Analisti Adri Nurellari ka komentuar zgjedhjet lokale në Kosovë, ku Lëvizja VetëVendosje e drejtuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, mori një rezultat zhgënjyes, teksa fitoi në vetëm tre bashki.
I ftuar në ‘Frontline’ të moderuar nga Marsela Karapanço, Nurellari ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Kosovë ishin dinjitoze dhe pala humbëse pranoi rezultatin.
“Sjellja e votuesve në Kosovë është dinjitoze. Votimi ka shkuar i qetë dhe rezultati ka dalë brenda ditës, ku pala humbëse ka pranuar rezultatin. Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë sistemi është i ndërtuar që forcat politike të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe mos djegin urat. Në kuptimin që polarizimi në qeverinë qendrore, nuk reflektohet në qeverinë lokale. Madje partitë shpesh mund të jenë në opozitë dhe në qeverisjen lokale mund të jenë në bashkëpunim”, u shpreh ai.
Nurellari ka deklaruar se LVV humbi për shkak të zhgënjimit të votuesve nga Albin Kurti për formimin e qeverisë në Kosovë. Sipas analistit, ka pasur parti politike që kanë pasur më pak vota se Kurti dhe kanë formuar më lehtë qeverinë.
“Unë mendoj se kjo vjen nga zhgënjimi nga Kurti për të formuar një qeveri, sepse partitë e tjera kanë fituar me më pak vota dhe nuk kanë pasur probleme më formuar qeverinë. Por ka të bëjë edhe natyra e zgjedhjeve në Kosovë, që zgjedhjet lokale janë të shkëputura nga ato qendrore. Emri i kandidatit dhe mënyra e qeverisjes lokale, është me vendimtare., Ndryshe nga Shqipëria, Nëse Kosovën e krahasojmë me vendet e tjera të Këshillit të Europës, mund të renditet nga vendet më të larta, për decentralizimit që ka pushteti lokal nga ai qendror. Ky nivel i lartë i decentralizimit, ka të bëjë me komunat. Pasi komunat në Kosovë, kanë të bëjnë me një nivel të mirë të arsimit, kujdesit shëndetësor”, tha analisti.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, Nurellari thekoi se Albin Kurti po kryen qëllimisht shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
“Kjo është hera e disatë që Kurti është duke bërë shkelje Kushtetuese për ta zvarritur, pasi ai e di që mund ta presin dy palë zgjedhje, dhe ai prandaj po i zvarrit dhe po gjen ‘sebete’.Edhe zgjedhja e nënkryetarit nga serbët është bërë me qëllim, që ta provokojë listën serbe për të pasur një efekt elektoral”, deklaroi ai.
Më tej analisti shtoi se zgjedhjet në Kosovë janë të pashmangshme, pasi sipas tij Kurti nuk i ka votat për të zgjedhur Presidentin e Kosovës, i cili kërkon 81 vota në Kuvend.
“Zgjedhjet janë të pashmangshme. Ky ka qenë i paaftë për të formuar koalicion dhe për të siguruar shumicën e thjeshtë. Madje është konfliktuar edhe me parti pakice që nuk janë serbe. Kur ky ka qenë i paaftë për të krijuar shumicë për të qeverisur, do të jetë shumë më i paaftë për të formuar shumicën e kërkuar që të zgjedhë presidenten. Për deri sa ky nuk ka bërë 61 deputetë nuk mund të bëjë 81 deputetë. Nëse presidenti nuk zgjidhet në disa raunde, atëherë do të kemi automatikisht zgjedhje të parakohshme. Është e vështirë të besohet që ky do të zgjedhë presidentin. Me sa duket, Kurti po kërkon që të bëjë dy palë zgjedhje bashkë”, tha Nurellari.
Analisti Adri Nurellari ka bërë thirrje për pjesëmarrje për protestën që do të mbahet me 17 tetor në orën 17:00 në Tiranë, ku do të bëhet thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së.
Më tej ai tha se po bën përpjekje të sensibilizojnë sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në protestë.
“Absolutisht po. Dhe një pjesë e mirë e njerëzve dhe miqësive do të jenë aty. Jam duke u përpjekur të sensibilizoj shumë njerëz, pasi është një çështje që nuk ka të bëjë me emra të përjetshëm, por ka të bëjë më kapitullin më të rëndësishëm të historisë tonë” theksoi Nurellari.
Ndërsa po ashtu deklaroi se kohët e fundit nuk ka pasur komunikim me ish-krerët e UÇK, pasi sipas tij është kufizuar numri njerëzve që mund t’i takojnë.
“Është bërë një kohë e gjatë që nuk kam pasur komunikim pasi nuk jam pjesë e ekipit mbrojtës. Jam në rrethin e njerëzve që merren me organizimin. Për shkak të masave që janë marrë, është kufizuar numri i njerëzve që mund t’i takojnë. Duke qenë se është intensifikuar edhe procesi gjyqësor, atë kohë të lirë që kanë, është e përqendruar tek familja dhe njerëzit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin gjyqësor.
Komente









