Analistët në Hungari vlerësojnë se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje mund të sjellë një ndryshim të madh në përbërjen e Parlamentit të ardhshëm hungarez, duke i vënë nën presion partitë e vogla dhe duke e shtyrë vendin drejt një gare gjithnjë e më të qartë mes dy forcave kryesore.

Sipas analistit dhe politikanit Gábor Fodor, dinamika e votimit tregon se vendi po lëviz me shpejtësi drejt një skene politike të dominuar nga dy kampe, ndërsa partitë e vogla po hyjnë në një zonë rreziku. Në vlerësimin e tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më shumë rritet mundësia që Parlamenti i ri të ketë një konfigurim dukshëm më të polarizuar.

Fodor thekson se mobilizimi i lartë nuk mund t’i atribuohet automatikisht vetëm njërës palë. Sipas tij, si partia në pushtet ashtu edhe opozita kanë arritur të nxjerrin votuesit në qendrat e votimit, ndërsa një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe zhvillimet emocionale dhe përplasjet e forta të ditëve të fundit të fushatës.

Në këtë kuptim, sipas tij, zgjedhjet nuk po prodhojnë vetëm një rezultat, por mund të shënojnë edhe një riformatim të vetë sistemit politik hungarez.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet parlamentare në Hungari/ Numërohen mbi 29% e votave, kryeopozitari Magyar kryeson mbi 50%, Orban 41%! Pjesëmarrja arriti shifra rekord: 77,8%