Në përgjigje të ambasadores së ShBA-së, Yuri Kim, e cila i kërkoi opozitës që të heqë dorë nga kushtet e reja për reformën zgjedhore, ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në një intervistë për emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në Report TV tha se opozita nuk ka bërë propozime të reja që prej 9 marsit.

Palët politike nuk arritën dot konsensusin brenda afatit të përcaktuar nga vetë ata, ndërsa opozita ka kërkuar që nesër përsëri të ketë një mbledhje të Këshillit Politike. Për Alibeajn, kjo reformë as nuk ka dështuar, por as nuk ka përfunduar.

"Identifikimi biometrik është diskutuar në këtë vend që në 2012, atëherë kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe ne në qeveri. Që atëherë është artikuluar si kërkesë çështje e teknologjisë. Çështja e administratës zgjedhore është artikuluar nga 2017 e këtej. Çështja e Gjykatës Kushtetuese ka dalë për herë të parë vjet në këtë kohë kur doli raporti i ODIHR-it. Në tryezën politike, propozimet tona janë dërguar në 9 mars. Nga 9 marsi nuk ka asnjë kërkesë të re që të zërë në befasi ndonjë. Situatë të re, qasje të re ka. Kjo është qasje e kundërshtarit", deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Për opozitën, mazhoranca ka refuzuar të gjitha ato kërkesa, që ata i quajnë të rëndësishme, si identifikimi biometrik dhe depolitizimi i administratës. Sipas Alibeajt, nëse nuk realizohen këto nuk mund të ketë ndryshim sistemit.

"Më e rëndësishme është çfarë vote jemi duke futur në këtë makineri që quhet sistem apo formule. Nëse ne fusim votë të deformuar, të blerë, votë që e shpall njëra palë bëj çfarë sistemi të duash produkti do të jetë i deformuar. Nëse arrijmë që vota të jetë e lirë e ndershme dhe e barabartë, ne jemi të hapur për çfarë do lloj sistemi", u shpreh Alibeaj.