Përplasjet mes shumicës parlamentare të PS-së dhe opozitës së PD-së rrezikojnë që reforma zgjedhore të mos kalojë në kuvend me konsensus politik. Socialistët janë të prerë në ultimatumin e tyre.

"Unë ende shpresoj që deri më 30 nëntor do të ketë një reflektim nga PD, por ligji i financimit të partive politike, duhet të miratohet me çdo kusht brenda Krishtlindjeve të këtij viti. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet”, tha Balla.

Por teksa kreu i grupit të PS-së foli për bojkot të opozitës për muaj të tërë për të penguar negociatat me BE dhe rrugën evropiane të Shqipërisë, përgjigja i erdhi nga homologu i tij demokrat Gazment Bardhi.

"Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm", tha Bardhi. 

Taulant Balla e lidhi miratimin e reformës me integrimin evropian, në një kohë kur Brukseli përmes progresraporti tha javën e kaluar se konsensusi politik është i domosdoshëm për zgjedhoren.

"Grupi i PS s’mund të mbështesë zgjatjen e afatit të komisionit sepse koha ka qenë e mjaftueshme. S’mund të përsërisim të njëjtën lojë të pistë në kurriz të anëtarësimit të Shqipërisë. Konsensusi për ligjin e financimeve të partive politike është 84 vota, ne i kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse PD nuk vjen. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’mund ta mbajë peng askush", tha Balla.  

Në kundërpërgjigje Bardhi thotë se PS do t’i ndërrojë fokus komisionit me çështje që nuk janë të rëndësisë parësore.

"Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias", shkroi Bardhi. 

Teksa të dyja palët kanë vetëm 19 ditë për të bërë atë që komisioni nuk e ka bërë prej 13 muajsh, socialistët i kanë të projektuara pikat që duan të negociojnë. Depolitizimi i komisioneve zgjedhore, numërimi në qendrat e votimit dhe financimi i partive për PS-në janë për në tryezë.

"Nuk mund ketë PD dhe PS më kontrollin e zgjedhjeve. Le të hedhim një hap të madh drejt depolitizimit. Dimensioni i dytë janë mediat. Osbe-odihr kërkon një rregullim të transmetimeve në media, spote elektorale etj.  E treta, përfshirja e administratës në zgjedhje. Nëse opozita nuk do ta adresojmë së bashku me ligj, për zgjedhjet e 9 maj, do të ndërhyjë me akte nënligjore, me VKM apo udhëzim.  E katërta është pjesa e financimit të partive politike.  Prej  një muaji PD ka hyrë në një tunel, rrugë pa kthim. Ftesa ime është që të ndërpresin bojkotin", vijoi Balla. 

Kërkesën e PD-së që të hapen 100% listat për këshilla Bashkiakë PS e refuzoi përmes Taulant Ballës.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të konferencës së Kryetarëve që i parapriu deklaratës së Taulant Ballës, deputetë të opozitës ngritën shqetësim për aktet normative të qeverisë që kanë nisur zbatimin me ndëshkimin për dhunën në protesta.

Kryeaxhenda e kuvendit tha kreu I grupit të PL Tedi Blushi duhet të jenë kërkesat legjitime të studentëve. Ai theksoi se Kuvendi nuk ka dënuar dhunën policore.

Për reformën zgjedhore, qëndrimi që ai shpalosi ishte Hapja 100% e listave, edhe për parlamentaret, qeveria teknike dhe president nga populli.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:46
'Zgjedhorja'/ Bardhi i përgjigjet Ballës: S’e kemi bojkotuar Komisionin, kërkojmë zbatimin e rekomandimeve të ndërkombëtarëve

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha sot se nuk do të  ketë zgjatje afati për Komisionin e Zgjedhores dhe se reforma do të miratohet vetëm me votat e socialistëve nëse opozita nuk reflekton. Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili në një postim në shkruan se opozita nuk ka bojkotuar komisionin, por ka kërkuar që Reforma Zgjedhore të përmbushë kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian.

"Opozita nuk ka bojkotuar asnjëherë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ky është një fakt publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të thirrur të këtij Komisioni në të cilën përfaqësuesit tanë të mos kenë qenë të pranishëm. Ajo që po ndodh është një përpjekje e mazhorancës për të devijuar dhe penguar punën e Komisionit, duke e zhvendosur vëmendjen drejt çështjeve dytësore, të cilat nuk lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias. Ky fokusim në çështje që nuk adresojnë standardet për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta po zvarrit procesin dhe po pengon përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Sa i përket projektligjit për financimin e partive politike, drafti fillestar i hartuar nga Komisioni i Posaçëm i është përcjellë për vlerësim urgjent Zyrës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Ekspertët e këtyre institucioneve kanë përcjellë opinionet dhe rekomandimet e tyre të plota. Qëndrimi i opozitës është i qartë: të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e tyre duhet të reflektohen plotësisht në tekstin e projektligjit. Ky proces nuk mund të konsiderohet i përfunduar dhe projektligji nuk mund të ecë përpara pa adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Opozita do të vijojë të insistojë që Reforma Zgjedhore të përmbushë jo thjesht një detyrim formal apo procedural, por standardet dhe kërkesat e përcaktuara edhe nga Komisioni Europian: rikthimin e besimit të publikut te procesi zgjedhor, garantimin e konkurrencës së ndershme politike dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.

Reforma Zgjedhore duhet të prodhojë garanci reale për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta, jo të shndërrohet në një proces formal që shmang adresimin e problemeve themelore të demokracisë zgjedhore në Shqipëri", shkruan Bardhi. 

Ora 12:32
Protestat e dhunshme, ironizon Balla: Sali Berisha merr formën e një studenti 82-vjeçar, lojë që s’e luan dot me ne (VIDEO)

 

Në një koment për protestat, Taulant Balla ironizoi Sali Berishën, i cili i quan vazhdimisht “studentë” pjesëmarrësit.

“Imagjinoni, Sali Berisha merr formën e një studenti 82-vjeçar. Këtë lojë mund ta luajë me këdo tjetër, por jo me ne”, tha Balla.

Ora 11:41
Balla kundër kërkesave të PD për ‘Zgjedhoren’: KZAZ-të duhet të shtohen, nuk përkrahim hapjen e listave për këshillat bashkiakë (VIDEO)

 

Partia Demokratike nuk mund të bllokojë procesin e përafrimit të legjislacionit me BE, tha Taulant Balla. Ai kundërshtoi pakësimin e numrit të KZAZ-ve dhe hapjen e listave, të dyja kërkesa të PD.

Taulant Balla: Kemi hyrë në muajin e 14-të të sesionit të tretë të kësaj legjislature. Të gjithë e dinë që kjo është legjislatura historike, ka një detyrë për përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së. Prirja për të mbajtur peng këtë proces që qeveria e tij mos ta mbyllë këtë janë prirje që s’mund t’i pranojmë. Ligji i financimit të partive politike është i rëndësishëm edhe për zgjedhjet e 9 majit. Në Kodin Zgjedhor, për shkak të ndarjes së re administrativo-territoriale dhe vendimit që bashkitë që bashkohen t’u ruajmë përfaqësimin e drejtë, duhet t’i fusim në Kod. Ka një propozim të ODIHR për rritjen e numrit të KZAZ-ve. KZAZ-të duhet të shtohen. Çfarë e pengon PD që të bëjmë 140 KZAZ? Kemi kërkuar t’i jepet fund kësaj historie të pasens që rezultati i votimeve të dalë pas një jave.

-Me listë të hapur apo të mbyllur?

Taulant Balla: Ne jemi kundër hapjes së listave për këshillat bashkiakë. Në 2020 i hapëm listat dhe nga SHQUP-i qëllohej me top. Në Kushtetutë hapjen e listave e ka bërë PS me deputetët që nuk zgjodhën rrugën e bojkotit. Në grupin parlamentar të PS, sot 36 deputetë vijnë nga listat e hapura. Sot ke 1/3 e listës të mbyllur dhe 2/3 të hapur”, tha Balla.

Ora 10:22
Akti normativ për tubimet, Blushi-socialistëve: Tërhiqeni urgjentisht, doni të qeverisni me dhunë! Kryeaxhendë hapja 100% e listave për ‘Zgjedhoren’

1794388987_1791223111blushi.jpg

Kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka debatuar me socialistët në Konferencën e Kryetarëve ku ka kërkuar tërheqjen e akteve normative për tubimet. Blushi thotë se qeveria kërkon të udhëheqë me dhunë, ndërsa kritikoi Niko Peleshin për heshtjen e tij lidhur me reagimin e policisë ndaj protestuesve.

“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeaxhenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve. Dhunën po e dënojnë edhe eurodeputetë, ndërsa Kryetari memec i Kuvendit nuk reagon. Po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj. Futja e akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj shumice që kërkon të qeverisë me shkopinj e plumba gome”, tha Blushi.

Akuza hodhi edhe drejt Taulant Ballës për reformën zgjedhore, për të cilën kreu i grupit socialist tha se nëse opozita vijon bojkotin, do të shkojnë në Kuvend me propozimet e tyre. Blushi përsëriti kushtet për hapjen e listave të votimit, ngritjen e qeverisë teknike dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.

“Me qëndrimin tënd për Reformën Zgjedhore provove se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ti je një provokator i ulët që mbron në këtë Kuvend interesat e klaneve kriminale. Kryeaxhenda e Komisionit të Reformës të jetë vetëm hapja 100% e listave, Qeveria Teknike dhe President nga populli. Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive, duhet t'i zgjedhë populli”, tha Blushi.

Ora 09:30
Nismat për shfuqizimin e 4 ligjeve, PD akuza mazhorancës: Po i mbani në sirtar, Kuvendi s’mund të jetë paradhomë e Partisë Socialiste! Blushi: Tërhiqni aktin normativ për tubimet

Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar dhe pa u caktuar datë shqyrtimi.

Në Konferencën e Kryetarëve, PD kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas PD, bllokimi i nismave lidhet  me problematikat e evidentuara në Raportin e Komisionit Evropian, duke akuzuar mazhorancën për dobësim të kontrollit parlamentar, cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk mund të ketë demokratizim dhe as përparim në procesin e integrimit evropian, kur mazhoranca, në shkelje të rregullave, ligjit dhe vetë Kushtetutës, e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe rregullores parlamentare. Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t'i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese”, tha Belind Këlliçi.

Kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi tërheqjen e akteve normative për tubimet pasi sipas tij, janë vetëm qëllim i qeverisë për të drejtuar me dhunë.

"Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeaxhenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve. Dhunën po e dënojnë edhe eurodeputetë, ndërsa Kryetari memec i Kuvendit nuk reagon", tha Blushi.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50

    Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?