Zbulohet skenari i Berishës për të goditur Bashën në zgjedhjet e pjesshme lokale, Duka: Na ka bërë ftesë për bashkëpunim, do krijojë një koalicion

TIRANË- Sali Berisha ka gati një plan se si t'i "prishë punë" Lulzim Bashës në zgjedhjet e pjesshme që priten të shpallen në 6 Bashkitë që kanë mbetur pa një kryetar. Ka qenë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka i cili ka zbuluar detaje ku ka bërë me dije se Berisha po planifikon krijimin e një koalicioni me aleatët e zhgënjyer të Bashës dhe për të propozuar nga një kandidatë. Pas LSI dhe demokristianëve të Nard Ndokës që kanë zyrtarizuar të parët divorcin me Bashën, edhe Agron Duka i PAA konfirmon se ka marrë një ftesë nga Sali Berisha për të bashkëpunuar për zgjedhjet në bashkitë që nuk kanë një kryetar. Megjithatë, ndonëse flet për krijimin e një koalicioni Duka e lë të paqartë se si do përfaqësohet Berisha.

"Ne do marrim mendimin e bashkëpunëtorëve dhe kam lënë një takim, mundësitë janë të ndryshme, kemi një sinjal nga grupi i Berishës, nga vetë ai për një farë bashkëpunimi që të nxjerrim kandidaturë të një koalicioni, deri këtu jemi, nga Basha nuk kemi asnjë ftesë, megjithëse koha është shumë e kufizuar., mundësitë janë të ndryshme, mund të marrim vendim për të përkrahur një kandidaturë pavarësisht se kujt kandidature i takon, nga 2 kandidatura mendojmë se është më i mirë me një vlerësim sipas perceptimit tonë, apo njerëzve në terren. Mund të bëjmë koalicion me një nga pjesët e PD-së, ose të jemi indiferentë, por s'do preferoja të ishim indiferencë, se në fund të ditës në politikë jemi, mund të dalim, unë e kam një ide të tillë që ne të dalim me kandidatë me sigël të PAA, duke qenë se kemi 6 vjet duke marrë përsipër këtë projekt, nëse e shohim veten të aftë të marrim vota në 6 bashki ose disa prej tyre, mund të dalim, edhe për betejë elektorale. Unë vetë? Ka njerëz më me energji, nëse shohim që një nga kandidaturat e Bashës ose Berishës, do e mbështesim", tha Duka. 

Në intervistën në 'Sot Live në Shqipëri' në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, Duka thekson nuk e mendon se Berisha 'Non Grata' është një problem, e ndërsa thotë se në këto zgjedhje PS-ja është më e favorizuar, por nuk i përjashton surprizat. 

"Nëse do fillojmë të mendojmë, sipas meje, që grupi Berisha ka këtë barrën negative të shpalljes 'Non Grata' duhet të bëjmë pas dhe të kanalizohemi vetëm me PD zyrtare, që për mua më duket e padrejtë, nëse PD-ja zyrtare zgjedhje një kandidat që ne nuk na pëlqen, duke qenë bashkë disa bashki mund të fitoheshin, nga këto të 6, siç është Durrësi dhe Shkodra, kështu mundësitë janë më të vogla, por jo të pamundura, nëse goditet me një kandidature të mirë, mund të ketë rezultat surprizë. Partia ka rëndësinë e vetë, por shumë rëndësi ka individi, nëse ai ofron siguri mundet të fitojë", u shpreh Duka në Report TV. 

Zgjidhjen për luftën në PD nuk e sheh as te vendimi i Gjykatës, pasi sipas tij Gjykata do të japë një përgjigje pa përgjigje. Idealen e sheh te zgjedhjet brenda PD-së, por në kushtet kur kjo nuk pranohet nga Lulzim Basha, për Dukën, zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie do jetë një test për të dyja palët. 

"Idealja do të ishte të ketë zgjedhje, të ketë konkurrencë, ndoshta këtë zgjedhjet e pjesshme vendore, do të japin edhe një farë argumenti sipas renditjes së grupimeve të PD, ai që do të renditet përpara do të thotë unë jam më i votuari", tha Duka.

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit kanë deklaruar se janë gati për zgjedhjet vendore dhe se po përgatitet në struktura për fushatën e kandidatëve të tyre. 

 

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Projektligji, kushtet e reja për abortin dhe lindjet invitro

Projektligji, kushtet e reja për abortin dhe lindjet invitro