Zgjedhjet vendore, Shqipëria votoi!

Zgjedhjet vendore, Shqipëria votoi!
TIRANË - Vota e 21 qershorit rikonfirmon të majtën, ndërsa në Tiranë udhëheq Veliaj. Rezultatet e deritanishme nxjerrin fitues me një diferencë të thellë koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, pas zgjedhjeve të së dielës ku mbi 3.3 milionë shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në 61 bashki.

Qytetarët shqiptarë votuan për 157 kandidatë për kryetar në 61 bashki. 63 parti të cilat garuan për të pasur përfaqësuesit e tyre në 1595 vende në këshillat e bashkive. 52 parti janë pjesë e dy koalicioneve të mëdha, Aleancës për Shqipërinë Evropian (37) dhe Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet (15), ndërsa 11 parti garuan të vetme.
 
Zhvillimet përgjatë gjithë ditës minutë pas minute data 22-23 Qershor

Ora 17:50 Gjoncaj për A1 Report: Ecurinë shume e mire, fiton e gjithë Shqipëria
“Ka problematika të vogla si rasti i Dibrës dhe ai i Këlcyrës.Këto janë zgjedhjet më të mira që ne kemi bërë”. Kështu u shpreh përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj. Në një intervistë për A1 Report Gjoncaj tha se gjithçka që do të dalë nga ky proces do të jetë i mirëpranuar nga të gjitha palët.
 
“Procesi zgjedhor ishte me standarde  të larta, i vlerësoj vrejtjet e OSBE-ODIHR edhe pse nuk munda ta ndiqa. Por, në dijeninë time them se këto janë zgjedhjet më të mira që ne kemi bërë. Gjithçka që do dalë nga ky proces do jetë i mirëpranuar nga të gjitha palët”, - tha Gjoncaj.
 
Pyetjes si e komenton faktin që numërimi i votave për Këshilltarë  Bashkiakë nuk ka nisur ende, ai tha se këto zgjedhje në radhë të parë bëhen për të zgjedhurit vendorë, por kanë rëndësinë e tyre edhe këshilltarët bashkiakë sepse ata janë parlamenti vendorë.



“Është e vërtetë. Rendet për të përmbyllur numërimin për kandidatët dhe kjo është logjike, por ka në rëndësi edhe votat për këshilltarët sepse ata janë parlamentet vendore”, - tha ai.
 
Më tej ai tha se në këto zgjedhje pavarësisht rezultateve ka fituar Shqipëria.
Fitoi Shqipëria në këto zgjedhje. Jam i gëzuar që koalicioni im është fitues, por jam i lumtur që procesi shkoi dhe po shkon shumë mirë dhe për këtë fiton e gjithëshqipëria”,-tha Gjoncaj

Ora 02:40 Komisionerët tensione me numëruesit në Himarë
Një situatë e tensionuar është krijuar në qendrën e numërimit në Himarë. Kanë qenë komisionerët të cilët kanë nisur debatet me argumentet se vëzhguesit kanë dhënë informacione komisionerëve të tjerë. Por tensioni është ulur pas ndërhyrjes së të pranishmëve.
 
Korrespondenti i A1 Report Armand Xhelili i cili po vëzhgon procesin zgjedhor në Bashkinë e Himarës sjell edhe një video të situatës që u tensionua për disa çaste.
 
Deri në këto momente në Himarë janë hapur 3 kuti, ato të fshatrave të Vranishtit, Bolenës, Tërbaçit. Nga numërimi në këto kuti kryeson deri më tani me 100 vota kandidati i majtë Jorgo Goro përballë kandidatit të PBDNJ-së Fredi Beleri.



Ora 01:50 Pusteci vulos reformën territoriale, Themelko kryebashkiaku i parë fitues
Në një lidhje telefonike për A1 Report kryebashkiaku i parë që u zgjodh në vendoret e së dielës, Edmond Themelko foli për emocionet e para të fitores. Pusteci, i cili deri dje ishte komunë, nga sot me vulosjen e ndarjes së re administrativo territoriale me 61 bashki, është bashkia më e vogël e minoritetit maqedonas në vendin tonë. 8 kutitë e kësaj bashkie u numëruan pa u shoqëruar me incidente ku Themelko doli fitues me mbi 80 % të votave, një diferencë e thellë nga kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet Miallaq Apostollovski.
 
“Tani sa mbaroi numërimi për bashkinë e Pustecit kemi marrë një fitore të thellë. Bashkë po i ndajmë emocionet e kësaj fitoreje. Unë kam qenë kryetar i komunës së Pustecit, tashmë kryetari i bashkisë. Ne menduam që do të ketë më shumë hapësira për ta zhvilluar jo vetëm ekonomikisht bashkinë e Pustecit po edhe për të ruajtur kulturat e minoritetit maqedonas në Pustec edhe më gjerë”.



(Lidhja e plotë telefonike me Edmond Themelkon)
 
Themelko është njëherësh kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian.

rezultati pustec

01:20 PBDNJ denoncon manipulime gjatë numërimit në Dropull
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar vijimin e procesit në numërimit në KZAZ-në 80 Bashkia Dropull. Sipas tyre Kandidati për kryetar i PBDNJ-se Kosta Ziso si dhe vëzhguesit e kësaj partie nuk lejohen të hyjnë brenda ambienteve ku po numërohen votat. Sipas PBDNJ duhen të merren masa për këtë precedence jo demokratike dhe papranueshme. 


