/ATSH-Gjergji Mima/ - Vizita e Kryeministrit italian në Tiranë, Matteo Renzi ka sjellë edhe zgjidhjen e problemit të taksës së transportit të mallrave mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e zbritur këtë taksë në nivel normal.

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpuceve shprehu sot vlerësimin për zgjidhjen e problemit të sigurimit të lejeve të lëvizjes së mjeteve në import-eksport jashtë territorit të Shqipërisë dhe e tarifave të transportit. Sipas saj, ky ishte një problem, prej disa dekadash.

Bordi Drejtues i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve shpreh falenderimin, në emër të anëtarëve të saj, për angazhimin e Qeverisë "Rama" për zgjidhjen përfundimtare të problemit të taksës së transportit për eksportet shqiptare drejt Italisë, e pazgjidhur prej më shumë se 60 vjetësh.

Sipas DHKPV, angazhimi i Qeverisë Shqiptare për të negociiuar dhe arritur zgjidhjen e duhur, në mirëkuptim me Qeverinë Italiane, për heqjen e pagesës (me vendet ku dërgojmë apo marrim mallin) e taksës së trasportit për mjetet tona të eksport-importit (afër 6,20 euro për ton në eksport dhe import), meriton vlerësimin më të lartë të të gjithë anëtarësisë së Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve dhe Këpucëve".

"Problemi i sigurimit të lejeve të lëvizjes së mjeteve në import-eksport jashtë territorit të Shqipërisë dhe e tarifave të transportit që iu faturohen këtyre mjeteve ishte një problem i hershëm, që nuk kishte mundur të gjente zgjidhje nga asnjë prej qeverive në dy dekadat e fundit", thekson DHKPV.
DHKPV shton se, "shqetësuese ishte sidomos gjendja me shtetin italian, i cili e aplikonte këtë tarifë diskriminuese vetëm me Shqipërinë, Sirinë dhe Libinë dhe me asnjë vend tjetër, me të cilin kishte shkëmbime tregtare".

Sipas DHKPBV, "Qeveria Shqiptare ka mundur, më në fund, ta zgjidhë këtë ngërç, ndërsa kompanitë tona duhet të luftojnë të sigurojnë mjete transporti që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit në vendet ku transportojnë mallin e tyre".

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, vlerëson këtë hap të ndërmarrë nga qeveria dhe shpreh konsideratën e saj edhe për angazhimin pozitiv të Qeverisë Italiane dhe të kryeministrit Mateo Renzi, deklarimi i të cilit në kryeqytetin shqiptar i dha zgjidhje një kërkesë shumëvjeçare të mbi 500 sipërmarrjeve shqiptare që punojnë në fushën e rregjimit të përpunimit aktiv, por edhe në rregjimin e eksport-importeve.

Sipas kryeministrit Renzi, "tani ka nevojë vetëm për një dekret zbatues". "Tashmë është ligj, do të hyjë në fuqi pasnesër. Do të jetë i nevojshëm një dekret zbatues ,...që do të jepet brenda pak javësh. Na u deshën 60 vjet, por më në fund e zgjidhëm. Duhen bërë gjërat, por duhen bërë edhe shpejt", nënvizoi kreu i Qeverisë italiane.

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve vlerëson bashkëpunimin me Qeverinë "Rama" dhe është e gatshme të kontribuojë në rritjen e punësimit, duke shprehur besimin se me plotësimin e kërkesave të arsyeshme të këtij biznesi, mund e duhet të bëhet realitet angazhimi i qeverisë për rritjen me 40 mijë të punësuar të rinj në fushën e manifakturave gjatë mandatit të parë të qeverisjes.