Sot nis votimi për shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar përmes postës në zgjedhjet e 7 qershorit. Me postë për këto zgjedhje pritet të votojnë rreth 105 mijë votues.

Të enjten zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku shërbimi votues i këtij institucioni ishte duke bërë gati pakot e fundit me fletëvotime të cilat do t’ju dërgohen votuesve të regjistruar, ka njoftuar se para të mërkurës, KQZ-ja ka përgatitur 75,000 pako individuale dhe se ato pritet të shpërndahen nga data 21 maj (sot), ndërsa rreth 30 mijë të tjera sipas tij, janë dërguar të enjten.

Sipas KQZ-së, çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban: Udhëzuesin për procedurën e votimit; fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; dhe zarfin kthyes.

Sipas KQZ-së, në çdo dërgesë postare operatori ekonomik ka vendosur nga një numër të veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

Votimi përmes postës do të përfundojë më 6 qershor, ndërsa KQZ u ka bërë thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, në mënyrë që të arrijë me kohë në kutinë postare dhe më pas të tërhiqet për t’u sjellë në Kosovë për numërim.

Për votimin me postë jashtë Kosovës, KQZ ka funksionalizuar kutitë postare në 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë./ Koha