Për të dytën herë brenda një viti, Kosova zhvilloi sot zgjedhjet parlamentare. Pas dështimit të formimit të qeverisë nga Partia Vetëvendosje me në krye kryeministrin në detyrë Albin Kurti, dhe të tjera partive, Kosova mbajti sot zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Pasi votoi në Prishtinë, Kurti tha për gazetarët se ka ofruar koalicion në prill dhe maj, por oferta e tij është refuzuar.
"Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj, prandaj jemi sot në zgjedhje të parakohshme sepse u refuzua koalicioni. Prandaj duhet të kemi rezultat të qartë, meqë shansi për koalicion iku pa fajin tonë”, tha ai.
Drejt kutive të votimit shkuan dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i LDK Lumir Abdixhiku, kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, kreu i PDK Bedri Hamza si dhe presidentja Vjosa Osmani.
Pjesëmarrja sipas shifrave të KQZ, ka qenë 45% deri në përditësimin e orës 19:00, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti ka qenë 46.54%. Sipas të dhënave të përditësuara në faqen zyrtare të KQZ-së, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.
Në zgjedhje marrin pjesë 22 subjekte politike, 18 janë parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Partitë kryesore që garojnë janë Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Qendrat e votimit janë hapur tashmë që prej orës 07:00 për tu mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime.
Që prej 9 shkurtit, Kosova ndodhet në bllokim institucional pasi asnjë parti nuk arriti të formonte qeverinë.
Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti bën thirrje që qytetarët të dalin e të votojnë rreth 2 orë e gjysmë përpara mbylljes së procesit të votimit. Sipas Të dhënave të shpërndara nga KQZ e Kosovës, deri rreth orës 17:20, pjesamarrja ka qenë në nivelin 36.86%. Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pjesmarrja përfundimtare rezultoi 46.54%. "Mos e lini votimin në momentin e fundit", thotë Kurti në postimin e tij.

Kryetarja e Komunës së Ranillugut në Gjilan të Kosovës, Tanja Atic, është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës, pas dyshimeve se mund të ketë ushtruar ndikim te votuesit nga komuniteti serb gjatë procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha për RTK, se Atic dyshohet të ketë ushtruar presion ndaj qytetarëve që nuk kishin një orientim të qartë politik apo mbështesnin subjekte të tjera. Sipas tij, votuesit dyshohet se janë paralajmëruar për humbje të përfitimeve financiare që marrin nga institucionet e Serbisë, në rast se nuk votonin sipas udhëzimeve të caktuara.
Atic është intervistuar në prani të avokatit të saj, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe verifikimin e informatave të pranuara nga organet e rendit. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se KQZ-ja është në dijeni për raportime lidhur me thyerje të heshtjes zgjedhore nga subjekte politike, por ka theksuar se trajtimi i këtyre rasteve nuk është në kompetencën e këtij institucioni dhe se veprimet merren nga organet përgjegjëse në bazë të ankesave të paraqitura.
Qytetarët me të drejtë vote të Komunës së Prizrenit, këtë të diel, për të katërtën herë brenda këtij viti janë rikthyer në qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.
Ndërsa kane votuar në sytë e qytetarëve reflektohet lodhja nga kthimi i përsëritur drejt të njëjtit proces. Për shumë prej tyre, dalja katër herë brenda një viti për të votuar shihet si tregues i mosmarrëveshjes së thellë politike, i mungesës së kompromisit dhe i zvarritjes së çështjeve që, sipas tyre, duhej të ishin prioritare për vendin, zhvillimi ekonomik, stabiliteti politik dhe përmirësimi i jetës së përditshme.
“Presim diçka më të mirë për të ardhmen e rinisë dhe popullit tonë. Nuk janë normale 4 zgjedhje brenda 1 viti sepse duhet të merret një vendim dhe të bëhet një paqe për vendin tonë. Mendojmë se vitin e ardhshëm nuk do të ketë një krizë politike në Kosovë”, tha një qytetare për gazetarin e Report Tv Benet Beqiri.
Në Prizren shpresojnë që këto zgjedhje të mos sjellin vetëm një rezultat të ri, por një vetëdijesim të ri politik, ku partitë të mos përsërisin bllokimet e muajve të kaluar. Sipas qytetarëve, Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale që i jep fund ciklit të zgjedhjeve të shpeshta dhe i kthehet punëve të vendit.
“Duhet të lirohemi nga inatet, nga gjërat e këqija, duhet të kryejmë me sukses çdo punë që fillojmë”, tha një qytetar.
Ndër ata që votojnë sot janë edhe emigrantë që janë kthyer enkas nga diaspora, shumë prej të cilëve theksojnë se pas këtyre zgjedhjeve presin më shumë angazhim institucional për komunitetin e tyre.