Ora 01:15 Tirane, numërohen 4 kuti në KZAZ 38

guri, bojaxhi

FOTO

00:21 Nis numërimi në njësinë 8 në Tiranë
Numërimi i kutive të votimit ka nisur edhe në Tiranë. Qendra e parë ku ka nisur numërimi i votave është tek qendra e votimit e ngritur në ambientet e Shkollës së Kuqe, e cila është KZAZ 38, njësia numër 8. Ndërkohë pritet të nisë procesi i numërimit në të gjitha KZAZ-të.

numerimi shkolla kuqe


Ora 00:05 Pusteci numëron 8 kutite: Zgjidhet kryebashkiak Themelko
Në Bashkinë e Pustecit procesi i numerimit te votave eshte permbyllur brenda nje kohe te shkurter. Kandidati i majtë Edmond Themelko ka fituar me nje diference te thelle me mbi 80 % te votave perballe kandidatit te djathtë Mihallaq Apostollovska.

Ora 22:45 Tabaku: Ka pasur incidente, por s’kemi dashur të krijojmë panik 
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se gjatë ditës kanë identifikuar disa incidente, por që nuk kanë dashur t’i bëjnë publike për të mos krijuar panik.
 
Më tej ajo deklaron për mikrofonin e A1 Report se po presin që të nisë numërimi duke theksuar se PD do t bëjë maksimumin për transparencë



Ora 21:56
 Luzi:Pjesëmarrja nga të dhënat që kemi 48,29%, në Pustec nis numërimi
Bashkia e Pustecit, e cila është edhe Bashkia më e vogël pas ndarjes së re territoriale është njësia e parë ku ka filluar procesi i numërimit të votave. Konfirmimi vjen nga kryetarja e KQZ, Lefteri Luzi e cila theksoi se pa u dorëzuar të gjitha kutitë e votimit në KZAZ, nuk mund të fillojë numërimi, ndërsa në Pustec ka përfunduar ky proces.



Gjithashtu Lefterie Luzi bëri me dije se deri tani për pjesmarrjen kanë raportuar vetëm 1825 QV të cilat përbëjnë 35 % të totalit. Duke u bazuar vetëm tek të dhënat e marra nga këto QV, Luzi bën me dije se pjesmarrja është 48.29 %.

perqindja e votuesve
(Pjesmarrja e votuesve sipas të dhënave që ka disponuar KQZ deri në orën 22:40)

Ora 21:22 Mbyllet votimi në Qarkun e Beratit, nis procesi i numërimit
Në orën 19:00 të 324 qendrat e votimit në Qarkun e Beratit u mbyllën. Rezultatet janë këto për qytetin e Beratit kanë votuar 45% votues për qytetin e Skraparit, 50% për Poliçanin 45%, ndërsa për Kuçovën 48%, për Urën Vajgurore 50%. Këto janë rezultatet përfundimtare të mara nga kryetarët e KZAZ-ve. Kutitë e votimit i janë drejtuar KZAZ-ve, ku do të kryhet procesi i numërimit.





Ora 21:00 Pjesëmarrja në votim në shkallë vendit rreth 45%
Ndërsa është mbyllur procesi i votimit pothuajse në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja është:
Në Pogradec rreth 45 %, në Kolonjë 51 %, në Berat votuan 45%, në Skrapar votuan 50%, në Urën Vajgurore votuan 50%, në Kuçovë 48%, në Poliçan 45%, në Memaliaj 45 %, në Kukës 62 %, në Has 62 %, në Tropojë 50 %, në Kurbin rreth 22%, në Përrenjas 57.3%.

Ora 20:46 Mbyllet votimi në qarkun e Lezhës
Në Qarkun e Lezhës është mbyllur procesi votimit në 260 Qendra Votimi dhe ka nisur shoqërimi për në vendin e numërimit të votave.





Ora 20:43 Tiranë merren në dorëzim kutitë e 1156 QV-ve
Drejtoria e Policisë Tiranë njofton se ka marrë në dorëzim 1156 qendra votim. Mbeten për t’u marrë në dorëzim dhe vetëm 10 qendra votimi, pasi ende nuk është mbyllur procesi i votimit.





Ora 20:40 Shkodër, u largua me vulën rikthehet sekretari i komisionit
Procesi i votimit në qarkun e Shkodrës është mbyllur në të gjithë qarkun përveç qendrës së votimit nunër 243 në tek “Zeoteknika” në qendër të qytetit. Kjo pasi, sekretari i komisionit, përfaqësues i PS-së, u largua me vulën duke bllokuar për disa minuta procesin e votimit. Aktualisht në këtë qendër janë në pritje për të votuar rreth 40 qytetarë. Incidenti ndodhi pas një debati mes komisionerëve.

Ora 20:15 Mbyllen shumica e QV, kutitë nisen drejt qendrave të numërimit
Procesi i votimit ka mbaruar Memaliaj, në Urën Vajgurore, në Berat, në Kamëz, në Kukës, në Tropojë, Në Has, në Kurbin, në Korçë, në Pogradec, në Lushnjë, në Divjakë, në Krujë.

Vijon votimi i të burgosurve në burgun e Fushë Krujës.



Ora 19:55 Xhaçka-Komisionerëve:Përfaqësoni ligjin, votat numëroini me besnikëri
“Komisionerët nuk duhet ta harrojnë se janë propozuar nga partitë, por në tryezën e numërimit përfaqësojnë ligjin”. Kështu ka dekalruar zëdhënëse e fushatës së Partisë Socialiste në një deklaratë për mediat në përfundim të procesit të votimit. Ajo tha se tani është koha për t’u fokusuar tek standardi i numërimit.

