Asgjë nuk i ngjason sot një ditë votimi edhe pse presidenti Ilir Meta teksa anuloi 30 qershorin me një dekret që u quajti nul nga maxhoranca, shpalli sërish me dekret datën e ardhshme sipas tij kur shqiptarët do duhej të zgjidhnin kryebashkiakët e rinj: 13 tetorin.

Por kjo ditë që nuk u mbështet as nga Partia Demokratike, por vetëm nga partia e bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, LSI, u rrëzua me kalimin e afateve ligjore për ngritje qendrash votimi e përgatitje për zgjedhje në çdo detaj.

Sot Shqipëria ka 61 kryebashkiakë, dhe asnjë qytetar nuk doli të votojë në zgjedhjet e firmosura në një dekret nga Presidenti që këtë radhë vetë populli duket se ja shpalli nul.

13 tetorin, Meta e ka kaluar në heshtje pa koment, ku në vend të ‘shkundjes’ së votës në zgjedhjet e dekretuara prej tij, që nuk u mbajtën kurrë, Meta ka zgjedhur të luajë futboll.

Video e postuar nga Meta sot 

Për anulimin e 30 qershorit, Meta deklaroi se vendimin e kishte marrë që palët të gjenin një dakortësi që në zgjedhje të futeshin edhe partitë e opozitës.

Përtej artikulimit publik të Ilir Metës për qëllimet e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, ajo që mbeti e çudtishme ishte fakti që shtyrje e zgjedhjeve u bë nga pa një marrëveshje nga partitë politike.

Presidenti anuloi zgjedhjet, sipas tij, që partitë e opozitës të ishin pjesë e procesit zgjedhor, por ai asnjëherë nuk dha garanci se opozita do të merrte pjesë në zgjedhjet e shtyra prej tij, duke qenë se ata kërkonin zgjedhje të parakohshme pa Edi Ramën kryeministër.

Pasi e la vendin pa një datë zgjedhjesh, Meta nisi konsultimet me parti politike, vetëm me partitë e djathta, pasi Rama ishte i vendosur për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, i mbështetur fuqishëm edhe nga ndërkombëtarët.

Me zëra të rëndësishëm ndërkombëtarë që zgjedhjet të mbaheshin me 30 qershor, institucionet e shtetit morën të gjitha masat që procesi të shkonte pa konflikte. Po ashtu, si asnjëherë më parë, partitë e opozitës ishin paralajmëruar nga SHBA, se nëse do të kishte konflikte ditën e zgjedhjeve, ata do të shpalleshin organizata të dhunshme, çka do sillte pasoja të rënda për PD dhe LSI nga aleatët më të rëndësishëm të Shqipërisë.

Kjo solli që zgjedhjet e 30 qershorit të mbaheshin në një proces pa incidente, e ndërsa Ilir Meta vazhdonte të këmbëngulte se ligjërisht, zgjedhjet janë me 13 tetor.

Sipas Ilir Metës, ditën e sotme shqiptarët do të ishin duke votuar, por kjo dielë është një ditë si të gjitha ditët e tjera, përveç Maratonës që po mbahet në Tiranë.

Në një kohë që Komisioni i Venecias, e tha e zeza mbi të bardhë, se Meta i kaloi kompetencat për shtyrjen e zgjedhjeve, një ditë më parë, në heshtjen elektorale të imagjinuar, Presidenti bashkë me Çim Pekën, gazetarin e pavarur, dhe humoristin Bes Kallakun, u shfaqën duke pirë birra dhe duke luajtur futboll në plazh.