Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, ka kandiduar në limitin e fundit të afatit kohor të garës, duke i hapur kështu rrugë ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorëve.
Kandidimi i prokurorit Sheshi ka nxjerrë nga ngërçi organin në fjalë, pasi i mungonte një kandidat nga Prokuroria e Apelit. Vettingu shkarkoi prokurorin e vetëm nga radhët e Apelit, Luan Kaloçin, dhe në këto kushte procedurat për konstituimin e KLP-së ishin bllokuar deri më tani.
Duke qenë përballë një situate të tillë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku e hapi dy herë garën për prokurorët. Gara e parë dështoi sepse nuk pati asnjë kandidaturë, ndërsa gara e dytë rezultoi e suksesshme pikërisht për shkak të kandidimit të prokurorit Bujar Sheshi.
Kandidimi i prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, vjen pak ditë pas konfirmimit të tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Rëndësia e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është mjaft e madhe pasi nga 6 anëtarët prokurorë do të dalë edhe emri i ri i Prokurorit të Përgjithshëm.