Teksa ka bërë edhe një panoramë të ecurisë së zgjedhjeve në të gjithë vendin ajo e ka quajtin atë si procesin më të qetë zgjedhor të mbajtur ndonjëherë, ku incidentet e ndodhura ka qenë minimale.



Ajo e ka mbyllur delaratën e saj me një apel për komisionerët, duke u kërkuar atyre që tu japin shqiptarëve që votuan sot atë që u takon, një numërim të drejtë e të denje për ambicien e Shqipërisë Europiane.
 

Ora 19:41 Paloka: Ka pasur përpjekje për manipulim, por ne fitojmë
Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka përmes një deklarate për mediat është shprehur se përpjekjet për manipulim nga ana e mazhorancës kanë qenë prezente gjatë gjithë ditës, dhe sipas tij PD ka arritur të frenojë disa prej tyre.
 
Por kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike thekson se pavarësisht këtyre situatave, të dhënat e tyre flasin për fitoren e kandidatëve të djathtë.



 
Ora 19:30 Mbyllen Qendrat e para të votimit
Kur ka kaluar 30 minuta nga orari zyrtar i mbylljes së qendrave të votimit raportohet se ka nisur mbyllja e procesit në disa qendra votimi. Kështu qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë qarkun e Beratit, në Memaliaj, në Tepelenë por edhe në disa komuna të Fierit, si Levan, Frakull, komuna Qendër.

Ora 19:00 Përfundon procesi i votimit pritet konfirmimi nga gjithë QV
Ora 19:00 shënon përfundimin zyrtar të procesit të votimit në të gjitha Qendrat e Votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, personat që ndodhen brenda Qendrave të Votimit në orën 19:00 kanë të drejtë të votojnë edhe pas kësaj ore, ndërsa nuk lejohet që të hyjnë persona të tjerë pas kësaj ore. 

Procesi i votimit pavarësisht ndonjë incidenti të vogël përgjithësisht ka qenë i qetë dhe normal. 

Ora 18:55 Kaso për A1 Raport: Të gjitha shkeljet janë dokumentuar nga PD
Në një intervistë për A1 Report, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka folur rreth situatës së sotme në burgun e Rrogozhinës, ku  të burgosurit të cilët vuanin dënimin aty nuk kanë mundur të votojnë.

Ai tha se KQZ nuk ka mbajtur një qëndrim të hapur veçanërisht me PD-në në këtë rast, teksa ka shtuar se forcat politike janë lajmëruar në orën 2 të mëngjesit që të çojnë komisionerët në Rrogozhinë.

“Nuk ka pasur asnjë zgjedhës të regjistruar sepse nuk ka pasur anjë qytetarë që ndodhet në burgun e Rrogozhinës të regjistruar në regjistruar si qytetar i Rrogozhinës, të cilët të kishin të drejtën të votonin. Dje KQZ është vënë në dijeni të faktit që këta zgjedhës janë rregjistruar dhe mund të votojnë. Vetëm në orën 2 të mëngjesit të ditës së sotme u mor vendimi për ngritjen e një qëndre të tillë. Sot në mëngjes janë lajmëruar forcat politike të çojnë komisionerët. KQZ nuk ka mbajtur një qëndrim të hapur veçanërisht me ne në këtë rast. Nuk ka asnjë akt të orkestruar nga PD. E njëjta problematikë ka ndodhur edhe në KZAZ 44. Në të cilën nuk është hapur fare procesi i votimit deri në orën 1 të ditës së sotme”, - tha ai.

Më tej, ai tha se nuk është detyrë e tyre që të njoftojnë KQZ-në, por e kësaj të fundit për të njoftuar të gjitha forcat politike.
Ne nuk kemi për detyrë të njoftojmë KQZ, është detyrë e asaj të na njoftojë ne. KQZ thotë të dënojmë informacionin e orës 12 të mëngjesit. Ne u akuzuam pa të drejtë për bllokim të procesit. Komisionerët na njoftuan se të gjithë informacionin që na kanë dhënën ne, ua ka dhënë edhe të gjithë anëtarëve të KQZ-së”, - tha Kaso
 
ivi kaso

Ndërsa përsa i përket asaj që ndodhi në Kurbin, ku gjatë proçesit të sotëm të votimit nuk kanë qenë të pranishëm komisionerët e Partisë Demokratike, ai tha se të gjitha shkeliet e bëra aty janë dokumentuar dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi për këtë. 

“Anëtarët tanë e kanë pasur të pamundur të merrnin pjesë në atë njësi të qeverisjes vendore . Të gjitha shkeliet atje do të dokumentohen dhe të gjithë shkelësit do të vihen përpara drejtësisë.  Fillimet e procesit të votimit në Kurbin ishin të paligjshme. Nuk dimë kush kanë qenë pjesmarrësit në votime dhe me çfarë listas kanë votuar”, - tha ai.

Ndërsa, për atë që u raportua se ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku kandidati i PD-së u dërgonte mesazhe qytetarëve dhe u bënte thirrje atyre që të votonin atë, ai tha se nuk ka asnjë informacion.  “Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë rast”, - tha Kaso. 

