TIRANË- Diplomati Ermal Dredha do të jetë kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës sa i takon zgjedhjeve vendore 2023. Gazetari i Report Tv, Ermal Qori ka mësuar se Ermal Dredha do të zëvendësojë në garë kryebashkiakun aktual Dritan Lelin, të cilit socialistët nuk do t’i japin një shans të tretë për Vlorën.

Aktualisht, Dredha mban postin e ambasadorit të Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dredha ka një karrierë të pasur në diplomaci. Ai ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali. Dredha do të kandidojë në vendlindjen e tij, ndërsa më herët postin e kryebashkiakut të Vlorës e ka mbajtur edhe i ati i tij, Neki Dredha, konkretisht në vitet 1998-2000.

Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama nuk do t’i japë një shans tjetër as kryebashkiakut aktual të Sarandës, Adrian Gurmës. Burime bëjnë me dije se për bashkinë e Sarandës, PS do të kandidojë Olti Çaçin.

Më datë 25 mars, socialistët do të bëjnë publike listën e kandidatëve në të gjitha bashkitë e vendit. Në fakt nuk pritet të ketë shumë surpriza nga kjo listë, pasi rreth 2/3 e kryetarëve aktual pritet të rikandidohen sërish për në garën elektorale të zgjedhjeve vendore.

Tirana do t’i besohet sërish kryebashkiakut Erion Veliaj, Elbasani kryebashkiakut Gledian Llatja, Durrësi do t’i besohet sërish Emirjana Sakos, Fieri Armando Subashit. Ndërkohë një emër shumë i përfolur për Shkodrën është Benet Beci. Ky i fundit nëse do të jetë kandidat do të ketë një sfidë të vështirë përpara për të thyer bastionin historik të së djathtës, ndërkohë që përballë do ketë Bardh Spahinë nga Rithemelimi.