“Kemi ardhur për pushime për vitin e ri dhe po shfrytëzojmë rastin për të votuar. Kosova duhet të eci përpara. Presim shumë nga partitë tona, situata duhet të ndryshojë. Kjo është e dëmshme për vendin tonë, duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë”, tha kosovari që jeton në Austri.
Përveç Prizrenit, procesi zgjedhor po zhvillohet edhe në Suharekë, Malishevë, Dragash dhe Mamushë, komuna te regjionit te Prizrenit.
Një veçanti e kësaj dite votimi është se në Prizren dhe Mamushë fletëvotimet janë të shtypura edhe në gjuhën turke, duke respektuar karakterin shumë gjuhësor të këtyre dy komunave.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit shënohen si zgjedhje të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional më shumë se nëntëmujor pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur asnjë parti politike nuk arriti të siguronte shumicën për formimin e qeverisë. Kështu, viti 2025 mbetet një vit i shënuar nga votimet dhe kërkimi për kompromis politik.
Filloi me zgjedhjet e rregullta më 9 shkurt, vazhdoi me dy raunde të zgjedhjeve lokale më 12 tetor dhe 9 nëntor, dhe po mbyllet sërish në kutitë e votimit më 28 dhjetor, një vit që shpresohej të sillte zgjidhje, por që ende mban pezull pritjet.

Analistë politikë kanë ngritur shqetësime lidhur me votimin e organizuar të Listës Serbe në zgjedhjet e sotme në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim cenon integritetin e procesit zgjedhor dhe pengon ushtrimin e votës së lirë nga komuniteti serb.
Sipas mediave në vend, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka votuar në mënyrë të organizuar së bashku me qytetarë të tjerë, në orët e para të mëngjesit, një praktikë që sipas analistëve po zbatohet sipas direktivave politike nga Beogradi.
Njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, ka deklaruar se votimi kolektiv përbën shkelje të Nenit 8 të Rregullores Zgjedhore të Kosovës, duke theksuar se ky veprim dëmton rendin ligjor dhe demokracinë.
“Instrumenti i shtetit serb brenda Kosovës, Lista Serbe, në zbatim të direktivave të Vuqiqit, në kundërshtim me Neni 8 të Rregullorës së Zgjedhjeve të Kosovës, filloi votimin kolektiv. Ky veprim cenon jo vetëm rezultatin por edhe vet integritetin e zgjedhjeve. Policia e Kosovës duhët të reagojë me shpejtësi bashkë me Prokurorinë. Tolerime të tilla minojnë rendin ligjor, vendimarrjen dhe vet demokracinë”, shkruan ai në Facebook.

Edhe politologu Dorajet Imeri e ka cilësuar votimin kolektiv si të kundërligjshëm, duke theksuar se institucionet duhet të garantojnë votë të lirë dhe demokratike për qytetarët serbë, pa presion politik. Ai ka shprehur shqetësim edhe për praninë e automjeteve me targa të Serbisë në zonat me shumicë serbe, duke paralajmëruar për mundësi ndikimi të jashtëm në procesin zgjedhor.
“Nuk është për t’i penguar atyre të drejtën e votës, por për t’u siguruar që të kenë një votë të lirë e demokratike. Kjo është një e keqe e madhe, por nuk mund të përfundojë nëse nuk ka dakordësi të madhe institucionale. Një herë e përgjithmonë duhet të jepen, përveç ndëshkimeve, edhe mësime që nuk guxon të ndodhë e njëjta. Në të kundërtën, do të duhej të përsëritej mbajtja e zgjedhjeve.“Për shkak të kolonave dje, ndoqa një rrugë alternative dhe më ra të kaloj në disa fshatra me shumicë serbe. Pashë një numër të madh makinash me regjistrim të Serbisë, që kanë ardhur enkas për të votuar. Uroj të mos jenë dikush tjetër që nuk është vetëm udhëtar, dikush që mund të ushtrojë trysni tek votuesit serb dhe të përcaktojë rezultatin. Jam i bindur që kjo ka ndodhur, sidomos në javën e fundit. Kjo që po përmendi është një alarm që institucionet e rendit dhe të sigurisë të reagojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në kohë reale. Nuk mundet një subjekt politik i dirigjuar nga një vend tjetër të përcaktojë rezultatin zgjedhor,” tha ai për mediat në Kosovë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, deri në orën 13:00, dalja më e lartë e qytetarëve në votime është regjistruar në të paktën 6 komuna të vendit. Në Prishtinë kanë votuar 10.90 përqind e qytetarëve, ose 23 935 nga 219 000 me të drejtë vote. Sipas mediave në vend, pjesëmarrja në votime në komunën e Shtimes ka shënuar 10.12 përqind (2 812 votues) deri në orën 13:00, ndërsa në Gjilan kanë votuar 9.37 përqind ose 9 831 votues. Në Podujevë kanë votuar 9.30 për qind ose 7 845 votues.