Ora 18:50 Zgjedhjet në Himarë, A1 Report ndalohet të filmojë
Himarë – Gazetari i A1 Report, Armand Xhelili është ndaluar që të filmojë në qendrën e votimit 45/91. Kanë qenë Kryetari i Komisionit të QV, Angjell Neranxi i cili ka penguar gazetarin të bëjë punën e tij. Gazetari u ndal të filmojë momentin e diskutimit të votimit të Bejlerit, ku Neranxi dhe vëzhguesi Kosta Bala penguan filmimet nga A1 Report.



Ora 18:35 PD vlerëson pjesëmarrjen si të lartë
Edhe pse pjesëmarrja në procesin zgjedhore sipas të dhënave të KQZ-së të publikuara në orën 16:00 është 38% në rang kombëtar, Partia Demokratike  e vlerëson këtë si pjesëmarrje të lartë. Në selinë e PD-së situata paraqitet e qetë, ku kreu i PD-së Lulzim Basha është rikthyer në zyrë për të monitoruar situatën. Të pranishëm në seli janë dhe kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka dhe deputetë të tjerë. Ndërkohë që po afron momenti për mbylljen e procesit të votimit, mbështetës të PD-së kanë nisur të grumbullohen në ambientet e selisë.

Ora 18:13 Rama dhe Veliaj mbërrijnë në Selinë e Partisë Socialiste
Ndërsa na ndan më pak se një orë nga përfundimi zyrtar i votimit, në ambientet e Partisë Socialiste kanë mbërritur Kryeministri Rama dhe kandidati i së majtës për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

Ora 17:50 KSHH: Shkeljet gjatë procesit të votimit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit po monitoron  procesin e votimit në 9 qarqe ose 25 bashki, ku ka konstatuar disa shkelje. Sipas raportit të KSHH-së procesi vijon i qetë por nuk kanë munguar shkeljet e ligjit nga komisionerët, vëzhguesit politikë ose ndonjë qytetar sporadik.
Ndër parregullsitë ligjore të konstatuara janë: 
·         Vazhdojnë problemet me bazën materiale.  Në QV nr. 1459, Durrës dhe  në një QV nr. 1266 në Krujë, anëtarë të KZAZ-së përkatëse kanë tërhequr nga 100 fletë votimi, të pa përdorura, duke pretenduar se nevojiteshin për QV në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale. Gjithashtu janë konstatuar raste  ku cilësia e bojës timbruese është  e ulët dhe ajo fshihet menjëherë.
·         Janë vërejtur raste të mangësive në procedurën e votimit të personave me aftësi të kufizuar, duke mos pasqyruar  me shkrim, sipas ligjit, rastet e ofrimit të ndihmës për këtë kategori zgjedhësish. Këto shkelje janë vërejtur në  Q.V 2110 dhe 2115, 4591 etj.
·         Janë konstatuar simbole të subjekteve politike, kryesisht materiale propagandistike të PS dhe LSI, pranë disa QV si ato nr. 1974/1, 1974, QV pranë shkollës ”Abdulla Keta”, Liceu Artistik “Jordan Misja” etj.
·         Janë konstatuar raste ku anëtarët e Qendrës së Votimit, kanë përdorur telefona celulare gjatë procesit të votimit, si në QV  1703/1, ose  mos kontroll i gishtave të zgjedhësve si në QV 1741/1 dhe QV 1975/ KZAZ 39, QV 1915, QV 4507/1. Janë evidentuar raste te mbajtjes se shenjave dalluese të subjekteve politike nga anëtarë te KQV (byzylyk me simbole të LSI-se) QV 1885. Janë konstatuar raste te ndërhyrjes së anëtarëve te KQV, te cilët kanë ndërhyrë duke kryer procesin e palosjes ose hedhjes në kuti të fletës së votimit të plotësuar nga zgjedhësi. Në QV 1767 – është lejuar ndihma per një zgjedhës te verbër nga nje person qe nuk ishte ne listën e zgjedhësve të asaj QV-je.

Ora 15:40 Gjergji Mero: S'kam dijeni, të zbulohet dërguesi
Kandidati i koalicionit “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” për Bashkinë Korçë, Gjergji Mero ka reaguar lidhur me publikimin e lajmit për SMS-në e dërguar votuesve, ku u kërkohet të mbështesin kandidaturën e tij dhe të votojnë për PD-në.
 
Mero në reagimin e tij shprehet se, nuk është në dijeni të një gjëje të tillë dhe ka kërkuar të hetohet se kush është dërguesi. “Unë nuk jam në dijeni të SMS-së. Le të hetohet se nga është dërguar ky SMS”, është shprehur kandidati i djathtë.

Ora 17:28 Kandidatët e inkriminuar, Cannon: Shqiptarët ua dinë të shkuarën  
Ambasadori britanik, Nicholas Cannon ka folur nga Vora për A1 Report, ku i pyetur në lidhje me deklaratën e Kryeprokurorit Llalla për kandidatët të inkriminuar, theksoi se votuesit kanë dijeni për backgraundin e kandidatëve.
 
“Nuk e kam parë deklaratën e zotit Llalla prandaj nuk mund të komentoj mbi një deklaratë që unë nuk e kam parë por besoj që votuesit kanë dijeni për backgraundin e kandidatëve kështu që besoj e kanë parasysh kur bëjnë zgjedhjen e tyre.” –tha Cannon.
 
Më tej ai bëri me dije se në Qendrat e Votimit të monitoruara ka pasur incidente të vogla, por situata tashmë është normale.


 
“Me aq sa kemi parë nga këtu dhe disa Qendra Votimi në Durrës kemi parë që njerëzit janë shumë entuziast për të votuar janë duke dalë dhe duke votuar. Në numrin e vogël të qendrave të votimit të cilat ne kemi vizituar dhe monitoruar nuk kemi vënë re ndonjë incident dhe ndonjë problem i vogël që mund të këtë qenë është zgjidhur aty për aty nga komisionerët kështu që çdo gjë ka qenë e qetë.”- tha Cannon për mikrofonin e A1 Report.

Ora 16:45 PD SMS qytetarëve: Votoni Gjergji Meron
Dega e Partisë Demokratike në qytetin e Korçës ka thyer heshtjen zgjedhore duke ndikuar në vullnetin e lirë të qytetarëve për të zgjedhur. Kur kanë mbetur edhe 2 orë nga koha zyrtare e mbylljes së procesit zgjedhor, në telefonat e qytetarëve kanë mbërritur mesazhe përmes së cilëve i kërkohet të votojnë për Partinë Demokratike.
 
“Miq, mos harroni presionet, burgosjet, korrupsionin. Votoni Gjergji Meron, votoni Partinë Demokratike”, është mesazhi i dërguar nga Partia Demokratike e këtij rrethi.

sms korce
 
Qytetarët kanë denoncuar në A1 Report mbërritjen e këtyre mesazheve në telefonat e tyre personal, ndërsa në një reagim të PD-së së Korçës përmes zëdhënëses së kësaj force politike sqarohet se: Mesazhet i janë dërguar anëtarëve të Partisë Demokratike dhe jo qytetarëve të thjeshtë

Ora 16:35 Luzi: Deri në 16:00 pjesëmarrja e votuesve 38%
Deri në orën 16:00 pjesëmarrja e votuesve në 1053 qendra votimi në 11 qarqe për të cilat KQZ la informacion ka qenë 38 %.  Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Luzi në një deklaratë për mediat tha se procesi i votimit është duke vijuar në të gjitha qendrat.

Ajo u bëri apel sekretarëve të KZAZ-ve që të na sjellin informacion lidhur me % e votuesve. 

Më tej Luzi ka dhënë të dhëna më të detajuara për Bashkitë e Sarandës dhe Pukës, për të cilat vepron një projekt pilot për raportimin e ecurisë së votimit.  Nga të dhënat e deritanishme rezulton se në Pukë niveli i votuesve është 53.16%, ndërsa në Sarandë është 27.42%.

Gjithashtu Lefterie Luzi u ka bërë apel qytetarëve që të dalin e të votojnë. 

Ora 16:30 Shkodër / Kur të tjerët votojnë për ty!
Një rast i çuditshëm ka ndodhur në Shkodër, ku një vajzë e re nuk është lejuar të votojë. Deri këtu nuk ka asnjë për t’u habitur, por komisionerët e Qendrës së Votimit ku është paraqitur vajza i kanë thënë se ajo ka votuar njëherë.

Kjo pasi në listën e zgjedhësve rezulton se, dikush ka përdorur të dhënat e pasaportës së saj për të votuar. Pasi në fakt Ingrid Paçrami nuk kishte votuar dhe asaj i mungon edhe shenja identifikuese në gisht që tregon se ka votuar njëherë.
ingrid pacrami ok
(Ingrid Paçrami)

Ora 15:15 Rama emigrantëve: Nxisni familjarët të votojnë
Kryeministri, Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve, të cilët nuk kanë mundësi të marrin pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjen e pëfaqësuesve të pushtetit lokal që të nxisin familjarët dhe të afërmit që të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Ju që jeni në emigracion bëni një telefonatë në shtëpi, tek të afermit a miqtë në Shqipëri dhe thuajuni të shkojnë në votim edhe për ju! Rrofshi”, shkruan Rama në profilin e tij në “Twitter”.


Ora 15:00 Xhaçka thirrje grave: Votoni! Këto zgjedhje mbajnë shenjën tuaj
Zëdhënsia e fushatës së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka u ka bërë thirrje të gjitha grave e vajzave që ende nuk kanë votuar, tu drejtohen qendrave të votimit e të bëjnë zgjedhjen e tyre me vote, teksa kanë mbetur edhe 4 orë deri në mbylljen e procesit të votimit.

Ajo ka thënë se si kurrë më parë këto zgjedhje mbajnë shenjën e grave shqiptare, pasi sot votohet për këshilla bashkiakë, ku 50 % e kandidatëve janë grad dhe vajza.

Më tej Xhaçka ka thënë se sot, si kurrë më parë po konkurrohet me programe që në fokus të tyre kanë problemet e grave, nënave, kryefamiljareve, grave sipërmarrëse, vajzave të reja.

Olta Xhacka

Ora 15:00 ​Incidentet, policia ka ndërhyrë vetëm në një rast
Policia e Shtetit ka ndërhyrë deri tani vetëm në një rast në qendrat e votimit. Bëhet fjalë për një situatë tensioni të krijuar në Koman. Uniformat blu kanë ndërhyrë në KZAZ nr. 6, në qendrën e votimit nr. 142, në Koman, pasi Komisioni i Qendrës së Votimit kërkoi ndihmën e policisë për ndërhyrje në QV, pasi ka pasur një fluks shumë të madh të qytetarëve për të votuar.
 
Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për rivendosjen e rregullit dhe pas normalizimit të situatës janë larguar me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
 
Gjatë procesit zgjedhor strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për disa incidente të vogla për të cilat Policia është thërritur nga Komisionet përkatëse të qendrave të votimit por që kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe nuk është kërkuar më me vendim nga komisionet ndërhyrja e policisë. 

Ora 14:40 FRESSH: Votohet për çështjet që prekin të rinjtë 
Thirrje për pjesmarre në votime ka bërë edhe nënkryetarja e FRESSH, Maria Myridinasi. Në një deklaratë për mediat ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërishttë rinjve që të shkojnë të votojnë.

Sipas Myridinasit këto janë zgjedhjet e të rinjve si kurrë më parë, pasi vendoset jo vetëm për komunitetin në të cilin jetojmë, por edhe për çështjet që prekin drejtpërdrejtë çdo të ri.

Myridinasi

Ora 14:20 Tabaku: Demokracia funksionon vetëm nëse ju shkoni të votoni 
Me votën tuaj ju do të vendosni për të sotmen dhe të ardhmen tuaj”. Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike jorida Tabaku në një deklaratë për mediat.
 
Ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve se pavarësisht parregullsive të cilat PD-ja i ka dokumentuar, të  marin pjesë në votime, pasi sipas saj demokracia funksionon vetëm nëse qytetarët votojnë.   



Ora 14:20 Fredi Bejleri i PBDNJ-së futet me forcë në qendrën e votimit në Lukovë
Kandidati i PBDNJ-së për Bashkinë e Himarës Fredi Bejleri ka krijuar një situatë të tensionuar në një qendër votimi në Lukovë. Ai është futur në qendrën e votimit dhe ka filluar të debatojë me komisionerët ndërsa qytetarët i drejtoheshin kutive për të shprehur vullnetin e tyre me votë për kandidatët për këtë bashki.
Pas debateve, i shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë Bejleri është nxjerrë nga qendra e votimit.
 
Sipas burimeve, dyshohet që Bejleri të ketë qenë edhe në qendra të tjera dhe të ketë ushtruar presion, megjithatë informacionet janë ende në verifikim. PBDNJ përmes njoftimeve të njëpasnjëshme për shtyp ka denoncuar incidente në bashkitë e jugut, ku ajo garon me kandidatë për kryetar bashkie.



Ora 13:10 Të rinjtë e LSI-së, thirrje për pjesëmarrje masive në votime 
Të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nëpërmjet një deklarate për shtyp u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve e veçanërisht të rinjve që të shkojnë masivisht të votojnë. Deputetja Kejdi Mehmetaj nga selia e LSI-së u bëri thirrje veçanërisht të gjithë të rinjve që të shkojnë të votojnë, ashtu siç kishte bërë edhe vetë ajo.  

Ajo u ka bërë thirrje atyre që të shkojnë tani pasi nuk ka radhë e të mos e lënë për pasdite, kur mund të ketë një numër më të madh njerëzish të cilët u drejtohen qendrave të votimit.

lsi

Ora 12:00 Luzi: Pjesëmarrja deri më tani 27.09 %
Deri në orën 13:00 pjesëmarrja e votuesve në 711 qendra votimi ka qenë 27.09 %.  Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Luzi në një deklaratë për mediat tha se procesi i votimit është duke vijuar në të gjitha qendrat. Pjesëmarrja më e lartë bie në sy në qarkun Dibrës, ndërsa banorët e qarkut të Korçë deri pas mesdite duket se janë përfshirë më pak në këtë proces zgjedhor me 24 %.

Luzi i bëri apel sekretarëve të qendrave të votimit që të sjellin sa më shpejt dhe të saktë informacionin, ndërsa paralajmëroi se të gjithë ata që do të shkelin ligjin, do të përballen me masa ndaj tyre. “Në rast se ata janë përgjegjës do të vihen përpara ligjit”, - përfundoi kryetarja e KQZ-së.
 
Qarku Dibër 30,89% 
Qarku Durrës 24,94% 
Qarku Elbasan 28% 
Qarku Fier 25,4% 
Qarku Gjirokastër 29% 
Qarku Korcë 23% 
Qarku Kukës 34% 
Qarku Shkodër 24% 
Qarku Tiranë 28% 
Qarku Vlorë 24%

Ora 13:00 Berat, gruaja kapet “mat”: E fotografova foton për qejfin tim!
Ndërkohë një rast i kapur në flagrancë është shënuar në qytetin e Beratit. Një grua është kapur teksa ka fotografuar votën e saj e për këtë arsye procesi i votimit në qendrën e Votimit numër 3272 është ndërprerë për disa momente.

A1 Report mëson se bëhet fjalë për një zonjë me emrin A.D Sipas deklaratës së saj ajo ka deklaruar: E kam fotografuar voton për qejfin tim.
 
pezullim berat

Ora 13:25 Zhbllokohet procesi në qendrën e votimit në Dukat
Për disa momente në qendrën e votimit në Dukat të Vlorës është bllokuar procesi për shkak se kishte mungesë të listave të zgjedhësve. Pas vendimit të KZAZ-së për situatën e krijuar, u vendos që të pranoheshin lista shtesë të zgjedhësve në fshatin Dukat.

Ora 12:12 PBDNJ: Ja incidentet në favor të kandidatit Goro
PBDNJ denoncoi përmes një njoftimi për shtyp një sërë incidentesh që sipas kësaj force politike janë përpjekje për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në favor të kandidatit të Partisë Socialiste Jorgo Goro.

