Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), në vazhdim të aktivitetit të vet të vazhdueshëm për monitorimin dhe përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe forcimin e demokracisë në vend, realizoi një aksion të kufizuar vëzhgimi për këto zgjedhje.
Monitorimi i procesit zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Kolonjë ishte një iniciativë e realizuar totalisht në mënyrë vullnetare prej Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, si e tillë e kufizuar në përbërje dhe objekt.
KVV ndoqi tërësisht veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me 2 vëzhgues afatgjatë, ndërsa veprimtaria e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) Nr. 73 dhe e 36-të Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) gjatë ditës së votimit u ndoq pjesërisht.
Në periudhën parazgjedhore përpara ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit e KVV-së u takuan me përfaqësues të institucioneve shtetërore, aktorëve politikë lokalë, të organizatave jo-qeveritare lokale, të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve Nr. 73 dhe të mediave për të marrë informacion mbi ecurinë e procesit, fushatën elektorale dhe situatën e përgjithshme në të cilën u zhvilluan zgjedhjet. Gjatë ditës së votimit 3 grupe vëzhguesish të lëvizshëm monitoruan procesin e votimit, situatën e përgjithshme rreth qendrave të votimit (QV), procesin e mbylljes së qendrave të votimit, dorëzimin e materialeve zgjedhore në KZAZ dhe procesin e numërimit të votave. Çdo qendër votimi u monitorua për një periudhë prej 40 minutash mesatarisht.
Qendrat e votimit që u vëzhguan u përzgjodhën në bazë të informacioneve të marra nga bashkëbiseduesit e KVV, si QV potencialisht problematike apo me numër të lartë votuesish. Me qëllim maksimalizimin e eficiencës së vëzhgimit, u vëzhguan edhe QV të cilat ndodheshin përgjatë itinerarit të përcaktuar paraprakisht[1].
Vëzhguesit vizituan 23 qendra votimi gjatë ditës së zgjedhjeve (rreth 64% e QV-ve të Bashkisë), si dhe vëzhguan pjesërisht veprimtarinë e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor Nr. 73 dhe totalisht procesin e numërimit të votave.
Ky Raport Monitorimi përshkruan dhe analizon rrjedhën institucionale dhe politike që prej dekretimit presidencial të datës së këtyre zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Raporti është përpjekur të jetë sa më i imtësishëm në elementët e monitoruar dhe në ndjekje të procedurave ligjore.
Për këtë shkak, për ta lehtësuar leximin e dokumentit nga rëndesa e referencave, këto të fundit janë listuar sistematikisht dhe të pasura në detajime si shtojcë e dokumentit.
Në mungesë të një Buletini për këtë proces zgjedhor, informacioni i dhënë në këto shtojca është përpjekur të japë një fotografim të të gjithë procesit edhe si një ruajtje kujtese e kësaj përvoje zgjedhore në të ardhmen.
Publikimit të këtij raporti lidhur me këto zgjedhje i parapriu publikimi më datë 16 nëntor 2016 i një Qendrimi Publik “Ecuria e Zgjedhjeve të Pjesshme në Bashkinë Kolonjë dhe cënimi i pritshmërive të qeverisjes vendore”, ku, përtej problematikave të vërejtura në gjetjet paraprake mbi ecurinë e deriatëhershme të procesit, ngrihej shqetësimi i precedentëve apo problematikave që mund të silleshin në të ardhmen, si edhe me synimin për të ndikuar sadopak në një vazhdimësi më korrekte të disa elementëve të procesit zgjedhor për periudhën e mbetur.
I. VLERËSIMI I PROCESIT DHE SHQETËSIME PËR VIJUESHMËRINË
Zgjedhjet e pjesshme, përpos detyrimeve dhe rregullimit ligjor që duhet të përplotësojnë si një proces normal zgjedhor, shërbejnë edhe si një testim apo fizibilitet i kapaciteteve në dispozicion për mbarëvajtjen zgjedhore. Gjithashtu, ato përbëjnë një mundësi për vëmendje thelluar ndaj nevojshmërive apo problematikave lokale.
Vlerësimi i këtij procesi është bërë në dy perspektiva, ku e para përfshin dimensionin institucional të procesit zgjedhore dhe e dyta dimensionin politikbërës.
Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kolonjë shërbyen, përsa i përket vizibilitetit të mbarëvajtjes zgjedhore, të tregonin në proporcionalitet gjendjen e proceseve zgjedhore në vend.
Këto zgjedhje të pjesshme patën një ecuri administrative kryesisht pozitive, por mungoi kontrolli i financave të subjekteve zgjedhore dhe nuk pati asnjë investim institucional mbi çështjet e drejtësisë zgjedhore.
Ndonëse për zgjedhjet e pjesshme mungon kuadri ligjor për rregullimin financiar të subjekteve zgjedhore, në rezultante e njëjta gjendje mungese rregullimi de facto mungon edhe në proceset zgjedhore të përgjithshme.
Gjithashtu, ashtu si në proceset e përgjithshme, edhe në këto zgjedhje, përpos akuzave të forta për drejtim vote apo forma të cënimit të vullnetit demokratik, nuk pati asnjë rast procedimi zyrtar kryesisht apo me investim. Sjellje politike kjo që vazhdon të ushqejë retorikën dhe demagogjinë politike, por që nga ana tjetër nxit dhe po forcon dinamikat anti-institucionale.
Në qasjen politike, zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Kolonjë, nuk u shfrytëzuan për një përballje ofertash zgjedhore në një rrafsh vendor dhe larg konfrontimit të lidershipeve politike.
Edhe në këtë proces zgjedhor u vërejt një kapilarizim i fortë i qeverisjes vendore me atë qendrore. Prezenca intensive e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në një fushatë me zotime jashtë garimit për qeverisjen vendore, de-faktorizuan jo vetëm përballjen e ideve dhe platformave mbi problematikat lokale, por edhe cënuan haptazi autonominë e qeverisjes vendore.
Në gjykimin e KVV-së, fenomeni i fundit i parë në të dy zgjedhjet e fundit të pjeshme të zhvilluara, konsiderohet si një precedent dhe shqetësim që duhet marrë seriozisht në konsideratë edhe për procesin zgjedhor parlamentar të ardhshëm të 18 Qershorit 2017, lidhur me mundësinë e përdorimit të administratës së qeverisjes vendore në funksion të fushatës zgjedhore.
Përtej këtij procesi zgjedhor, mënyra e zhvillimit të dy procesve zgjedhore të pjesshme lokale, konkludimi dhe sjellja politike e institucionale përgjatë tyre sjellin në vëmendje dy shqetësime kryesore që vazhdojnë të përcillen prej proceseve zgjedhore në vend: zbrazja e proceseve zgjedhore prej vetë thelbit demokratik dhe mos institucionalizimi i akuzave të forcave politike veçanërisht lidhur me format e drejtimit të votës.
I.1. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE E RAPORTIT
1. Administrimi i procesit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor vlerësohet si pozitiv në përputhje me kuadrin ligjor dhe në mbarëvajtjen e ecurisë së tij.
2. Aktiviteti financiar i subjekteve zgjedhore në zhvillimin e fushatës zgjedhore për këtë proces zgjedhor për shkak të mungesës së rregullimit ligjor ishte jo-transparent dhe jo i kontrolluar. Kostot në zhvillimin e fushatës zgjedhore prej subjekteve zgjedhore në garim në procesin zgjedhor vlerësohen si proporcionalisht të larta dhe të ekzagjeruara.
3. Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme në përgatitjen e listave të votuesve ishte në shkelje të përcaktimeve proceduriale dhe evidentohet si i papublikuar ende në Fletoren Zyrtare.
4. Vendimmarrja e Gjykatës së Rrethit Korçë përsa i përket dhënies së të drejtës së votimit me vendim gjyqësor të dy kandidatëve garues, reflektoi padijeni të dispozitave që rregullojnë procesin zgjedhor.
5. Përfshirja direkte e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në fushatën zgjedhore për këtë proces zgjedhor deformoi garimin dhe ndikoi vullnetin e qytetarëve me oferta elektorale jashtë garimit për qeverisjen vendore.
6. Sjellja mos-denoncuese e subjektit zgjedhor opozitar për pretendimet për forma të drejtimit apo blerjes së votës në institucionet përgjegjësë, krijuan një retorikë politike delegjitimuese të procesit zgjedhor.
7. Përpos akuzave të shumta nuk pati asnjë ankimim të depozituar në këtë proces zgjedhor në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegjin Zgjedhor.
