“Në PD ka rënë një sëmundje e madhe që duhet të kurohet urgjentisht”. Kështu e konsideron ish-deputeti i PD Edmond Spaho situatën aktuale në parti që është në prag të zgjedhjes së kreut të ri.
Në studion e “Sot, Live në Shqipëri”, Braho tha se Sali Berisha nuk do të lejojë askënd tjetër të jetë alternativë në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen më 23 maj, e mandej shton se kushdo që flet një fjalë kundër, e sheh veten te dera. Ky është edhe rasti i Ervin Salianjit, i cili edhe pse i “vetëpërjashtuar” siç thotë Berisha, do të kandidojë për të marrë drejtimin e PD.
“Edhe kjo praktikë synon të kontrollojë procesin zgjedhor, që të ketë njerëz që t’i japin urdhra, të jenë besnikë. Pse nuk duhet ta lejosh të kandidojë dikush që plotëson kushtet e statutit. Nëse plotëson kushtet bazë, hidhi në garë dhe vota ta vendosë se kush do të zgjidhet.
Edhe fakti që Salianjin e vetëpërjashtuan tregon se mund të jenë të dy arsyet, por me e rëndësishmja është që procesi bëhet selektiv. Nga njëra anë flasim për hapje, i bëjmë thirrje shoqërisë civile të na bashkohet, nga ana tjetër nuk lejohet njerëzit të kandidojë për kryetar PD, për kryetar dege. Pse duhet të vijë ia tjetri, që të serviloset për çdo gjë ty, të mos flasë për asnjë alternativë tjetër se në të kundërt tregohet dera. Kjo është një sëmundje e madhe dhe e rënë në PD që duhet të kurohet urgjentisht”, tha Spaho.
Spaho hedh si hipotezë dhe daljen në skenë të “Lulëzim Basha numër 2”, i vetmi opsion ku Sali Berisha mund të heqë dorë nga drejtimi i PD dhe të vendosë në krye paardhësin e tij.
“Nuk po lejohet, synohet të ketë një zgjidhje unanime ku kandidati i vetëm do të jetë Berisha me probabilitetin më të madh, por nuk habitem sikur ditën e fundit të dalë ndonjë Lulëzim Basha 2, ndoshta edhe heq dorë dhe vë mëkëmbësin e tij. Problemi është i vogël, por s’do të habitesha”, tha ish-deputeti i PD.
Ndër të tjera Spaho thotë se Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me këtë gjendje aktuale sot. Protestat e opozitës nuk frymëzojnë e nuk kanë fuqi për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Përsa i përket qëndrimit të gjatë në opozitë, Spaho tha se deputetët e opozitës ndihen komod me atë status ndërsa një tjetër “justifikim” është dhe pritja e radhës (sipas moshës) për të marrë drejtimin e partisë.
“S’ka rëndësi se çfarë them unë, ka rëndësi se çfarë po ngjet në terren. Protestat tregojnë që PD nuk ka fuqi të vijë në pushtet. Po nuk arrite të ngresh të gjithë popullin, ta ndërgjegjësosh, të krijosh frymë, s’ke për ta hequr Ramën.
Mesa duket një grup deputetësh ndihen komod me të qendurit deputetë dhe presin kur të vijë koha që të dalë pasardhësi i Berishës, pasi vjen edhe një kohë që është mosha biologjike, thonë të presim kur të na vijë radha ne që të marrim partinë”, tha Spaho.
PD ka 3 kritere për pranimin e kandidaturave për kreun e partisë. Përveç profilit shumë të lartë politik dhe mbajtjes së pozicioneve drejtuese, një tjetër është dhe ndalimi i kandidimit nëse personi është i dënuar me vendim të formës së prerë. Ky kriter i fundit përjashton automatikisht nga gara Ervin Salianjin.
Komente









