Zgjidhet ngërçi politik, PD-PS i
bashkon në Kuvend rezoluta e PE

Zgjidhet ngërçi politik, PD-PS i<br />bashkon në Kuvend rezoluta e PE
TIRANE - Politika shqiptare ka mirëpritur deklaratat e europarlamentarëve Kukan e Fleckenstein, duke konfirmuar se ditën e mërkurë opozita dhe mozhoranca do të votojnë rezolutën me 4 pika. Partia Demokratike me anë të një komunikate për shtyp, shprehet e gatshme për të filluar sa më shpejt nga puna për rezolutën e përbashkët parlamentare, duke lënë të kuptohet se në seancën e fundit parlamentare të datës 24 dhjetor do të jetë në Parlament.
 
“Partia Demokratike përshëndet deklaratën e negociatorëve të Parlamentit Evropian dhe dy grupeve parlamentare PPE dhe PSE dhe falënderon eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein për angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës parlamentare. Partia Demokratike konfirmon mbështetjen e plotë për Deklaratën e Parimeve dhe është e gatshme të fillojë menjëherë punën së bashku për rezolutën e përbashkët parlamentare. Partia Demokratike përshëndet dhe mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE për mbështetjen në vazhdim, të procesit të normalizimit të jetës parlamentare”, thuhet në njoftim zyrtar të PD-së.
 
I njëjti qëndrim ka ardhur nga Partia Socialiste në pushtet, ku deputeti Taulant Balla, një nga negociatorët e mazhorancës me opozitën, tha se mazhoranca është e gatshme të votojë rezolutën, por nëse opozita mungon do ta votojnë vetëm me votat e shumicës.
 
“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste përshëndesim qëndrimin parimor të dy përfaqësuesve të dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, për ne deklarata e tyre është 100 % në linjë me qasjen parimore që Parlamenti Evropian ka dhe që i takon tashmë kuvendit tonë ta mbështesë tërësish. Ne jemi gati ta kemi këtë qëndrim parimor, një rezolutë të Kuvendi të Shqipërisë dhe ta votojmë që nesër së bashku me deputetët e PD në kuvend. Le të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolutë fjalë për fjalë siç është. Në pritje të reagimit të PD do të shohim mundësinë që sidoqoftë të votojmë nesër këtë rezolutë si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh deputeti i PS-së Taulant Balla.
 
Me zgjidhjen e ngërçit politik përfundon bojkoti 5-mujor i opozitës të gjithë punimeve të Parlamentit. Shkak për bojkotin u bë përplasja fizike mes 2 deputeteve të mazhorancës, Paulin Ndreu dhe Arben Ndoka me deputetin demokrat Gent Strazimiri. Bojkoti i opozitës mbyllet në kufijtë e kohës që Kushtetuta parashikon për djegien e mandatit të deputetëve, që sipas ligjit është 6 muaj. Kjo është një nga krizat e para të mëdha që hasi koalicioni PS-LSI, që pas ardhjes në pushtet në vitin 2013.
 
Zgjidhja erdhi pas një ndërmjetësimi intensiv nga dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, që vizituan veçmas Tiranën.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës