Pjesëmarrja në zgjedhjet në Hungari ka thyer rekordet, me mbi 66% të votuesve që kanë votuar deri në orën 15:00, ndërsa nga terreni mediat lokale raportojnë për probleme dhe incidente gjatë procesit.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja ka arritur në 66.01%, që përfaqëson një nivel historik për këtë fazë të ditës, me afro pesë milionë qytetarë që kanë hedhur votën. Pjesëmarrja është veçanërisht e lartë në qytete, ku mobilizimi i votuesve ka qenë më i madh.

Në nivel rajonal, shifrat tregojnë diferenca të dukshme mes qarqeve. Rekordin e mban qarku Pest me 69.67% dhe mbi 731 mijë votues, i ndjekur nga Győr-Moson-Sopron me 68.38% dhe Veszprém me 67.63%. Nivele të larta janë regjistruar edhe në qarqet Fejér (67.59%) dhe Vas (67.17%).

Ndërkohë, pjesëmarrja më e ulët është shënuar në qarqet Borsod-Abaúj-Zemplén me 60.08% dhe Szabolcs-Szatmár-Bereg me 60.33%, megjithëse edhe këto mbeten shifra të larta në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Procesi zgjedhor është shoqëruar edhe me raportime për parregullsi në disa zona të vendit. Sipas Koalicionit për Votim të Pastër, janë evidentuar raste të transportit të organizuar të votuesve dhe shoqërimit të tyre drejt qendrave të votimit.

Në Dunaújváros, votuesit kanë marrë fletë votimi ku nuk ishte hequr emri i një kandidati të tërhequr, ndërsa në zona si Hajdúhadház dhe Hajdúsámson janë raportuar raste të shoqërimit të votuesve, përfshirë edhe të moshuar.

Raportime të tjera flasin për automjete që lëvizin gjatë gjithë ditës për të transportuar votues, si dhe për të shpërndarë pako të ndryshme për votuesit në qytete si Miskolc dhe Kazincbarcika. Në këtë të fundit është fotografuar edhe një kandidat i Fidesz duke i dhënë një pako një votuesi.

Shpërndarja e pjesëmarrjes deri në orën 15:00 sipas qarqeve:

• Qarku Baranya – 63.67% (180,094 votues)
• Qarku Bács-Kiskun – 64.15% (251,282 votues)
• Qarku Békés – 65.17% (167,266 votues)
• Qarku Borsod-Abaúj-Zemplén – 60.08% (288,163 votues)
• Qarku Csongrád-Csanád – 66.31% (206,198 votues)
• Qarku Fejér – 67.59% (225,495 votues)
• Qarku Győr-Moson-Sopron – 68.38% (246,340 votues)
• Qarku Hajdú-Bihar – 63.33% (257,980 votues)
• Qarku Heves – 65.15% (147,626 votues)
• Qarku Jász-Nagykun-Szolnok – 63.3% (177,512 votues)
• Qarku Komárom-Esztergom – 66.09% (156,652 votues)
• Qarku Nógrád – 62.21% (90,251 votues)
• Qarku Pest – 69.67% (731,952 votues)
• Qarku Somogy – 64.17% (150,455 votues)
• Qarku Szabolcs-Szatmár-Bereg – 60.33% (251,080 votues)
• Qarku Tolna – 63.8% (106,005 votues)
• Qarku Vas – 67.17% (132,171 votues)
• Qarku Veszprém – 67.63% (182,599 votues)
• Qarku Zala – 66.43% (139,419 votues)


Lajmi kryesor:

Pjesëmarrje rekord! Mbi 74% e hungarezëve votuan në zgjedhjet parlamentare deri në orën 17:00, mbretërimi 16-vjeçar i Orbanit kërcënohet nga sfidanti Magyar