Pjesëmarrje e lartë në votime është regjistruar edhe në Novobërdë me 14.50 për qind (1 455 votues), Mitrovicën e Veriut me 14.58 përqind ose 2 556 votues dhe Zveçan me 12.52 përqind ose 860 votues.
Ndërkaq, në komunat me shumicë serbe, Zubin Potok dhe Leposaviq, dalja në votime deri në këtë orë ka qenë më e ulët, përkatësisht 1.15 dhe 2.03 përqind.
Procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme po zhvillohet normalisht në të gjithë vendin, ka bërë të ditur Kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kresnik Radoniqi konfirmoi sot se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës po zhvillohet normalisht në të gjithë vendin, pavarësisht problemeve me energjinë elektrike të regjistruar në disa komuna.
Gjatë një komunikate për mediat, Radoniqi sqaroi se gjatë ditës janë evidentuar probleme të përkohshme me furnizimin me energji elektrike në disa qendra votimi në komunat Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, por theksoi se këto probleme janë zgjidhur dhe nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Radoniqi shtoi se KQZ-ja është në komunikim të vazhdueshëm me KEDS, duke mos e përjashtuar mundësinë e ndërprerjeve të reja të energjisë.
“Sipas informacioneve të pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, deri në këtë fazë procesi i votimit po vijon normalisht dhe nuk është raportuar asnjë parregullsi që do të ndikonte në mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve”, deklaroi Radoniqi gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.
Ai bëri të ditur se për garantimin e mbarëvajtjes së ditës zgjedhore është bërë vënë në punë Dhoma Operative e KQZ-së, ku janë të angazhuar zyrtarë të këtij institucioni, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e dyta parlamentare që Kosova zhvillon në vetëm 9 muaj.
Për mediat Osmani bëri thirrje për pjesëmarrje masive ndërsa shton se këto zgjedhje duhet të çojnë në krijimin e qeverisë së re.
“Përshëndetje për të gjithë. Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje demokratike. Po ashtu, uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive. Shpresoj që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të çojnë në krijimin e institucioneve. Jam e bindur se të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara, në mënyrë që të kemi institucione stabile”, u shpreh presidentja Osmani.

Policia e Kosovës ka ndaluar sot pesë serbë nën dyshimin se kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas mediave kosovare, personat e ndaluar janë identifikuar si: SR (1981), MS (1986), SZ (1995), VK (1989) dhe DZ (2002).
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamenicës, ku personat janë ndaluar gjatë kontrolleve në terren. Njëri nga të ndaluarit, dyshohet të ketë qenë ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura të Serbisë.
Sipas mediave të Kosovës, i dyshuari mund të ketë pasur informacione lidhur me plane të mundshme për cënimin e procesit zgjedhor. Megjithatë këto pretendime mbeten akoma në fazë verifikimi.
Në Kosovë po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përmes një lidhje të drejtpërdrejtë analisti Valon Arifi tha për Report Tv se situata deri më tani është qetë.
"Situata është e qetë në Prishtinë dhe komunat e tjera. Lista Serbe gjithmonë shkojnë në grup për të votuar. Ata kanë shkuar me krerët e Listës Serbe, që këtë herë po mundohen të marrin të gjithë mandatet (10), herën e kaluar morën vetëm 9", tha Arifi.
Ndër të tjera ai theksoi edhe pse Lëvizja Vetvendosje mund të marrë më shumë vota, sërish ata nuk mund të arrijnë të krijojnë të vetëm qeverinë në vend.
Potecianlisht LVV mund të dalë me rezultat më të mirë për shkak të votës së Diasporës dhe djegien e mandateve të nismës Social-demokrate. Megjithatë LVV nuk do të bëjë e vetme qeverinë e Kosovës, për shkak se nuk e shoh gatishmërinë e Kurtit që të marrë në një farë mënyre vetë qeverinë e ardhshme për shkat të afatit të skadencës së presidencës vetëm tre muaj më pas. Por mendoj se pas zgjedhjeve të sotme Kosova nuk do të mbetet pa qeveri deri në mars", tha ai teka nënvizoi se ajo çfarë dihet për këto zgjedhje deri më tani është se renditja e partive politike nuk do të ndryshojë - gara është kush merr më shumë mandate.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, votoi sot në Mitrovicë së bashku me familjen e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të votojnë sipas bindjes dhe vullnetit të lirë.
