Zgjidhet problemi 11 shqiptarëve që mbetën të bllokuar mes kufirit të Malit të Zi dhe Bosnjes. Kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla shprehet se pas koordinimit mes policive, shqiptarët janë kaluar përmes territorit malazez, ndërsa në pikën e Hanit të Hotit do i presë policia shqiptare.
"Lidhur me shqetësimin e drejtë të 11 shtetasve shqiptarë të bllokuar në pikën e kalimit kufitar mes Bosnje Herzegovinës dhe Malit të Zi (Trebinje), pas kontakteve me qeverinë e Malit të Zi dhe koordinimit mes policive të shteteve tona, është mundësuar eskortimi i katër automjeteve përmes territorit malazez.
Policia e Malit të Zi do t’i shoqërojë deri në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Është e domosdoshme që në kushtet e mbylljes së kufijve tokësorë në shumë vende duhet që të gjithë të mbahen të informuar' thotë Balla në një postim në Facebook. Shqiptarët u bllokuan pasi Mali i Zi i refuzoi teksa të njëjtën gjë bëri dhe Bosnja, por pas koordinimit mes policive të tre vendeve situata u zgjidh.