Elena Pelushi është emëruar në detyrën e zëvendësinspektores së re të Lartë të Drejtësisë.
Lajmin e konfirmon vetë ILD, duke sqaruar procedurën e ndjekur sipas ligjit.
Kandidatura e Pelushit u propozua nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve. Pas shqyrtimit të kandidaturës dhe votimit të fshehtë, inspektorët i dërguan emrin e Pelushit Inspektorit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i cili mori vendimin përfundimtar për emërimin.
Pelushi vjen në këtë detyrë me një eksperiencë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, në profilin e prokurorit dhe ka ushtruar këtë funksion deri në shkurt të vitit 2021.
Më pas, ajo u komandua pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku shërbeu si inspektore magjistrate.
Gjatë karrierës së saj, Pelushi ka marrë pjesë në një sërë trajnimesh profesionale, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa zotëron edhe disa gjuhë të huaja, përfshirë frëngjishten, italishten dhe anglishten.
Sipas ligjit, Zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron detyrat e drejtuesit në mungesë të tij, por pa përfshirë kompetencat kryesore që lidhen me hetimin e shkeljeve, inspektimet dhe nxjerrjen e urdhrave.
Mandati i saj në këtë detyrë është 2-vjeçar, me mundësi riemërimi.
Komente