“Sot, ne e përmbushëm obligimin qytetar. Votova si Kandidat për Kryeministër, si prind dhe si qytetar, me besim në të ardhmen e vendit tonë. Vota është përgjegjësi dhe themel i demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për një qeveri që bashkon, garanton stabilitet, zhvillon ekonominë dhe punon për një të ardhme më të mirë për të gjithë", tha ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte 8.48%.
Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviq - vetëm 0.08%. Në Prishtinë, deri më tani, votuan mbi 10% e qytetarëve.
“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 165 mijë e 404 votues apo 8.27% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 93% e vendvotimeve, kishin votuar 8.58% apo 169,650 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944 votues”, tha kreu i KQZ Kreshnik Radoniqi.
Mediat në Kosovë raportojnë për një përleshje të fortë verbale dhe fizike në një qendër votimi në Zhegër të Gjilanit. Ngjarja ka ndodhur në shkollën “Agim Ramadani” ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur policia për të qetësuar situatën.
Rrahman Agushi, menaxheri i kësaj qendre të votimit, nuk dha arsyet e kësaj përplasjeve por tha për mediat se situata u menaxhua mirë dhe i është rikthyer normalitetit.
Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pasi ushtroi të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e cilësoi këtë të diel si një ditë vendimtare për demokracinë dhe të ardhmen e Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë votën për të vendosur mbi drejtimin e shtetit dhe përbërjen e Kuvendit për katër vitet e ardhshme.
“Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari për t’i dhënë një mundësi e shpresë zhvillimit të shtetit të Kosovës. Shpresoj që qytetarët e Kosovës sot do të vendosin për fëmijët tanë për këtë shtet, për forcën e shtetit, zhvillimin, funksionimin e shtetit. Mos harroni sot vendosni për 4 vjet në dorën e kujt do ta lëni Parlamentin e Kosovës dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Është një vendimmarrje e rëndësishme, besoj që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vendimmarrjeje”, deklaroi Limaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat për kryeministër ka thënë se kjo është një ditë e mirë pasi sipas tij vendimmarrja i kthehet qytetarit.
“Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar këto vite”, tha ai.
Abdixhiku shtoi gjithashtu se shpreson që procesi të shkojë mirë dhe në fund të fitojë populli i Kosovës.
“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Abdixhiku.

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa autoritetet kanë angazhuar rreth 100 prokurorë për të monitoruar procesin dhe për të parandaluar çdo tentativë që cenon votën e lirë.
Sipas mediave në Kosovë, prokurorët janë të shpërndarë në të gjithë territorin dhe po bashkëpunojnë me policinë, ndërsa qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo shkelje të dyshuar.
Nën shoqërimin e nënës së tij, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.
Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.
“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krah Kosovës të gjithë”, tha Haradinaj.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e mirë do të jetë cilësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i institucioneve që do të dalin prej tyre. Kurti iu drejtua mediave në shqip, anglisht dhe serbisht.
“Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re. I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti.
I pyetur a është i hapur për një koalicion, kryeministri në detyrë Kurti tha: Unë kam ofruar koalicion në prill dhe maj, prandaj jemi sot në zgjedhje të parakohshme sepse u refuzua koalicioni. Prandaj duhet të kemi rezultat të qartë, meqë shansi për koalicion iku pa fajin tonë”.
Foto: Zllatan Ellek
Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.
Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.
Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviçit.
Komente








Ah tè kishim patur ca qereste edhe neve. Kosova, pjesa e cunguar e trungut tonè, ka njè politikan nè krye, qè sot pret tè marrè nga populli qè i beson atij fatin e vèndit, njè rezultat midis 50 apo 60%. Shifra qè nuk i has shpesh por qè shqiptarèt ia mundèsojnè Albin Kurtit sepse ajo qè èshtè kryesorja pèr tè pèrmendur, èshtè se AI NUK I VJEDH dhe punon pèr tu shtuar qytetarève tè vèndit tè tij ndjenjèn e besimit tek udhèheqja e tyre. Edhe ne nè vèndin amè kemi qeveri qè na shumon begatinè, blegtorinè, integritetin dhe dinjitetin territorial dhe personal. Disa nga kèta kalorès tè begatisè popullore, popullojnè sot burgjet tona, tè tjerèt si Ballukja dhe pothuaj gjithè vartèsit e saj,,presèn pèrballjen me aktakuzèn. A kemi ndonjè, ne tè shtetit amè, qè qytetarèt e duan dhe besojnè se ai apo ajo NUK I VJEDH? Personalisht, nuk di tè ketè. Ah sikur tè kishim ca qereste.!!!
Përgjigju