TIRANË- Mungesa e një konsensusi mes palëve politike mbrëmjen e 31 majit për reformën zgjedhore ka bërë që ditën e sotme SHBA, BE dhe Britania e Madhe t'i shkojë në zyrë kryedemokratit Lulzim Basha për të diskutuar pikërisht për këtë. 60 minuta diskutime, por asnjë deklaratë për mediat, duket se kanë qenë efektive, pasi vetëm pak minuta pas takimit, PD-LSI është zbutur duke i kërkuar PS mbledhje të Këshillit Politik ditën e nesërme në orën 17:00.

Mungesa e një marrëveshje në këshillin politik për reformën zgjedhore mbrëmjen e djeshme, ka sjellë reagimin e ambasadores së SHBA Yuri Kim duke u bërë thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga kushtet e reja të hedhura në tryezën e dialogut në minutat e fundit mbi Reformën Zgjedhore. Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca i cili tha se 'Zgjedhorja' është kusht për integrimin e vendit, ndërsa ambasadori britanik tha se 'është koha për të vënë popullin shqiptar të parin".

Mbrëmjen e djeshme, pas rreth 4 orësh, Këshilli Politik nuk ia doli që të gjente gjuhën e përbashkët.  Takimi i nesërm duket dhe një sinjal se opozita mund të jetë tërhequr nga kushtet 'e minutës së fundit' pas reagimit të ashpër të ambasadores Yuri Kim, dhe se në takimin e radhës të Këshillit Politik mund të ketë tentativa reale mes palëve për të gjetur dakordësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:16
Kim i bëri thirrje të tërhiqen nga kushtet e reja, PD-LSI: Këshilli Politik për reformën zgjedhore të mblidhet nesër

Palët politike nuk arritën dot një marrëveshje brenda afatit, që vetë e kishin përcaktuar, 31 majin. Por pasi Ambasadorja e ShBA, Yuri Kim i kërkoi opozitës që të tërhiqen nga kushtet e reja, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kërkojnë që të mblidhen sërish nesër në orën 17:00.

Në kërkesën që dy përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare i bënë PS, thuhet se mbledhja ka për qëllim gjetjen e konsensusit, në mënyrë që kjo reformë të përmbyllet sa më parë.

Ora 16:17
Mbyllet takimi, Basha 60 minuta bisedë me tre ambasadorët për 'Zgjedhoren'

60 minuta ka zgjatur takimi i Lulzim Bashës me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe. Kim u largua nga selia e PD-së duke mos pranuar që të bëjë asnjë koment për mediat, ndërsa pas saj, Luigi Soreca dhe Norman.

Ora 15:22
Nis takimi i ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë më Bashën për 'Zgjedhoren'

Prej orës 15:00 ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe po zhvillojnë një takim në selinë blu me Lulzim Bashën. Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Duncan Norman po tentojnë që të bindin kryedemokratin për gjetjen e konsensusit për miratimin e reformës.

Ora 12:32
LSI kundër SHBA-së: S'ka kushte të reja për 'Zgjedhoren', por nuk bëjmë asnjë lëshim

Përfaqësuesi i LSI-së në tryezën e reformës zgjedhore Petrit Vasili ka reaguar pas apelit të SHBA-së që të mos vendosin kushte të reja në tryezë. Ai thotë se nuk ka kushte të reja, por nuk do të bëjnë asnjë lëshim.

"Zero kushte te reja nga opozita e bashkuar per reformen zgjedhore. Kushte te reja bllokuese te konsensusit nga hajdutet e zgjedhjeve te Dibres, te zgjedhjeve 2017 dhe votimeve moniste te 2019, per te legjitimuar vjedhjen e votave. Identifikimi biometrik dhe administrimi i zgjedhjeve qe garanton voten e lire nga vjedhjet jane aty prej javesh.

Asnje leshim nuk do ti behet grabitjes se votave. Rilindja kerkon te mbushe kutite, te numeroje vete dhe te nxjerre po vete rezultatin. Fajtore per shkaterrimin e zgjedhjeve eshte vetem rilindja qe duhet te heqe dore menjehere nga shkaterrimi i reformes zgjedhore" tha Vasili.

Ora 12:02
Dështimi i 'Zgjedhores'/ Ambasadori i Britanisë: Koha për të vënë popullin shqiptar të parin

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman ka vënë theksin që palët duhet të gjejnë një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Ai shprehet se sot është dita kur palët duhet të mendojnë për interesin e shqiptarëve, jo interesat personale.

“Këshilli Politik u krijua për të sjellë në Shqipëri një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me kërkesat e ODIHR-it. Sot është dita për ta vënë popullin e Shqipërisë të parin dhe për të gjetur dakordësinë e nevojshme për të çuar vendin përpara”, thotë ambasadori britanik.

Ora 11:58
Ambasadorët e SHBA-së, BE-së e Britanisë zbarkojnë në selinë e PD-së për 'Zgjedhoren'

Në orën 15:00 ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe do të zbarkojnë në selinë e PD-së për të bindur Lulzim Bashën për Reformën Zgjedhore. Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Duncan Norman do të zhvillojë një takim me Lulzim Bashën për ta bindur për Reformën Zgjedhore. 

Ora 11:45
Gjiknuri shpërndan deklaratën e SHBA-së për Zgjedhoren

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka shpërndarë deklaratën e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim lidhur me Reformën Zgjedhore, në apelin e saj drejtuar palëve politike. Ka qenë vetë Gjiknuri ai që ka deklaruar se shkak për mosarritjen e një marrëveshjeve ka qenë opozita e cila hodhi në tryezë kushte të reja.

 

Ora 11:33
Dështimi i konsensusit për 'Zgjedhoren'/ Lëvizje në selinë blu, Basha mbledh ekspertët dhe aleatët


Pas dështimit të arritjes së një dakordësie për Reformën Zgjedhore, kanë nisur lëvizjet në selinë blu. Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me ekspertët e 'Zgjedhores' dhe aleatët opozitarë. Qëllimi i këtij takimi ishte për të informuar aleatët se çfarë ndodhi në atë takim dhe si do të veprohet më pas.

Ora 11:18
Soreca: Duhet një marrëveshje tani për Reformën Zgjedhore! Kusht për integrimin në BE

"Duhet një marrëveshje tani për Reformën Zgjedhore! Është ky apeli i ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca drejtuar palëve politike, pasi përfundoi pa marrëveshje në 31 maj, mbledhja e Këshillit Politik. Ai kujton që kjo reformë është kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

"Një reformë elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIRH është domosdoshmëri për të vijuar përpara në rrugën e integrimit Europian. Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët politike në Këshillin politik duhet të përfundohet tani që të nisin sa më shpejt bisedimet për çeljen e negociatave", shkruan Soreca