Një ditë më parë, gazeta prestigjoze britanike “The Guardian” i kushtoi një shkrim Tiranës dhe ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në tre vitet e fundit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e veçoi artikullin si një dëshmi se energjia me të cilën kryhen punët e qytetit po vlerësohet gjithnjë e më shumë. Nga dëgjesa me banorët e Njësisë 10 për Buxhetin 2019, e zhvilluar në mjediset e rikonstruktuara të shkollës “Qemal Stafa”, Veliaj tha se që punët e mira të vazhdojnë për Tiranën, është jetike shumica në Këshillin Bashkiak, ndaj është e nevojshme që në zgjedhjet e radhës, vota të shkojë për Partinë Socialiste.
“Gazeta prestigjioze “The Guardian” publikoi një shkrim special për Tiranën, për mënyrën si kanë ndryshuar gjërat në qytetin tonë. Një nga gjërat që vihet re në mënyrë sistematike është sa i sigurt është ky qytet. Në Tiranë ka plot punë për të bërë, por “The Guardian” dhe shumë media kritike po na thonë se ky qytet, pas zgjimit nga letargjia 4-vjeçare, sot është më i mirë”, tha ai. Prandaj, “na duhet sot një shumicë në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi një shumicë në Parlament. Buxheti që po diskutojmë duhet të kalojë në Këshillin Bashkiak, në të cilin sot fatkeqësisht nuk kemi shumicën absolute. Jam i sigurt se ata të opozitës do të vijnë në ditën e votimeve, por duhet t’i pyesim: Ej, ku keni qenë? Pse keni tre vjet që nuk shkoni në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, që nuk votoni ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, që nuk votoni kompensimin e energjisë, banesat sociale, bonusin e qirasë për familjet që s’përballojnë dot çmimet e tregut? Pse keni tre vite që nuk votoni asgjë në Bashkinë e Tiranës?”, deklaroi Veliaj.
Në takimin e djeshëm mori pjesë edhe deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj, i cili theksoi se puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë i punës së kryebashkiakut Veliaj. Ai tha se Veliaj kërkon një mandat të dytë jo për të qëndruar në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara misionin e tij për transformimin e Tiranës.
“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qendrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”, deklaroi Xhafaj.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin maksimalisht PS, si e vetmja mënyrë që ritmi i punëve në kryeqytet të mos ndalet. Për të ilustruar rëndësinë e votës, Veliaj solli rastin e suksesshëm të rikonstruksionit të gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, ku falë mbështetjes së qytetarëve investimi po përkthehet edhe në cilësi në arsim. “Ky është realisht një nga ata shembuj që duhet ta përdorim për të thënë: Po, ky investim ka duk! Në qoftë se dikush mendon se vota nuk vlen, ja ku është rasti konkret që voton për të bërë një punë, e cila sjell këtë rezultat”, theksoi Veliaj.
Në dëgjesën me banorët e Njësinë 10, Veliaj listoi edhe një sërë investimesh të rëndësishme që kanë transformuar tërësisht zonën. “Kemi ndërhyrë në dy blloqe: rehabilituam hapësirën publike te Rruga e Durrësit, zona rreth bustit të “Adem Jasharit” dhe rikualifikuam zonës midis rrugëve “Sami Frashëri” dhe Bulevardit “Gjergj Fishta”, gjithë zonën mbrapa Shallvareve dhe tregut Çam. Kemi bërë asfaltimin e plotë të Rr. “Mujo Ulqinaku” dhe Rr. “Him Kolli”, vendosëm sinjalistikë horizontale e vertikale për gjithë lidhjet e Unazës së Vogël dhe Unazës së Mesme të Tiranës”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se është vendosur sinjalistika e plotë në 30 rrugë të kësaj njësie dhe është bërë asfaltimi dhe sistemimi në 45 rrugë të tjera.
Duke kërkuar bashkëpunimin e banorëve për mirëmbajtjen e investimeve, Veliaj shtoi se këto ndërhyrje kanë rritur vlerën e pronës së qytetarëve. “Kemi bërë një ndërhyrje në fasadat e Rrugës së Durrësit dhe pallatet Shallvare. Është një nga punët tona të para, por fakti se vlera e pronës është rritur disafish do të thotë se zbukurimi i qytetit e ka një peshë, ndaj do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, nënvizoi ai.