Konkretisht:
Ora 07:10
Ne Q.V. N 4594 (Kallarat) nuk jane paraqitur komisioneret si rezultat nuk eshte hapur qendra e votimit.
Ora 07:20
Jonian Duni ne Q.V. 4584 (Gjilek) vezhgues I P.B.D.NJnuk lejohet te hyje ne kete Q.V. per te kryer detyren edhe pse ka autorizim e KZΑZ
Ora 07:30
Ne Q.V. 4581/1 (Qeparo Fushe)mbyllen kutit e votimit duke u ndryshuar ka paket e kutive.
Ora 07:35
Ne Q.V. 4600dhe 4599 (Kuc) nuk jane paraqitur komisioneret e koalicionit te djathte.
Ora 07:45
Ne Q.V. 4592 (Vranisht) nuk lejohet te hyje ne Q.V.vezhguesi I P.B.D.NJ me gιthese disponon nga autorizimi e KZΑZ
Ora 08:10
Ne Q.V. 4591 (Himare) nuk e janë paraqitur komisioneret e koalicionit te djathte dhe nuk pafilluar procesi zgjedhor
Ora 08:15
Ne Q.V. 4594 (Bolene) jane ngatërruar kapaket e kutive nje koheshit dhe vulat e mbylljes e kutive.
Ora 08:30
Ne Q.V. 4588/1 (Himare Fshat) fletet e votimit vulose jashtë kuadratit perkates ne menyre te per dalluese
Ora 09:25
Ne Q.V. 4588 dhe 4588/1 (Himare  Fshat) punonjesi I Bashkise dhe militant I A.SH.E Arqile Bollano po shoqeron ne menyre te perseritur te dhunshem te moshuarit per te votuar. Veprim qe nuk lejohet nga Komisionii Q.V.
Ne Q.V. 4590 (Himare Shkolle) militant I A.SH.E Artan Duka nuk lejonte moshuareti shoqeroje per tevotuar personin e përzgjedhur nga vet imoshuari.
Ora 09:30
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht) militantja e A.SH.E Mirka Gjicali pengon te moshuarit te shoqerohen nga njerzit e perzgjethur prej tyre per te votuar. Ne te njejten Q.V. Irini Lloi dhe Ersida Nini militan te te A.SH.E lejohen ne menyre te perseritur te shoqërojnë te moshuar.
Ora 09:30
Ne Q.V. 4584 dhe 4584/1 (Gjilek) punonjesit e BashkiseThodhori Beja Sekretari Bashkise dhe Jerasimo Bashi Drejtor I Kadastres kercenojnë njerëzit jashte Q.V. dhe i orientojnë dhunshem duke i shoqeruar per te votuar.
Ora 10:00
Ne Q.V. 4592 (Vranisht) u konstatua rast qe komisioni Q.V. i jep votuesit fletëvotimi te plotesuar. Qytetari nuk pranonte mare flete votimit e plotësuar dhe kërkon flete te pa plotësuar, komisioni nuk i jep.
Ora 10:25
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht) lista përfundimtare qe disponon komisioni nuk janë te plota duke u krahasuar me listen perfundimtare te afishuar jashtë qendres se votimit.
Ora 10:30
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht)militantja e ASHE Mirka Gjicali vazhdon te pengoj shoqeruesit e personave te moshuar nga njerezit e familjes per votimin,kjo me kundershtim me nenin 108 te kodit zgjedhor.

Partia Bashkimi për te Drejtat e Njeriut konstaton se në kundërshtim me kodin elektoral, ambienti i QV 4719/1 (Vagalat Bashkia Finiq) përdoret jo vetëm si QV por njëkohësisht dhe si ambient lokali. Gjë e cila cënon zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe mund të cojë në tjetërsim të votës.

Deklarojmë se po behet tentative per te manipuluar rezultatin e zgjedhjeve, duke aktivizuar persona me karta identiteti fallco. Ne qendren e votimit Nr. 4588 ne Himare votoi shtetasi Angjello Qirjako Bollano, emri i  te cilit ndodhet ne listat e qendres se votimit 4590. Kerkojme dhe bejme thirrje Organeve Kompetente dhe Organizmave nderkombetare per nderhyrjen e menjëhershme per frenimin e fenomeneve te dhunimit te votes se lire.

Ora 11:50 Maliq, këshilltari i djathtë godet me grusht komisionarin e majtë
Një incident është shënuar në zonën e Maliqit ku komisionari i majtë Klement Zera është goditur me grusht nga kandidati i djathtë për këshilltar, Andi Lenja. Ngjarja ka ndodhur  brenda në qendrën e votimit por shkaqet ende nuk dihen. Pas goditjes Zera është shprehur se është kërcënuar nga Lenja.

Ora 11:20­ Llalla: Ka kandidatë të inkriminuar, dekriminalizimi do i japë zgjidhje!
Ndërsa këtë të dielë shqiptarët i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj vendorë, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se në listat e kandidatëve për kryebashkiak ka persona me precedentë penale, por se sipas tij, ky problem do të zgjidhet me dekriminalizimin. Pas një takimi që mbajti me prokurorët të gatshëm për zgjedhjet, prokurori i Përgjithshëm Llalla tha se emrat e kandidatëve të inkriminuar u janë dërguar ndërkombëtare dhe partive politike, dhe është vendosur që të mos bëhen publikë.
 
“Në lidhje me listën ka emra konkretë të cilët nuk janë bërë publik sipas kërkesave të kërkuara nga institucionet përkatëse. Ligji penal nuk pengon individët të kandidojnë si subjekte në procesin e zgjedhor. Mendoj se tashmë me procesin e nisur nga ligjvënësi në politikat shqiptare për dekriminalizimin e politikës, ky problem ligjor do të marrë edhe zgjidhjen e duhur”, tha Llalla.
 
