Në prag të zgjedhjeve lokale qeveria ka krijuar agjencinë për zbatimin e reformës territoriale. Në mbledhjen e sotme të qeverisë e drejtuar nga kryeminsitri Edi Rama, është vendosur krijimi i Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale, AZRT, si institucion publik qendror, dhe në  varësi të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.
 
AZRT-ja ka si mision dhënien e ndihmës për garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike, në nivel vendor, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale. AZRT-ja ka si qëllim mundësimin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale, nëpërmjet bashkërendimit të të gjitha masave, proceseve dhe mbështetjes administrative deri në arritjen e funksionalitetit të plotë të 61 bashkive të reja. Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale i propozon ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore hartimin dhe iniciimin e projektvendimeve për përdorimin e këtij fondi për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.
 
AZRT-ja ka gjithsej 12 punonjës. Organigrama dhe struktura e AZRT-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit. AZRT-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie. Drejtori i Përgjithshëm i AZRT-së emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.
 
Marrëdhëniet e punës së punonjësve të kësaj agjencie rregullohen me Kodin e Punës. Ata emërohen, lirohen ose shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm, me miratimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

AZRT-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi specifike:
 
a) Mbështet ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore në bashkërendimin e masave dhe proceseve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.
b)  Mbështet dhe udhëzon punën administrative të institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore për zbatimin e legjislacionit në fuqi, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale.
c) Ofron shërbime për njësitë e qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.
ç) Bashkërendon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështetin reformën administrativo-territoriale.
d)  Ndërmerr dhe/ose zbaton projekte në mbështetje të njësive të qeverisjes vendore për garantimin e funksionalitetit administrativ dhe infrastrukturor, në kuadrin e reformës administrativo-territoriale.
          dh)    Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për zbatimin e reformës administrative-territoriale.
e)  Informon në mënyrë periodike institucionet publike dhe grupet e interesit për ecurinë e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.
ë)  Bën vlerësimin e kërkesave të njësive të qeverisjes vendore për përdorimin e fondit tranzitor për zbatimin e reformës territoriale, të parashikuar në pikën 8, të aneksit nr.1, bashkëlidhur ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”. 

 



Redaksia Online
(Shqiptarja.com)