Një ndarje e qartë e shtetit dhe partive në zgjedhje si dhe transparencë e fondeve të forcave politike janë për ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit europian, Silvio Gonzato, elementët kyç që duhet të mbahen parasysh në hartimin e ligjit të ri për financimin e partive politike. Një dokument i cili do duhej të ishte përgatitur nga komisioni i Reformës Zgjedhore e miratuar që dhjetorin e kaluar.
***
Raporti i Vëzhguesve të ODIHR për zgjedhjet e fundit parlamentare ngriti ndër të tjera dhe shqetësimin e përdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore. Pikëqrisht këtij konstatimi iu referua ambasadori i BE-së Silvio Gonzato kur tha se
"Kufiri midis shtetit dhe partisë duhet të përcaktohet shumë më qartë", tha Gonzato, duke shtuar se fryma e dialogut për tema kryesore si reforma zgjedhore është thelbësore. Reforma duhet të përmbushë jo vetëm pritshmëritë e qytetarëve, por edhe standardet europiane”.
Në një tryezë konsultimi për kodin e ri zgjedhor, Gonzato nënvizoi se ky është një prioritet i Unionit. Sipas Gonzatos, kompanitë dhe bizjnesmenët që përfshihen në tenderat publikë, duhet të qëndrojnë larg partive
"Ekziston gjithashtu një dimension i rëndësishëm kundër korrupsionit që duhet adresuar. Këtë vit ka një fokus të fortë për të siguruar që Shqipëria të zbatojë në mënyrë efektive strategjinë e saj kundër korrupsionit, dhe fusha si prokurimet publike duhet të kenë të gjitha garancitë e nevojshme për të siguruar që donatorët e partive të mos shpërblehen me kontrata qeveritare përmes proceseve të paqarta apo, edhe më keq, të manipuluara", tha Gonzato.
Teksa jemi rreth 15 muaj larg zgjedhjeve Vendore dhe bojkoti i opozitës ka shkaktuar vonesa të mëdha, ambasadori i OSBE-së Michel Tarran tha se se reforma e re duhet të miratohet në kohën e duhur.
"Duke qenë se zgjedhjet vendore janë planifikuar për pranverën e vitit 2027, koha është vendimtare. Reforma efektive ka nevojë jo vetëm për përmbajtje cilësore, por edhe të miratohet në kohën e duhur për të siguruar zbatimin kuptimplotë të saj", vijoi ai.
Ekspertët e brendshëm të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore prezantuan disa nga kufizimet në financimin e partive politike,
Dy partitë kryesore dhanë sinjale të qarta se kanë ide të përafërta që do të rezultojnë së shpejti në propozimin e projektligjit të parë të reformës zgjedhore, që është financimi i partive politike në vend.

Kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha gjatë mbledhjes se bashkë me opozitën, kanë vendosur të dalin në një draft të përbashkët. Ai u shpreh se shëndeti financiar i partive dhe konsolidimi i tyre lidhet drejtpërdrejt me forcimin e demokracisë.
“Me opozitën kemi vendosur të dalim në një draft të përbashkët që ky ligj të mos ketë inate partizane, por rregulla të gjithëpranuara. Shëndeti financiar i partive, është një nga gjërat më të rëndësishme në një demokraci. Sa më të konsoliduara partitë, aq më e konsoliduar demokracia. Duhet transparencë për burimet financiare dhe të parandalojmë financime nga interesa biznesi të lidhura me pushtetit, interesa të shteteve të tjera apo nga krimi”, tha Gjiknuri.
Ndërsa bashkëkryetari Oerd Bylykbashi mbështeti rëndësinë e transparencës për shmangien e korrupsionit dhe ndikimin e faktorëve kriminalë e të huaj.
“Ndryshimet janë bërë në kohë të ndara. Dua të theksoj, pa hyrë në detaje, se funksionimi i partive politike është çështje thelbësore dhe kushtetuese, po aq sa transparenca e financimeve. Partitë janë organizma që shërbejnë për pluralizmin demokratik. Kjo është kërkesë kushtetuese dhe besoj se të gjithë ndajmë mendimin se transparenca është një formë e mirë për të shmangur korrupsionin dhe influencat e faktorëve kriminalë apo të huaj", tha ai.
Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi theksoi se partitë politike nuk vendosin në dispozicion të institucioneve e publikut të dhënat financare.
“Transparenca realizohet vetëm në mënyrë pasive; Qytetarët, anëtarët e partisë dhe votuesit nuk kanë akses të drejtpërdrejtë dhe periodik në informacion; Kontrolli publik mbi financimin politik mbetet i kufizuar. Në praktikë, kjo situatë krijon një hendek të madh mes standardit ligjor dhe pritshmërive demokratike për llogaridhënie”, tha Celibashi duke shtuar se nevojitet publikim proaktiv i të ardhurave dhe transparencë.
Më pas, tha se auditimi formal i partive nuk është funksional dhe ka shpërndarje jo efikase të burimeve. Kësaj i shtohet edhe konflikti i interesit me pagesën e audituesve që përzgjidhen nga KQZ, por paguhen nga partitë.
“Rekomandohet unifikimi i procesit të auditimit. Përzgjedhja dhe pagesa e audituesve duhet të kryhet nga KQZ-ja për të garantuar pavarësi”, u shpreh Celibashi.
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, tha në Komisionin e Reformës Zgjedhore se ky është një moment vendimtar për Shqipërinë. Ai tha se rinisja e punimeve është pozitive dhe tha se reforma ka si qëllim avancimin e një kuadri të ri ligjor për financimin e partive politike.
“Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së kuadrit të saj zgjedhor. Rifillimi i punës së Komisionit është një sinjal pozitiv. Financimi i partive politike përbën një komponent kyç për funksionimin e shëndetshëm të partive politike, për konkurrencën e ndershme dhe të përgjegjshme politike, si dhe për forcimin e besimit të publikut në institucionet demokratike”, tha Tarran.
Më tej, ai renditi 4 pika të rëndësishme si parime themelore mbi të cilat duhet të vendoset reforma.
“Transparenca: deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike, në përputhje me Kushtetutën; Barazia: zbatimi i barabartë i rregullave për të gjitha partitë politike; Zbatimi: institucionet mbikëqyrëse duhet të kenë jo vetëm një mandat të qartë, por edhe burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të ushtruar siç duhet auditimin dhe kontrollin; Sanksionet: vendosja e sanksioneve proporcionale dhe efektive për të parandaluar përfitimet e paligjshme dhe për të dekurajuar mosrespektimin e ligjit”, tha Tarran.
Në fund të fjalës së tij, ai solli në vëmendje ndihmën për lehtësimin e dialogut mes partive.
“Jemi të gatshëm të mbështesim Komisionin në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve të interesuara, pasi dialogu efektiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi ndër-institucional janë thelbësore për përmbylljen e një procesi reformues që rrit besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe shton pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje”, përfundoi Tarran.
Komente