Sa i përket ecurisë së procesit zgjedhor, Llalla tha se do të ndiqet me shumë vëmendje e gjithë situata zgjedhore, si dhe do të merren në kohë kallëzimet që do të paraqiten nga qytetarët, por se deri më tani sipas tij nuk ka asnjë incident zgjedhor.  
 
Prokuroria është organizuar e gatshme për të ndjekur procesin zgjedhor. Lidhur me problematikat e hasura në zgjedhjet e kaluara janë parashikuar një sërë veprash penale dhe legjislacionin i parashikon të gjitha rastet. Përveç informacioneve të bëra publike nuk ka asnjë kallëzim të paraqitur në prokurori. Prokurorët si në Prokurorinë e Tiranës, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë do të ndjekin me vëmendjen gjithë situatën zgjedhore”, tha Llalla.



Ora 11:00 Voton Nishani: Mirënjohje për komisionerët dhe numëruesit
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime nga qendra e votimit e ngritur në shkollën “Andon Zako Çajupi” ku hodhi votën e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta.

Gjithashtu Presidenti theksoi se këto zgjedhje përkojnë edhe me 25 vjetorin e rënies së diktaturës në vend, ku tashmë vota është e lirë. “Dëshiroj t’iu uroj një proces të mbarë.

Dua të theksoj se këto zgjedhje përkojnë me 25 vjetorin e rënies së dikturaturës, më parë nuk e kishin këtë liri vota ishte e përcaktuar, sot kemi liri reale dhe duhet ta shfrytëzojmë.

Gjithashtu Nishani falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për komisionerët dhe numëruesit, të cilët sipas tij ata janë gjykatësit dhe menaxherët  e vullnetit të qytetarëve. Nishani ka inkurajuar politikanët të përcjellin mesazhe pozitive për qytetarët.



Bujar Nishani

Bujar Nishani


Ora 10:54 Meta: Distancohuni nga tensionimi artificial
Kreu i LSI-së Meta votoi ditën e sotme në kopshtin numër 31 pranë zonës së ish bllokut i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe vajza e tij vogël. Kreu i kuvendit i bëri thirrje të gjithë qytetarë të distancohen nga çdo lloj tensioni artificial dhe të kontribuojnë të gjithë në mbarëvajtjen e këtij procesi. 

Meta e cilësoi situatën të qetë dhe pozitive madje ftoi të gjithë komisionerët të bashkëpunojnë për një proces zgjedhor të qetë dhe me standarde europiane.

Shpresojmë tha Meta se që media të mos i japë peshë incidenteve por ti japë më tepër peshë procesit donator të sotëm të zgjedhjeve dhe të gjithë të punojmë që të respektohet vota e qytetarëve pa dallim.





"Ecuria është mjaft pozitive situatë e qetë kështu duhet të vazhdoje duhet të kontribuojmë. Të distancohen nga çd olloj tensionimi artificial. Secili do të japë vullnetin e tij i pandikuar nga askush siç i takon shqiptarëve"- tha Meta

Për të pavendosurit për të votuar Meta u shpreh: 'Do t’ju mbetet merak nëse nuk do votoni sot se nesër do kemi një Shqipëri të organizuar Evropiane"

Ora 10:40 Lu vëzhgon zgjedhjet në Vorë: Mbështes shqiptarët dhe të drejtën për zgjedhje të lira
Ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu ka zgjedhur të jetë në rolin e vëzhguesit në Bashkinë e Vorës. Në faqen zyrtare të ambasadës në rrjetin social Facebook janë postuar edhe fotot e kryediplomatit amerikan Lu në një qendër votimi në Vorë.
 
Ambasadori bisedoi me komisionerë dhe votues për procesin e votimit ku u shpreh: Unë jam njëri prej pothuajse 300 vëzhguesve ndërkombëtarë, së bashku me qindra vëzhgues të tjerë vendorë, të cilët po i monitorojnë këto zgjedhje nga afër. Ne jemi këtu për të mbështetur qytetarët shqiptarë dhe të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të mbara qytetarëve shqiptarë!"
 
ambasadori lu

Ora 10:40
 Voton Sali Berisha: Këto janë zgjedhjet e para të plagosura 

Deputeti i Partisë Demokratike Sali Berisha ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në qendrën e votimit të ngritur në liceun artistik. Ndonëse ka përshëndetur qytetarët dhe ka nxitur për pjesëmarrje në votime, sipas Berishës këto janë zgjedhje janë të plagosura.
 
“Këto zgjedhje po zhvillohen në shenjën e mafies dhe krimit nga ana e mazhorancës. Kësaj here ndodhi diçka e paimagjinueshme, transparencës së miqve tanë ndërkombëtarë ju kundërvu krimi qeveritar. Këtë herë zgjedhjet janë të plagosura sepse bashkëqytetarët tanë në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, prostitucionin. Sot është fjala e qytetarëve dhe ata kanë në dorë të dëgjojnë fjalën e miqve tanë ndërkombëtarë të cilët në interes të jetës së qytetarëve shqiptarë kërkuan largimin me nga lista me emra konkrete të personave të dënuar për drogë e prostitucion shumica e lidhur kokë e këmbë me krimin,”-tha Berisha.
 
I pyetur rreth vijimit të situatës në Kurbin deputeti i Partisë Demokratike u shpreh: “Sipas mediave atje procesi po shkon si çifteli me një tel. Ka patur hile te paimagjinueshme ndaj tyre por do të shqyrtohen”,-përfundoi Berisha.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU