Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato është i prnaishëm në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore ku theksoi disa pika të rëndësishme për realizimin e saj.
“Fryma e dialogut për tema kryesore si reforma zgjedhore është thelbësore. Reforma duhet të përmbushë jo vetëm pritshmëritë e qytetarëve, por edhe standardet europiane”, e nisi fjalën e tij Gonzato. Ai theksoi se kjo reformë është nevojë demokratike dhe kërkon transparencë në burimet e financimit të partive.
“Forcimi i sundimit të ligjit dhe dëshmimi i përkushtimit të palëkundur ndaj standardeve europiane është kyçe për Shqipërinë. Reforma zgjedhore është nevojë demokratike, besimi në zgjedhje është themeli i besimit në vetëdemokraci. Qytetarët duhet të jenë besimplotë se konkursi politik ka qenë i lirë, i ndershëm dhe i pandikuar. Pa transparencë në financimin politik, s’mund të ketë besim. Kur burimet e financimit janë të paqarta apo mbikëqyrja e dobët, besimi te këto institucione demokratike është i minuar, ndaj financimi është parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Reforma zgjedhore, sidomos sa i përket financimit të partive të fushatave mbetet në kuadër të kornizës së BE-së dhe patjetër lidhet ngushtë me themeloret”, u shpreh ai.
Kriteret kryesore të reformës zgjedhore janë pluralizmi politik dhe konkurrenca e barabartë, tha Gonzato.
“Reforma zgjedhore duhet të garantojë pluralizmin politik dhe të sigurojë një fushë loje të barabartë për të gjithë aktorët politikë. Kuardri ligjor duhet të konkurrojë këtë konkurrencë të ndershme për të mbrojtur aktorët e vegjël dhe të parandalojë shtrembërimet e ndikimit të padrejtë”, duke shtuar se “vija dalluese mes shtetit e partisë duhet të jetë më qartësisht e theksuar”.
Gjithëpërfshirja është një tjetër aspekt i reformës që Gonzato e nënvizon, sidomos pjesëmarrja e grave.
“Reforma zgjedhore duhet të mbështesë edhe pjesëmarrjen politike gjithëpërfshirëse, ndërkohë që Shqiëria zbaton kuotat gjinore, rregullat duhet të përfshijnë mekanizmat e financimit publik. Çuarja përpara e pjesëmarrjes së grave përmirëson rezistencën demokratike dhe besimin publik”, u shpreh ai ndërsa tha se votuesit duhet të kenë qasje në informacione transparente për financimin, kandidatët, burimet duke mos u kufizuar vetëm te rezultatet.
Element të rëndësishëm për këtë reformë cilësoi koherencën.
“Koherenca do të jetë kyçe sepse reforma duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe ligjet për partitë politike, për përkufizimet, mbikëqyrjet e përgjegjësive dhe të shmangë hendeqet”, tha Gonzato.
Në fund të fjalës së tij, i kushtoi rëndësi edhe antikorrupsionit.
"Ka po kështu edde një kënd të rëndësishëm antikorrupsioni. Këtë vit ka fokus shumë të fortë për të garantuar që Shqipëria të marrë përsipër një zbatim efektv antikorrupsion në të gjitha fushat antikorrupsion si prokurimi publik që duhet të ketë në fuqi të gjitha garancitë e nevojshme për të siguruar që të gjithë donatorët partiakë të mos kenë kontrata të siguruara nga qeveria përmes proceseve të vakëta apo të manipuluara. Kuadrot zgjedhore e ligjore duhet të forcojnë integritetin dhe të sigurojnë rregullore efektive, mbrojtjen e financimit të fushatave nga burime të dyshimta të huaja. Strategjia kundër ndërhyrjes së huaj përvijon një sërë hapash për të forcuar përballimin në këtë fushë”, tha Gonzato.
Gonzato tha se nuk do të mungojë ndihma nga ekspertët, ndërsa shtoi se ky proces është mundësi për konsolidimin e rezistencës demokratike.
“Mbetemi të përkushtuar për të përforcuar transparencën. Do të jemi të lumtur që të mobilizojmë ekspertë në punën e këtij komisioni e përtej. Ky proces është mundësi për të konsoliduar rezistencën demokratike dhe besimin publik dhe i inkurajojmë të gjithë aktorët që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të realizuar reforma koherente dhe në përputhje me rrugëtimin europian të Shqipërisë”, përfundoi Gonzato.
Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi theksoi se partitë politike nuk vendosin në dispozicion të institucioneve e publikut të dhënat financare.
“Transparenca realizohet vetëm në mënyrë pasive; Qytetarët, anëtarët e partisë dhe votuesit nuk kanë akses të drejtpërdrejtë dhe periodik në informacion; Kontrolli publik mbi financimin politik mbetet i kufizuar. Në praktikë, kjo situatë krijon një hendek të madh mes standardit ligjor dhe pritshmërive demokratike për llogaridhënie”, tha Celibashi duke shtuar se nevojitet publikim proaktiv i të ardhurave dhe transparencë.
Më pas, tha se auditimi formal i partive nuk është funksional dhe ka shpërndarje jo efikase të burimeve. Kësaj i shtohet edhe konflikti i interesit me pagesën e audituesve që përzgjidhen nga KQZ, por paguhen nga partitë.
“Rekomandohet unifikimi i procesit të auditimit. Përzgjedhja dhe pagesa e audituesve duhet të kryhet nga KQZ-ja për të garantuar pavarësi”, u shpreh Celibashi.
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, tha në Komisionin e Reformës Zgjedhore se ky është një moment vendimtar për Shqipërinë. Ai tha se rinisja e punimeve është pozitive dhe tha se reforma ka si qëllim avancimin e një kuadri të ri ligjor për financimin e partive politike.
“Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së kuadrit të saj zgjedhor. Rifillimi i punës së Komisionit është një sinjal pozitiv. Financimi i partive politike përbën një komponent kyç për funksionimin e shëndetshëm të partive politike, për konkurrencën e ndershme dhe të përgjegjshme politike, si dhe për forcimin e besimit të publikut në institucionet demokratike”, tha Tarran.
Më tej, ai renditi 4 pika të rëndësishme si parime themelore mbi të cilat duhet të vendoset reforma.
“Transparenca: deklarimi i plotë i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike, në përputhje me Kushtetutën; Barazia: zbatimi i barabartë i rregullave për të gjitha partitë politike; Zbatimi: institucionet mbikëqyrëse duhet të kenë jo vetëm një mandat të qartë, por edhe burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore për të ushtruar siç duhet auditimin dhe kontrollin; Sanksionet: vendosja e sanksioneve proporcionale dhe efektive për të parandaluar përfitimet e paligjshme dhe për të dekurajuar mosrespektimin e ligjit”, tha Tarran.
Në fund të fjalës së tij, ai solli në vëmendje ndihmën për lehtësimin e dialogut mes partive.
“Jemi të gatshëm të mbështesim Komisionin në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve të interesuara, pasi dialogu efektiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi ndër-institucional janë thelbësore për përmbylljen e një procesi reformues që rrit besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe shton pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje”, përfundoi Tarran.
Komente










