Në fjalën e tij në Kuvend, Sali Berisha tha se Ergys Agasi kishte nën kontrollin e tij të gjitha sekretet e shtetit, pas lidhjes së zbuluar mes biznesmenit dhe ish-drejtoreshës së arrestuar të SHISH, Vlora Hysenit.

Berisha shprehet se Hyseni ëshë anëtare e grupit më të rrezikshëm kriminal, ndërsa tha se seanca e sotme është historike si mbledhja e parlamentit më të papërgjegjshëm.

“Kjo seancë do të hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot për çdo shqiptar që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështje të të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e Shërbimit Informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal, Agasi. Në këtë sallë kam deklaruar se Ergys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Europës. Po, sepse ai kontrollonte si asnjë tjetër në Shqipëri dhe Europë, të gjitha kartelet e drogës, internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe Shërbimin Informativ Kombëtar. Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë e kishte nga padrino i vendit. Rasti i Vlora Hysenit është i treti në botë”, tha Berisha.

Më tej, Berisha tha se emërimi i Hysenit është akt i papërgjegjshëm sigurie. Sipas tij, ajo ishte nën shërbim të Vuçiçit e Ramës dhe të krimit. Sipas Berishës, i cili iu drejtua mazhorancës, ishte Hyseni që nën drejtimin e Agasit, që merrte çdo vendim lidhur me ta.

“Ky personazh i përçudnuar që pasi shkarkohet nga detyra në një vend demokratik për motive të forta, po ato motive e sjellin atë këshilltare të padrinos dhe më pas në krye të SHISH. Emërimi i saj jashtë të gjitha kritereve përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit. Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. Ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës. Ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte një ushtare. Anëtare e një organizate më të rrezikshme kriminale, njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti, që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush, njeriu që ju thërriste ju në zyrë. Logjika është se është shembur piramida e sigurisë. Së dyti, shteti ka përfaqësime, por përfaqësimi më sensitiv është i shërbimit”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Tensione në Kuvend/ PD kërkon debat për SHISH: Ra siguria kombëtare, Rama të dorëhiqet! PS rrëzon kërkesën, opozita bllokon foltoren