.
"Shumë urgjente që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të marrin karta të reja të identitetit në mënyrë që të mund të marrin shërbime dhe të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Lëshimi i letërnjoftimeve të reja biometrike është një pjesë thelbësore e marrëveshjes së 5 qershorit mbi reformën zgjedhore. Ju lutemi mos prisni derisa të jetë tepër vonë, merrni letërnjoftim të ri tani kështu që të mund të votoni më 25 prill", shkruan Kim.
Pak ditë më parë KQZ njoftoi se numri i qytetarëve të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit ishte rreth 1 milionë, një numër i lartë për votuesit në vendin tonë dhe për periudhën ku na ndajnë vetëm pak muaj nga zgjedhjet e 25 prillit.
Më herët edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u bëri thirrje qytetarëve që të rinovojnë letërnjoftimin në mënyrë që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi përmes një statusi në rrjetin e tij social Twitter ka reaguar në lidhje me thirrjen e ambasadores amerikane në Shqipërisë, Yuri Kim për pajisjen e qytetarëve me kartën e ID sa më shpejt, në mënyrë që të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit.
Ai shkruan se pajisja me ID është akt patriotik për të larguar nga Shqipëria virusin “Rama”, që sipas tij, na ka shkatërruar ekonominë.
“T’i japim shpresë vendit! Pajisuni me kartën e ID! Bëhuni pjesë i ndryshimit!”, shkruan në fund Bardhi.
Pajisja me ID është akt patriotik për të larguar nga Shqipëria virusin “Rama” që na ka shkatërruar ekonominë. Identifikimi biometrik është i domosdoshëm. T’i japim shpresë vendit! Pajisuni me ID! Bëhuni pjesë e ndryshimit! https://t.co/emTd1PcUxp
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) January 6, 2021