‘Zgjedhorja’/ Ku kanë ngecur palët politike? Sfidë depolitizimi i administratës zgjedhore! Financimi i partive e shitblerja e votave kërkojnë adresim

Përpara se të merrnin pushimet e gushtit, në seancën e fundit të Kuvendit, parlamentarët bashkuan votat dhe miratuan, ndonëse mes shumë debateve, 2 ndryshime në Kodin Zgjedhor, atë për listat dhe votën e diasporës.

Por dy ndryshimet e rëndësishme të miratuara nuk plotësojnë detyrimin e palëve për reformë të plotë zgjedhore, përpara se në 2025 të shkojnë sërish në zgjedhje, e kërkuar sipas rekomandimeve të misioneve vëzhguese ndërkombëtare, kryesisht OSBE-ODIHR.

Reforma Zgjedhore ka ende shumë punë. Në tryezën për konsensus politik, shtatori pritet të rikthejë diskutimet për të tjera detyra shtëpie të mbetura të pakryera nga grupi i dialogut PD-PS gjatë sezonit politik që lamë pas.

Ndër më të rëndësishmet, i mbetur në kuadrin e propozimit është zgjerimi i votimit elektronik, i aplikuar në disa zona zgjedhore në 2021 dhe 2023 dhe që partia Socialiste është e gatshme ta shtrijë më tej.

Damian Gjiknuri ka propozuar zgjerimin në 5 qarqet më të mëdha të vendit, propozim që nëse do të miratohej, do të çonte në zbulimin brenda 30 minutash të fituesit të mundshëm të zgjedhjeve.

Sfidë është edhe debati shumë vjeçar i palëve, që është edhe një prej rekomandimeve më të rëndësishme të OSBE-së, për depolitizimin e administratës zgjedhore, që do të thotë që komisionerët të jenë apolitikë në të gjitha nivelet, që nga komisionerët e qendrave të votimit, anëtarët e KZAZ-së, grupet e numërimit e deri në nivelin më të lartë, në KQZ.

Opozita është më skeptike, pasi sipas saj, komisionerët e përcaktuar nga partitë janë garanci në proces. Varianti më i mundshëm që palët të diskutojnë, nëse do të kenë vullnetin për t’iu rikthyer diskutimeve për Reformën Zgjedhore është ai i de politizimit të pjesshëm.

Gjithashtu OSBE-ODIHR ka kërkuar adresimin edhe të problematikave të tjera nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues për financimin e partive, veçanërisht atë me origjinë të huaj, përfshirja e shtetit në zgjedhje, përdorimi i burimeve shtetërore apo shitblerja e votës, për të cilat opozita kërkon edhe ngritjen e një taks-force të përhershme, me përbërje prokurorë të SPAK, të prokurorisë së përgjithshme por edhe KQZ-së.

Dilemë mbetet fakti nëse kësaj reforme do t’i shpëtojë vetë institucioni i administrimit të zgjedhjeve, KQZ apo do të ketë një shkrirje të 3 organeve të tij e kthimin te skema e vjetër siç opozita kërkon. 

Pezull është edhe kërkesa kryesore e opozitës për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, por në mesin e gjithë detyrave për Reformën Zgjedhore, duket më e vështira për t’u arritur. 

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Buda: 13/08/2024 23:51

    Pa depolitizim te administrates zgjedhore kot sa behen zgjedhjet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë