Marrëveshja për reformën zgjedhore u arrit më 5 qershor, por për sekretarin për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso fakti që ende nuk është përmbyllur me amendamente ligjore është për shkak se PS është tërhequr nga riformatimi i KQZ.  I ftuar në emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv, Kaso tha me këtë marrëveshje nuk u arrit të kishte një reformë të thellë dhe të plotë, por që krijoi disa garanci për opozitën.

"Nuk u arrit që të kemi një reformë të plotë dhe reformim të thellë të sistemit dhe jo vetëm të klimës së mosbesimit mes palëve dhe keqmenaxhimit të procesit zgjedhor, administrata zgjedhore ka nevojë për një reformim, çështja e sistemi nuk mund të zgjidhet në një kohë të shkurtër kohore. Kjo marrëveshje nuk është mbyllur pasi ka pasur një tërheqje nga PS me angazhimet e marra me KQZ e detajet implementimit të teknologjisë. Aktualisht kemi mbetur te riformatimi i KQZ  që ndahen në 3 nivele dhe i jep një konfigurim të ri por duhet të shoqërohet me disa garanci", tha Kaso. 

Kaso tha se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesa për qeveri tranzitore dhe se në tryezën e Këshillit Politik janë hedhur ide konkrete për sisteme pilot për votën e emigrantëve.

"Nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për asnjë arsye qeveri tranzitore vijon të jetë në tryezën e dialogut, si garanci për zgjedhjet e ardhshme. Votën e emigranteve e kemi përfshirë në diskutimin e tryezën e Këshillit Politik ku janë propozuar ndryshime konkrete për projekte pilot në zonat ku ata jetojnë. Ne do të shkojmë si koalicion i fortë përball Ramës i cili u përpoq për ta bllokuar këtë gjë. Nuk ka  shans të mos finalizohet marrëveshja pasi ka bekimin e ndërkombëtarëve", tha Kaso.

Në lidhje me vendimin e Komisionit të Venecias ku tha se Presidenti Meta nuk ka kryer shkeljen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kaso tha se ky ishte një veprim i drejtë dhe një goditje për qeverinë që kërkon të kapi Gjykatën Kushtetuese. Mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Kaso e sheh si vullnet të partisë në pushtet pasi është në konflikt të hapur me vendimet që priten të gjykohen nga kjo gjykatë. Kaso tha se Gjykata Kushtetuese duhet të ishte funksionale që dy vite më parë, por pushteti i sotëm nuk ka lejuar që ajo të ngrihet dhe e njëjta situatë vijon edhe me Gjykatën e Lartë.

"Gjykata Kushtetuese duhet të ishte funksionale të paktën prej 2 vitesh dhe pushteti është ai që nuk ka lejuar që kjo të ngrihej. Është e qartë se kush po e mban peng Kushtetuesen pasi ka vetëm një forcë në këtë vende është në konflikt të hapur me vendime që pritet të marrë kjo gjykatë. Në të njëjtën mënyrë po mbahet peng edhe Gjykata e Lartë", tha  Kaso.