8. Vlerësohet se mos-investimi kryesisht i institucioneve përgjegjëse në ndjekje të akuzave të ngritura nga subjekti zgjedhor opozitar apo të ngritura mediatikisht vazhdon të shtojë mosbesimin e qytetarëve ndaj funksionimit të ligjit dhe institucioneve shtetërore.
9. Përgjatë Ditës së Votimit pati momente të shkeljes së heshtjes zgjedhore si prononcimet mediatike në vazhdën e retorikave politike të dhëna pranë qendrës së votimit.
10. Sjellja e vëzhguesve partiakë përgjatë ecurisë së ditës së votimit në qendrat e votimit ishte në ndërhyrje të mbarëvajtjes së procesit të votimit dhe në tejkalim të përcaktimeve ligjore që bën Kodi Zgjedhor.
11. Fushata zgjedhore nuk u zhvillua përmbajtësisht si një përballje e ofertave zgjedhore, por në raport me përkrahjen ose jo të qeverisjes qendrore, në kundërvënie me autonominë e qeverisjes vendore.
12. Përzgjedhja e dy kandidatëve në garë, të cilët nuk ishin me vendbanim në këtë njësi vendore deri në momentin e garimit, ngre pikëpyetje përsa i përket plotësimit të frymës së kuadrit ligjor mbi vendbanimin e kandidatëve për Kryetar Bashkie, mbi përmbajtjen e ofertave politike të partive dhe nuk ndihmoi në sjelljen e një figure pjesë e komunitetit dhe në njohje të plotë me problematikat e qytetarëve të njësisë vendore.
XI. REKOMANDIME
a) Rekomandime specifikisht për Zgjedhjet e Pjesshme
Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt specifikisht proceset zgjedhore të zhvilluara në rastin e zgjedhjeve të pjesshme, të parakohshme apo të përsëritura:
1. Është i domosdoshëm që Kodi Zgjedhor proceset zgjedhore për zgjedhje të pjesshme, të parakohshme apo të përsëritura t’i marrë në trajtim të plotë me të tërë elementët që mbart procesi dhe me karakteristikat që gëzojnë këto procese në veçanti.
2. Trajtimi i zgjedhjeve të pjesshme, të parakohshme apo të përsëritura në Kodin Zgjedhor duhet të jetë i veçuar nga trajtimet dhe rregullimet që i bën zgjedhjeve të përgjithshme për qeverisje vendore dhe për Kuvend.
3. Është i domosdoshëm plotësimi i kuadrit ligjor për sa i përket organizimit të zgjedhjeve të pjesshme si në afate procedurale, rregullimin dhe kontrollin e financave të subjekteve zgjedhore dhe fushatës zgjedhore.
4. Është i domosdoshëm amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” për kompetencat dhe tagrat ligjorë të Kryetarëve të Bashkisë në detyrë dhe Këshillit Bashkiak në rastin e vakancave të parakohshme të Kryetarit.
b) Rekomandime për proceset zgjedhore në tërësi
Këto rekomandime në amendim të kuadrit ligjor, kanë për objekt tërë proceset zgjedhore të zhvilluara, qofshin të pjesshme, të parakohshme, periodike për qeverisjen vendore ose qendrore:
1. Amendimi i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore” në sigurimin e transparencës së veprimtarisë financiare të administratës së njësisë vendore dhe lehtësimin e marrjes së informacionit të detajuar nga publiku dhe organizatat monitoruese.
2. Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të përcaktimit të një periudhe “ngrirje” apo të reduktuar të aktivitetit financiar të administratës së njësive vendore në prag të proceseve zgjedhore, me qëllim kufizimin e rasteve të përdorimit të kapaciteteve financiare të administratës publike në forma të drejtimit dhe blerjes së votës.
3. Strukturalizimi i një procesi ligjor komunikimi midis institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit.
Ky kanal komunikimi procedural duhet të adresohet në Kodin Zgjedhor si një instrument i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe penalizimin e formave të korrupsionit zgjedhor.
4. Sugjerohet ngritja e një strukture të specializuar si pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme me objekt: “hetimin dhe ndjekjen e formave të korrupsionit zgjedhor”.
5. Amendimi i Kodit Zgjedhor në funksion të ripërcaktimit të rolit të vëzhguesve të pavarur në të drejtat që gëzojnë në procesin zgjedhor, me qëllim saktësimin e plotë ligjor të të drejtave të tyre për praninë përgjatë procesit dhe marrjen e dokumentacionit apo materialeve zgjedhore.
6. Saktësimi rigoroz dhe pa ekuivok në Kodin Zgjedhor i formulimeve dhe përcaktimeve të afateve proceduriale.
7. Është e nevojshme ulja e volumit të vëzhguesve partiakë të përzgjedhur nga subjektet parlamentare, kryesisht ata me përfaqësi në përbërjen e Komisionit të Qendrës së Votimit.
8. Nevojiten nën-akte në përcaktimin sa më të detajuar të rolit të vëzhguesve partiakë dhe distancimin e tyre përgjatës punës së Komisioneve të Qendrës së Votimit.
9. Është urgjente plotësimi i kuadrit ligjor jo vetëm zgjedhor në distancimin dhe mospërfshrjen e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore në proceset zgjedhore respektive.
c) Rekomandime për praktikat dhe sjelljet e mira elektorale
Duke qenë se ecuria e reformës zgjedhore është e paqartë deri më tani dhe mund të priten procese zgjedhore të tjera të pjesshme, bëhet i domosdoshëm një manifestim etik prej personaliteteve politike. Më poshtë paraqiten disa rekomandime në frymën e praktikave dhe sjelljeve të mira elektorale:
1. Është i domosdoshëm qendrimi i matur i lidershipeve politike gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore për funksionarë të njësive vendore pa i eklipsuar këta të fundit.
2. Është domosdoshmëri që ligjërimi politik të jetë sa më konstruktiv si dhe mos të përdorë terma fyes apo të shfaqë nota të gjuhës së urrejtjes.
3. Kandidatët garues për funksionarë të njësive vendore duhet të përgatisin dhe paraqesin një platformë elektorale të qartë dhe të argumentuar, pa mbështetur kandidaturën e tyre në mbështetjen politike të qeverisjes qendrore.
4. Drejtuesit e institucioneve, sidomos të atyre të përfshirë në proceset zgjedhore, duhet të tregojnë vëmendje maksimale në përmbushjen e detyrimeve ligjore në bërjen e transparencës si dhe në përmbushje të së drejtës së informimit.
5. Zyrtarët dhe funksionarët shtetërorë nuk duhet të marrin asnjë rol drejtues apo të jenë pjesëmarrës në veprimtaritë e fushatave zgjedhore, sidomos kur ato i përkasin zgjedhjeve për qeverisjen vendore.
6. Titullarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit duhet të koordinohen dhe të angazhohen duke u investuar ndaj çdo akuze apo indicie për forma të drejtimit apo blerjes së votës.
IV. AKSIONI I KOALICIONIT TË VËZHGUESVE VENDORË (KVV)
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) është një bashkim vullnetar organizatash jo qeveritare dhe jo politike thelbi i aktivitetit të të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimi i demokracisë në vend, e veçanërisht vëzhgimi i proceseve zgjedhore – aktivitet të cilin që prej vitit 2005 e kanë kryer nën siglën KVV.
Strategjia e veprimit të KVV bazohet në tre shtylla: pavarësi, paanësi dhe objektivitet.
KVV ka ndjekur nga afër dhe në vazhdimësi situatën politike dhe sjelljen e institucioneve në vend veçanërisht qysh prej reformës vitit 2012 e deri më tani.
Pas përfundimit të Aksionit të Monitorimit për Zgjedhjet Lokale të vitit 2015 një vëmendje të veçantë i ka kushtuar adresimit të korrupsionit zgjedhor, nëpërmjet prononcimeve publike, shkresave zyrtare apo takimeve të ndryshme.
KVV ka shprehur në vazhdimësi shqetësimet e veta lidhur me zhvillimet të cilat potencialisht mund të ndikojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri dhe ka bërë thirrje për një reformë elektorale të thelluar e gjithëpërfshirëse, e cila të adresojë në sa më shumë elementë të jetë e mundur çështjet e korrupsionit zgjedhor në vend.
Ky Raport Monitorimi mbulon pjesërisht procesin zgjedhor për Zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kolonjë, prej datës 10 Tetor 2016 deri më 8 Dhjetor 2016.