Kryeministri Edi Rama do të jetë më 13 prill (e diel) në Milano të Italisë, në kuadër të nisjes së fushatës elektorale dhe turit zgjedhor për 11 majin, ku do kërkojë votën e diasporës shqiptare, e cila voton për herë të parë.

Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, kreu i mazhorancës informonte edhe orën dhe vendin e këtij takimi.

Kryetari i PS, i shoqëruar edhe nga strukturat e partisë, pritet të jetë në “Centro Congresi”, në Malpensa Fiere, në Busto Arsizio, ku takimi është parashikuar në orën 15:00 të pasdites.

Me një dorë të hapur që shenjon numrin 5 të fletës së votimit ku renditet PS për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe me flamurin e BE-së në krah, si një slogan dhe motiv kryesor për fushatën, ai shoqëron edhe njoftimin për takimin e ditë së diel.

Kjo është vizita e dytë për këtë vit e kryeministrit Edi Rama në Itali, me emigrantët shqiptarë.

Postimi i kryeministrit Rama, për takimin me diasporën në Milano