Kosova ka zhvilluar zgjedhjet e dyta parlamentare pas 9 muajsh nga procesi i parë zgjedhor. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme u zhvilluan në kushtet e një shteti drejt kolapsit pas dështimit të Partisë Lëvizja Vetëvendosje për të krijuar qeverinë.

Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, është Albin Kurti me partinë LVV që kryeson bindshëm me 49.30%. Pas LVV-së renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%.

Abdixhkiu në një deklaratë për media deklaroi se do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë duke paralajmëruar kështu dhe për një dorëheqje të mundshme nga drejtimi i partisë. Nga ana tjetër, Albin Kurti ka shpallur fitoren e parakohshme ndërsa ftoi dhe partitë opozitare për bashkëpunim, kryesisht për çështjet ndërkombëtare.

Ndërkohë ende për tu numëruar janë votat me postë, ato me nevoja të veçanta dhe votat me kusht, e më pas do të shpallen rezultatet përfundimtare. Kreu i KQZ Kreshnik Radoniqi deklaroi se sot do të nisë numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV arriti të siguronte 42.30% të votave, e përkthyer në 48 mandate. Në vend të dytë u rendit PDK me 20.95% të votave ose 24 mandate, pasuar nga LDK me 18.27% vota përkthyer në 20 mandate.

Me rezultatin që ka marrë Kurti, në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 56 deputetë. Kurtit i duhen jo më shumë se 5 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.

Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 deputetë. Lidhja Demokratike ka 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 deputetë.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur me 8 deputetë, nga 48 sa i kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një deputet.

Humbësja më e madhe është LDK-ja që ka humbur pesë deputetë, nga 20 sa kishte.

AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 deputetë.

Kjo përllogaritje vlen pa u numëruar votat nga postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëse të tjera në Kuvendin e Kosoës ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera.

Foto:Si priten të shpërndahen 120 vendet në Kuvendin e Kosovës

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:44
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, analisti: Fitorja e Kurtit u shkaktua nga shterpësia e opozitës

Dje në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm me 49.30% të votave.

Në lidhje me këtë situatë analisti Melazim Koçi tha në ‘Shtypi i ditës dhe Ju’ se ajo që ndikoi në këtë rezultat ishte pikërisht për shkak të opozitës dhe votave të Diasporës

“Fitorja është bindëse dhe e shkaktuar nga dy faktorë: një shterpësia totale e opozitës dhe tjetra vota e diasporës. Sipas disa vlerësimeve kanë ardhur 400 mijë mërgimtarë e konfirmuar edhe nga pikat e kalimit kufitar. S’di ta them pse diaspora anon më shumë nga Kurti por, ka ndikuar në fitoren Kurtit. Nga ana tjetër opozita ka bërë gabime politike të pafalshme. Kjo është opozitë pa ide nuk dijnë sesi ta luftojnë popoulizmin e Kurtit”, tha Koçi.

Ndër të tjera analisti komentoi edhe qetësinë e Kurtit në këto zgjedhje.

“Në fjalimin e tij mbrëmë ishte shumë i qetë, nuk shfaqi triumf, por i ofroi opozitës një bashkëpunim, ishte një Albin Kurti pa nota euforie. Kjo është ajo që i duhet Kosovës më së shumti”, shtoi ai teksa nënvizoin se Kurti do ta formojë  qeverinë pa problem.