Zgjedhjet në BE: Cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së?

Zgjedhjet në BE: Cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së?

Fillimisht largimi i Britanisë së Madhe nga BE, pastaj Pandemia e COVID-19, pastaj lufta e Rusisë në Ukrainë, - që prej zgjedhjeve të fundit europiane zhvilluar në vitin 2019, parlamentarët europianë kanë qenë para sfidave të mëdha. Prandaj njeriu harron lehtë, cilat kanë qenë temat e agjendës.

Green Deal: Si janë punët me premtimet për klimën?

Në vitin 2019, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së, prezantoi një plan për të ulur deri në vitin 2030 emisionet e dioksidit të karbonit në BE me 55 përqind që sasisë që ka qenë në vitin 1990, dhe deri në vitin 2050 për të arritur neutralitetin e emisioneve. Në këtë mënyrë u reagua ndaj presionit të ushtruar prej të rinjve aktivistë që dolën të protestonin në rrugë në shumë vende, në të ashtuquajturën "valën e gjelbërt”. Gjatë zgjedhjeve të para pesë vjetëve shumë deputetë të gjelbër morën vende në Parlamentin Europian, si kurrë më parë.

Që nga ajo kohë Parlamenti i BE-së, ka marrë pjesë në bisedimet për përpilimin e disa ligjeve, me anë të të cilave mendohet të mbahen premtimet për përmbushjen e Pakteve të Gjelbërta, Green Deals. Mes tyre bëjnë pjesë për shembull planet për ndalimin dekadën e ardhshme të prodhimit të automobilëve me motor djegës dhe vendosjen e taksave mbi produkte të caktuara importi që mbajnë vulën e prodhimit të sasisë së lartë të dioksidit të karbonit, në mënyrë që ata që ndotin ambientin të detyrohen të paguajnë.

"Parlamenti Europian e ka dëshmuar veten se është ligjvënës me përvojë në çështjet e politikës së ambientit”, thotë Peggy Corlin, drejtuese e zyrës në Bruksel të Institutit të Fondacionit Robert-Schuman.

Gjatë këtyre ditëve sondazhet kanë treguar se tendenca shkon në disfavor të Të Gjelbërve. Për shkak të protestave zhvilluar në mbarë BE-në, Brukseli liberalizoi disa rregulla për ekonominë ekologjike, në mënyrë që të lehtësojë bujqit.

Dhe në muajin shkurt, ligjet me ndihmën e të cilave natyra e shkatërruar duhet kthyer sërish në gjendje të mirë, ekologjike, mezi arritën të merrnin aprovimin në votimin përfundimtar. Fraksioni më i madh i qendrës së djathtë, ktheu mbrapsht përkrahjen e ligjit, sepse kishte rezerva për sigurinë e lëndëve ushqimore. Në kuadër të bisedimeve teksti i ligjit u zbut në mënyrë të konsiderueshme.

Mbrojtësit e klimës i kritikuan të dyja versionet se zbusin premtimet e bëra më parë për klimën.

BE nxorri ligjet e para në botë për inteligjencën artificiale dhe Big Tech

Që prej vitit 2019, BE ka nxjerrë një seri ligjesh për të frenuar pushtetin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Vitin e kaluar hyri në fuqi një rregullore e re, e cila detyron platformat online që të luftojnë në mënyrë aktive përmbajtjet e dëmshme.

BE vuri në funksion disa herë kompetencat e reja digjitale dhe kontrolloi rrjetet sociale. Kështu me presionin e ushtruar nga BE, u ndaluan pjesë të aplikacionit TikTokLite që kishin të bënin me një sistem të diskutueshëm shpërblimi.

Andrea Renda, drejtor kërkimor në institutin Centre for European Policy Studies me qendër në Bruksel, tha për Deutsche Wellen, se deputetët e BE-së, morën pjesë "në mënyrë të konsiderueshme" në ashpërsimin e ligjeve të para për rregullimin e Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, paralajmëroi Renda, BE ndodhet para një „problemi të madh zbatimi", sepse çdo rregull është pajisur me procese të ndryshme zbatimi.

Migracioni në BE: megjithë arritjet vazhdojnë kundërshtimet

Për një kohë të gjatë vazhdon të jetë një nga temat më të diskutueshme: migracioni dhe politika e azilit të BE-së. Pas diskutimeve dhjetravjeçare, në fillim të muajit prill, Parlamenti i BE-së dha aprovimin përfundimtar të reformës së azilit. Shumë qeveri kombëtare e cilësuan këtë si histori suksesi.

Sipas ligjeve të reja, çdo vend i BE-së duhet të pranojë një numër të caktuar të migrantëve që mbërrijnë në brigjet e BE-së, ose duhet t'i paguajë një dëmshpërblim vendeve të tjera që i marrin migrantët. Për të përshpejtuar dëbimet, azilkërkuesit do të vlerësohen edhe sipas propabilitetit të pranimit të kërkesës së azilit. Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikojnë këtë ligj të ri.

"Sipas këndvështrimit të ligjvënësit dhe duke patur parasysh gjithë procesin rezultati mund të shihet si sukses," thotë Helena Hahn, analiste migracioni në institutin European Policy Center, me qendër në Bruksel. Por, thotë Hahn, rezultati zhgënjeu edhe shumë qeveri.

"Arsyeja, pse deputetët thanë Po më në fund, është gjykimi se është më mirë me një pakt, sidoqë të jetë ai, se sa pa pakt fare. Nëse reformat nuk do të ishin aprovuar, atëherë me siguri që do të merrej një shuplakë në zgjedhje," shpjegon ajo. "Partitë e qendrës dhe spektrit të majtë nuk donin të përballeshin me këto pasoja."

Futje hundësh nga jashtë: Spiunë në shtëpinë e demokracisë europiane?

Hijet e një serie skandalesh për futje hundësh të supozuara nga fuqitë jo europiane, bien ende mbi Parlamentin. Në vitin 2022, prokuroria belge kreu një hetim për një sistem ndikimi mbi deputetët që mendohet të jetë bërë kundrejt pagesave. Rasti u bë i njohur si „Katargate", megjithëse Katari hodhi poshtë të ketë marrë pjesë në të.

Në prill të këtij viti, u shfaqën njëra pas tjetrës njoftime për një aksion të supozuar rus propagande, dhe para fillimit të javës një punonjës i një deputeti gjerman të BE-së, u arrestua me akuzën e kryerjes së spiunazhit për Kinën. "Unë pyes çfarë do ndodhë tjetër," thotë për Deutsche Wellen, deputeti socialdemokrat gjerman në Parlamentin Europian, Gabriele Bischoff. "Është vërtet e rëndësishme që ne të bëjmë demokracinë tonë rezistente ndaj ndikimeve të huaja." Vitin e kaluar Parlamenti Europian forcoi mbrojtjen e Whistleblowern dhe ashpërsoi rregullat e transparencës për deputetët.

Politika e BE: Përkrahje për Ukrainën, dënim të Rusisë

Parlamenti Europian nuk mund të vendosë ligje me forcën e vet. Ai është i detyruar të diskutojë propozimet e tij me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Prandaj, Dhoma e tij shpesh luan me „pushtetin e dobët”, dhe nxjerr rezoluta që nuk janë ligjërisht të detyrueshme, për të rritur kështu persionin mbi institucionet e tjera të BE-së.

Deputeti europian i qendrës, Billy Kelleher nga Irlanda tregon se parlamentarët e ushtruan këtë lloj ndikimi në kuadër të luftës ruse në Ukrainë. Ata detyruan qeveritë që të ulin varësinë nga gazi rus dhe të forcojnë përkrahjen për Ukrainën.

"Parlamenti ishte me të tjerët që në fillim kur që me një listë të zgjeruar sanksionesh kundër Rusisë, detyruan uljen e aftësisë së saj për të financuar luftën në Ukrainë," thotë Kelleher për Deutsche Wellen. Ai është një mes shumë deputetëve, që ka vizituar Ukrainën, që në shkurt të 2022.

Përndryshe Parlamenti ka pak pushtet direkt në politikën e jashtme, sepse vendimet merren nga qeveritë e BE-së. Deputetët kërkojnë gjithjë e më shumë rritjen e ndikimit. Me argumentin, se ata janë zgjedhur në fund të fundit direkt nga qytetarët e BE-së për të qenë anëtarë të Parlamentit.

Por kjo nuk është diçka me prioritet për të gjithë politikanët BE-së. "Ne duhet të respektojmë vendimet e qeverive kombëtare, sepse ata janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit," thotë deputeti europian, Nicola Procaccini, kryetar i fraksionit nacionalist të djathtë ECR.

Ashtu si partitë e spektrit të qendrës së djathtë deri tek të djathtët e skajshëm edhe partia e Procaccinisit mund të marrë në zgjedhjet e BE-së të këtij qershori vota nga votat e qendrës dhe të majtës./ DW

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje